Sipas përqindjeve aktuale, Maqedonia e Veriut deri në mes të këtij shekulli do të humbë së paku edhe 10 për qind të popullatës, ndërsa numri i banorëve më të vjetër se 65 vjet do të rritet për 25 për qind. Jemi dëshmitarë të shpërnguljes së familjeve të tëra nga Maqedonia, dhe shumë shpejt diaspora nuk do të ketë kujt t’i dërgojë para, ose do ta dërgojnë më rrallë e më pak për familjen më të gjerë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 maj – Pjesë e madhe e vendeve kërkojnë mënyrë se si t’i tërheqin paratë e diasporës së tyre për të investuar. Megjithatë, në Maqedoni – këto para shfrytëzohen për shpenzime aktuale e jo për investime. Diaspora e Maqedonisë ka ndikim të madh në ekonominë e Maqedonisë, ndërsa potencialet janë të mëdha, por nuk shfrytëzohen mjaftueshëm. Njohësit e kësaj problematike thonë se autoritetet e vendit duhet të bëjnë më shumë që të ndërpresin trendin negativ të shfrytëzimit të parave të diasporës, por edhe të ndërtojnë politika që në afat të gjatë do të tërhiqnin më të mirën nga diaspora, shkruan gazeta KOHA. Mekanizmi më i mirë që mund të aplikohet është statusi aktiv që në vendin tonë e kanë investitorët e huaj, privilegjet e të cilëve nëse u jepen mërgimtarëve tanë, në afat të gjatë dhe në shumë nivele pozitivisht do të pasqyroheshin në ekonominë tonë.
Këshilli evropian për marrëdhënie me jashtë ka publikuar studimin e autores Alida Vraçiq, e cila merret me problemin e migrimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, niveli i lartë i emigrimit shkakton probleme për shtetet, por edhe zgjidhja për shumë prej këtyre problemeve më së shpeshti gjenden tek vet emigrimi. “Mërgimtarët më së shpeshti posedojnë aftësi unike, por rrjetet e tyre, pasuria e tyre ekonomike dhe ndikimi i tyre mbeten të pashfrytëzuara”, thekson Vraçiq. Ajo paralajmëron se jo vetëm për realizimin e qëllimeve afatgjata socio-ekonomike, por edhe për të ardhmen e vendit si Maqedonia, me rëndësi të veçantë do të jetë shfrytëzimi i potencialit të mërgimtarëve. Sipas përqindjeve aktuale, Maqedonia e Veriut deri në mes të këtij shekulli do të humbë së paku edhe 10 për qind të popullatës, ndërsa përqindja e banorëve më të vjetër se 65 vjet do të rritet për 25 për qind.
“Remintancat nga jashtë janë një element i rëndësishëm për ruajtjen e bilancit të pagesës në Maqedoni. Kështu, të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se vendi ka deficit tregtar nga shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve nga jashtë prej rreth 1.8 milion euro. Pjesa më e madhe e këtij deficiti tregtar në bilancin e pagesave mbulohet nga të ardhurat e ashtuquajtura sekondare me neto rrjedhë prej rreth 1.7 milion euro. Në këtë fluks, remintancat e familjeve dhe punëtorëve që punojnë jashtë vendit janë vetëm 183 milionë euro. Pjesëmarrje më të madhe ka neto fluksi në këmbimin valutor prej rreth 1.1 milion euro. Kuptohet që një pjesë e kësaj rrjedhe në këmbimore vjen nga qytetarët tanë që punojnë jashtë vendit, ndërsa devizat në dorë i sjellin përmes kufirit”, konsideron Angel Dimitrov, kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë. Ai shton se nuk duhet të harrohet që në këtë rrjedhë futen edhe rrjedha e tregtive të ndryshme të palejuara dhe transaksione të tjera nga jashtë dhe nuk mund të thuhet se sa prej këtyre mjeteve është nga fitimet jashtë vendit, dhe sa prej tregtisë ilegale.
“Është e saktë se pjesa më e madhe e remintancave nga jashtë përdoren për mbulimin e shpenzimeve jetësore për pjesën e familjes që ka mbetur në Maqedoni. Ata këto kursime nuk i investojnë në hapjen e biznesit personal, për shkak se bëhet fjalë për mjete të vogla dhe sepse rreziku i mossuksesit dhe rënies së biznesit, ndërsa me të edhe të mjeteve të investuara, është i madh”, shpjegon Dimitrov. Sipas tij, dobia më e madhe nga puna jashtë vendit janë njohuritë dhe kualifikimet që këta njerëz i fitojnë atje.
“Jashtë vendit shpesh fitohen njohuri dhe shkathtësi që nuk mund të fitohen në Maqedoni. Kjo është një bazë e mirë për fillimin e biznesit, posaçërisht në sferën e shërbimeve. Por, kuptohet se shkaku për largimin jashtë vendit dhe vendimin për të qëndruar atje nuk janë vetëm punësimi dhe standardi më i lartë. Shumë të rinj largohen jashtë vendit për shkak të jostabilitetit politik, mungesës së sundimit dhe mosrespektimin e ligjeve, korrupsionit dhe problemeve të tjera që u krijojnë pasiguri të përgjithshme të qytetarëve”, thotë Dimitrov. Ai thekson se duhet të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse për potencialin e këtyre njerëzve nga diaspora që ata posedojnë dhe mënyrën se si të tërhiqen që të investojnë në vend, raporton KOHA.
“Përveç disa takimeve me biznesmenët e huaj me prejardhje nga Maqedonia, unë nuk kam parë ndonjë Strategji më të rëndësishme për tërheqjen e këtyre njerëzve, por megjithatë në radhë të parë është e nevojshme që Maqedoninë ta bëjmë vend të sigurt dhe stabil për jetesë për të gjithë qytetarët”, ka theksuar Dimitov. Profesori dhe ish-guvernatori i Bankës Popullore, Lube Tërpeski, theksoi se shteti duhet të shfrytëzojë potencialin e diasporës dhe të aktivizojë mërgimtarët që të fillojnë të bëjnë investime. “Vetëm në atë mënyrë mund të sigurohemi se gjatë ndërprerjes papritmas të remintancave nuk do të ballafaqohemi me rritje të shpejt të varfërisë dhe kolapsit social”, thotë Trpevski. Profesori universitar, Marjan Petreski para pak ditësh për “Nova Makedonija” pohoi se pjesa më e madhe e remintancave harxhohen për alimentim të nevojave të përditshme të amvisërive.
“Megjithatë të shpeshta janë edhe harxhimet luksoze, si makina ose banesa, si dhe për dasma dhe evenimente të tjera familjare. Investimi në biznese ende është i ulët, shumë pak prej tyre që kanë pranuar remintancat, i kanë përdorur paratë për ndonjë mikrobiznes. Pikërisht këtu e shoh rolin e shtetit, i cili përmes masave stimulative duhet të nxisë pranuesit që të shfrytëzojnë paratë nga jashtë vendi dhe për hapje të bizneseve të vogla, në mënyrë që të sigurojnë vetekzistencën”, sugjeron Petreski.
Sipas tij, investimi është i rëndësishëm në rast se ulet ose ndërpritet rrjedhja e remintancave në familje. “Gjatë krizës remintancat janë treguar shumë fleksibile, me siguri për shkak se një pjesë e tyre kanë ardhur nga vende që nuk kanë qenë të prekura konsiderueshëm nga kriza, siç është Zvicra, Australia, Kanada, madje edhe Gjermania dhe SHBA. Prandaj, në afat të shkurtër, nuk pres ndonjë ndryshim të theksuar në lidhje me remintancat. Megjithatë, në afat të mesëm, është e mundshme që remintancat të ulen për dy shkaqe. E para, me kalimin e kohës, lidhjet mes dërguesve dhe pranuesve zbehen, që është rrjedhë natyrore, dhe e dyta jemi dëshmitarë të shpërnguljes së familjeve të tëra nga Maqedonia, që nuk do të ketë kujt t’i dërgohen para, ose do ta bëjnë atë më rrallë për familjen më të gjerë”, sqaron Petreski. (koha.mk)