Rinovimi i kontratës së Paulo Dibalës me Juventusin është në dorën e argjentinasit dhe paraqitjeve të tij në fushë. “Calciomercato” shton se Dibala i ka vendosur kushte drejtuesve të Juventusit për të vazhduar kapitullin e tij me bardhezinjtë: dyfishim të pagës, garantimi i statusit si ylli i dytë i skuadrës pas Kristiano Ronaldos dhe të drejtat e imazhit.
Megjithëse drejtori i klubit Fabio Paratiçi theksoi se fakti që Dibala ka shënuar 90 gola me Juventusin e legjitimon qëndrimin e tij në Torino, bisedimet mes palëve për rinovimin e kontratës ende nuk kanë dhënë rezultat. Me Gonzalo Higuainin e dëmtuar, Dibala pritet të ketë më tepër hapësira në fushë dhe nëse bind në ndeshjet vendimtare të këtij sezoni përballë Interit, Milanit, atëherë klubi do të pranojë të rinovojë kontratën e 26-vjeçarit.