Pediatri i njohur dibran, Ylber Kokale, konfirmon se nga fillimi i pandemisë e deri sot ka një rritje të numrit të fëmijëve, të cilët kanë shtuar peshën trupore, e cila çon në obezitet. Në Komunën e Dibrës, sipas tij, dukuria në fjalë është edhe tek grupmoshat tjera. Aktivitetet e reduktuara fizike janë shkaqet kryesore për rritjen e numrit të personave me obezitet, thotë doktor Kokale dhe shton se për shkak të pandemisë, ka një “qetësi” në aspektin e aktiviteteve fizike
Vjollca SADIKU
Dibër, 30 nëntor – Kushtet e jetesës, të cilët na i imponon jeta në pandemi – në Komunën e Dibrës kanë ndikuar në mbipeshën, e cila është një problem serioz për një numër të theksuar të fëmijëve, adoleshentëve, por edhe te të rriturit. Konsumimi i ushqimeve me shumë kalori, për shkak të situatës në fjalë, ka rritur numrin e personave me mbipeshë. Është për tu theksuar fakti se ka një rritje të mbipeshës edhe tek fëmijët.
Pediatri i njohur dibran, Ylber Kokale, konfirmon se nga fillimi i pandemisë e deri sot ka një rritje të numrit të fëmijëve, të cilët kanë shtuar peshën trupore, e cila çon në obezitet. Në Komunën e Dibrës, sipas tij, dukuria në fjalë është edhe tek grupmoshat tjera. Aktivitetet e reduktuara fizike janë shkaqet kryesore për rritjen e numrit të personave me obezitet, thotë doktor Kokale dhe shton se për shkak të pandemisë, ka një “qetësi” në aspektin e aktiviteteve fizike. “Kryesisht duke u mbrojtur nga virusi i rrezikshëm, popullata pjesën dërmuese të orëve e kalon në shtëpitë e tyre. Aktivitete sportive të fëmijëve dhe te të rinjtë janë minimale dhe si pasojë – ka një rritje të peshës trupore të personit. Dukuria në fjalë është shqetësuese meqë dëmton shëndetin e personave. Kjo vjen edhe si rezultat i ushqimit të shpejt që përdorin fëmijët dhe të rinjtë, por edhe përdorimi i pijeve të gazuara të cilët përdoren në Dibër me shumicë. Në takimet që kemi me prindërit e fëmijëve, ku vërehet obeziteti, gjithmonë u sugjerojmë që fëmijët të rrisin aktivitetin fizik dhe sportiv dhe të mos merren me orë të tëra me pajisjet elektronike që kanë të bëjnë me lexime apo lojëra interneti”, tregon dr. Kokale.
Për fat të keq, shton ai, në situatën në të cilën jetojmë, përveç shtimit të peshës trupore, tek një pjesë e fëmijëve ka një dukuri e deformimeve trupore. Është një problem shumë serioz shëndetësor, thotë pediatri dibran, që po ashtu ka të bëjë me pasivitetit fizik dhe përdorimin e shumtë të pajisjeve elektronike. “Këto deformitete paraqiten shumë shpejt, por më pas shërimi është i ngadalshëm dhe ka edhe pasoja të ndryshme në shëndetin e fëmijëve”, tregon ai.
Për shkak të pandemisë, në Dibër faktikisht dukshëm është ulur edhe puna e pronarëve të fitnes-klubeve dhe palestrave sportive. Sipas pronarëve të këtyre objekteve, pjesa më e madhe e klientëve tani më 8 muaj nuk shfrytëzojnë këto objekte. Frika nga virusi i rrezikshëm Kovid-19 ka bërë që palestrat të boshatisen. Pronarët ankohen, kurse në bisedën që patëm me të rinj të cilët shfrytëzojnë edhe më tej palestrën, u informuam se shumë shokë të tyre kanë ndërprerë aktivitetin për shkak të pandemisë. Pikërisht kjo dukuri ka ndikuar negativisht në rritjen e peshës trupore tek shumë të rinj. Pjesa më e madhe e rinisë dibrane, përveç palestrave të cilët mund të themi se kanë kushte me standarde të larta, kanë braktisur edhe aktivitetin sportiv që para pandemisë e realizonin në sallën e madhe të sporteve “Dibra”, por edhe në terrenet sportive në qytet. Në një situatë të këtillë, sipas mjekëve, është shumë normale që obeziteti vazhdon të ketë një rritje tek rinia. (koha.mk)