Udhëheqësia e pushtetit vendor ka informuar se me një donacion të bashkatdhetarëve tanë në SHBA, është siguruar edhe një automjet special për mirëmbajtjen e deponisë. Në këtë drejtim besohet se aktivitetet e ndërmarra japin rezultate pozitive
Vjollca SADIKU
Dibër, 3 dhjetor – Problemet me të cilët ballafaqoheshin dibranët në sferën e ekologjisë kanë filluar të tejkalohen. Në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti, deponia e qytetit shumë herë digjej dhe shkaktonte probleme të shumta në ndotjen e ajrit. Dibranët reagonin me të drejtë, meqë në një periudhë Dibra mbulohej dhe ngufatej me tym që shkaktonte probleme të shumta, sidomos tek të sëmurët kronik që kanë probleme me frymëmarrjen. Deponia, e cila gjendet në afërsi të rrugës Dibër, vendkalimi kufitar Bllatë, ishte në një situatë kaotike.
Megjithatë, pushteti vendor në Dibër këto ditë ka përfunduar punimet në lidhje me sanimin të deponisë në fjalë. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ka informuar se sanimi i deponisë të qytetit është realizuar me mjetet nga buxheti komunal. Pjesa hyrëse e deponisë është shtruar me rërë, kurse në kontinuitet është angazhuar një ekskavator që ka rrafshuar mbeturinat. Duka informon se deponia e qytetit ka edhe roje të angazhuar nga ndërmarrja publike “Standardi”. “Në drejtim të mirëmbajtjes së deponisë janë ndërmarrë të gjitha aktivitetet për një kontroll të rreptë që në deponi të hidhen vetëm mbeturinat që janë grumbulluar nga ndërmarrja komunale”, shprehet kryetari i Dibrës.
Udhëheqësia e pushtetit vendor ka informuar se me një donacion të bashkatdhetarëve tanë në SHBA, është siguruar edhe një automjet special për mirëmbajtjen e deponisë. Në këtë drejtim besohet se aktivitetet e ndërmarra japin rezultate pozitive. Paraprakisht, Këshilli i Komunës Dibër solli vendim që nga 1 janari i vitit të ardhshëm – të ndërpritet kontrata mes pushtetit vendor të Komunës Mavrovë dhe Rostush dhe ndërmarrjes publike “Standardi” nga Dibra, që edhe kjo komunë të sjell mbeturina në deponinë e Dibrës. Në sqarimet që u dhanë nga ana e Këshillit të Komunës, u theksua se ndërpritet kontrata me komunën fqinje meqë hapësira e deponisë të Dibrës është e ngushtë për të pranuar mbeturina nga rajoni i Rekës së Poshtme. Sipas të dhënave zyrtare, komuna Mavrovë dhe Rostushë, pas këtij vendimi të Këshillit të Dibrës, mbeturinat do ti dërgojë në deponinë Rusino.
Në kuadër të mirëmbajtjes të mjedisit jetësor, këto ditë realizohet edhe projekti për pastrimin e deponive të shumta të egra që janë në periferi të qytetit dhe në vendbanimet rurale. Projekti parasheh pastrimin e të gjithë deponive të egra që janë në bregun e Liqenit të Dibrës si dhe vendbanimeve Vakof, Konjarë si dhe Venec. Po ashtu bëhet pastrimi i deponive në fshatin Kosovrast i Poshtëm, Otishan, Zepisht si dhe Mogorç. Pastrimi i deponive të fshatrave në fjalë ka një domethënie të madhe meqë drejtpërdrejt ndalon përfundimin e mbeturinave në ujërat e Liqenit të Dibrës dhe Lumit Radikë.
Me një vendim të Këshillit të Komunës, i cili tani më është aprovuar, shumë shpejt në fshatrat e Dibrës, pastrimin e mbeturinave do të bëjë ndërmarrja “Standardi”, ndërsa banorët e fshatrave do të paguajnë taksën për grumbullimin e mbeturinave. Me këtë, shpresat janë që Dibra me rrethinë të ketë më në fund një mjedis të pastër pa deponi të egra. (koha.mk)