Prej disa vite edhe Dibra Open i është bashkangjitur garave rajonale për llojet e ndryshme të paragllajdizmit. Vizitorë të shumtë nga Evropa, kënaqen edhe me gjuetinë sportive të kafshëve të egra si dhe peshqve
Nga Fisnik PASHOLLI
Ekipe të njohura të futbollit, të basketbollit , hendbollit dhe volejbollit si dhe garuesit e atletikës i mbajnë përgatitjet e tyre në qendrën e njohur sportive “Penestia” në Dibër, konkretisht në Banishtë. Në pushimoren e fëmijëve disa vite me radhë në mënyrë tradicionale po mbahet edhe kampi i atletikës së fëmijës nga diaspora . Për shkak të vendndodhjes së tij dhe klimës , objekti në vitet e fundit grumbullon më shumë ekipe sportive po mbajnë stërvitjet e tyre dimërore dhe verore. Edhe salla e re sportive si dhe oferta speciale e përshtatur për sportistët , lidhja e mirë me Ballkanin dhe Evropën përmes aeroportit të Ohrit, si dhe rruga e Arbërit që lidh Dibrën me Tiranën, e bëjnë joshëse qëndrimin e sportistëve në këtë vend.
Terrenet e sporteve të ndryshme, ajri i pastër dhe klima e butë e kanë shndërruar këtë lokacion në mjaft tërheqës për sportistët. Përdoren me të madhe nga ana e vizitorëve dhe shtigjet e shënuara me ngarkesë të ndryshme si ato të rrafshëta, me ngritje të butë të terrenit dhe i kombinuar me ngritje, ulje te poshtë dhe pjesë të rrafshët.
Vozitja e biçikletave në shtigjet në mbi 700 metra lartësi mbidetare paraqet një përjetim të veçantë për vizitorët e kësaj ane që kënaqen me këtë lloj rekreimi. Tash më është bërë traditë edhe grumbullimi i bimëve mjekësore, çajeve të ndryshëm dhe kërpudhave, që është kthyer në një veprimtari të leverdishme. Kompania private “Dibra e Madhe”, për grumbullimin e bimëve bashkëpunon me qindra grumbullues, që shfrytëzojnë dhuratën e natyrës dhe i eksporton në më shumë shtete evropiane. Llixhat e njohura në Dibër ofrojnë shërbime jo vetëm për pacientët që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme, por edhe shërbime dhe trajtime të ndryshme sportive, fitnes dhe veles, teksa natyra dhe shkenca janë bërë bashkë për të ruajtur dhe përmirësuar shëndetin e çdo vizitori.
Malet përreth Dibrës janë një parajsë e vërtetë për alpinistët, çiklistët, peshkatarët, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të ikin prej stresit, tollovive, dhe problemeve, apo thjesht të rikuperohen në aspektin fizik dhe psikik.
Njëherësh që prej disa vite edhe Dibra Open i është bashkangjitur garave rajonale për llojet e ndryshme të paragllajdizmit. Vizitorë të shumtë nga Evropa, kënaqen edhe me gjuetinë sportive të kafshëve të egra si dhe peshqve. Gjuetia në kohët e fundit e mbështetur edhe me një organizim serioz dhe kultivimin e një pjesë të shpendëve për gjueti, është shndërruar në ofertë serioze të turizmit të gjuetisë së kësaj ane. Rregullimi i pikave për gjueti të peshqve, mbrojtja e liqenit , shërbimet e ndryshme edhe për 24 orë në disponim të vizitorëve , vendosja e një rendi në këtë fushë që respektohet nga të gjithë, por edhe shtimi i fondit të peshqve ka rritur imazhin e peshkatarisë sportiv në Liqenin e Dibrës.
Rruga e Arbërit që lidh Dibrën me Tiranën për dy orë udhëtimi komod, jo vetëm dërgon dibranët dhe të tjetër në Tiranë për shkurt kohë, por edhe sjell turistë nga Tirana që dëshirojnë të pushojnë në Lixhat e Dibrës me dhjetëra hotele dhe apartamente luksoze private , të vizitojnë restorantet, apo thjesht të relaksohen në fundjavë duke zgjedhur këtë pikë turistike në vend të të tjerave.
I tërë uji i ngrohtë i Banishtës shfrytëzohet për vaditjen e tokave përreth, jep rendiment bujqësore dhe ngroh një pjesë të shtëpive private, por edhe të objekteve publike si shkollat, komunën… Kësaj i parapriu një studim serioz gjeologjik dhe një analizë serioze që tregoi të gjitha përfitimet, por edhe koston e shfrytëzimit të ujërave termal. Pas kësaj me një investimit të partneritet privat publik, këtë biznes e menaxhon me sukses një menaxher i gjeneratës së tretë të mërgimtarëve nga SHBA-të. Vizitorët kanë mundësi të vizitojnë edhe muzeumin e Dibrës së madhe, ku faktet dhe dëshmitë flasin për historinë e begatë të kësaj ane , nga kohërat e romakëve e këndej.
Punojnë me dhjetëra biznese të hapura nga bashkë atdhetarët tanë nga jashtë… Sipas shumë ekspertizave të jashtme por edhe çmimeve në panairet e ndryshme evropiane, djathi i Dibrës është më i mirë në Maqedoni. Bile si atraksion turistik për vizitorët parashikohet edhe vizita apo edhe fjetja në stane ku të huajt njihen me mënyrën e përgatitjes së këtij prodhimi të njohur blegtoral. Rikthehet tradita e dikurshme e gdhendjes së drurit apo shkolla e njohur dibrane e drurit, por jo vetëm kaq, janë hapur edhe fabrika me teknologji moderne që prodhojnë mobilie masive për Evropën… Në vendin e deponisë së e dikurshme në dalje të qytetit, tani punon një impiant të vogël për prodhimin e energjisë elektrike një storie suksesi e partneritetit privat publik…
Nga qytet I fjetur i viteve 90-të, në vitin 2030, Dibra është shndërruar në një qytet ku janë kthyer me qindra familje nga diaspora , apo me mijëra pensionistë nga jashtë kalojnë gjysmën e vitit në vendlindje si rrjedhojë e përmirësimit të kushteve infrastrukturore dhe gjallërimit të qytetit. (koha.mk)