Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 31 mars – Aktualisht në Dibër – numri i personave të izoluar është 198, ndërsa numri i personave të prekur nga COVID-19 është 47, nga të cilët tre ka ndërruar jetë. Kështu theksoi sot kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, ndërsa shtoi se pritet që gjatë ditës së nesërme, të lirohen nga izolimi shtëpiak 60 persona meqë ata tërësisht u izoluan gjatë dy javëve të fundit. Duka tha se gjatë ditës së djeshme, në Dibër kanë ardhur nga Klinika infektive në Shkup pas shërimit të suksesshëm 8 persona.
Situata e sigurisë kënaq, tha kryetari i Dibrës, ndërsa informoi se ka patur vetëm një rast i cili nuk ka respektuar orën policore, dhe tashmë ndaj tij është ngritur aktpadi penale. Në brezin kufitar nuk janë vërejtur kalime ilegale dhe probleme.
Në takimin që ka mbajtur mbrëmë Shtabi operativ me përfaqësues të shoqatave humanitare dhe përfaqësues të Qendrës ndërkomunale për punës sociale në Dibër, është arritur që të aprovohet një vendim që ka të bëjë me kontrollin e tërësishëm të ndarjes së ndihmave humanitare për qytetarët në nevojë. “Kemi aprovuar një listë të përbashkët nëpërmjet së cilës do të ndahen ndihma sociale”, tha në konferencën për media kryetari Duka. Ai tha se ka ndihma të shumta humanitare me artikuj ushqimor dhe preparate higjienike. Në këtë rast falënderoi veçmas ndihmat që vijnë nga mërgimtarët tanë që jetojnë në SHBA dhe Bashkimin Europian. (koha.mk)