Diaspora përforcon LVV-në, ia shton edhe një deputet

Të martën e kësaj jave janë numëruar rreth 2 mijë vota të diasporës, me ç’rast LVV-ja ka marrë1154 sosh. Si rrjedhojë në legjislaturën e ardhshmeLëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë gjithsej 32 deputetë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka numëruar mbrëmë 1806 pakot me fletëvotime të ardhura nga diaspora, pasi Gjykata Supreme aprovoi kërkesën e LVV-së për numërimin e këtyre pakove, pavarësisht faktit që nga KQZ-ja ishin vlerësuar si të parregullta. Nga 2039 vota sa ishin gjithsej brenda 1806 pakove, të vlefshme rezultuan 1992 vota, prej të cilave Lëvizja Vetëvendosje mori 1154 sosh. Vetëvendosje u pasua nga LDK-ja, e cila mori gjithsej 395 vota. Ndërkaq derisa PDK-ja arriti t’i marrë 276, koalicioni AAK-PSD pranoi 79 të tilla. Kurse koalicioni Nisma – AKR-PD mori vetëm 26 vota.Pas numërimit të tyre zëdhënësi i KQZ-sëValmir Elezi tha se rezultatet përfundimtare mund të shpallen sot po që se nuk ka ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe në Gjykatën Supreme. Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, pritet që, pas numërimit të votave të fundit të diasporës, në legjislaturën e ardhshme t’i ketë gjithsej 32 deputetë, shkruan gazeta zeri.

KQZ: Nëse s’ka ankesa i shpallim rezultatet përfundimtare.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të ZgjedhjeveValmir Elezi mbrëmë në orën 21:00, pasi ka nisur numërimi i 1806 fletëvotimeve nga diaspora,tha se pas numërimit të këtyre votave pritet që sot të marrin konfirmim nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme, në mënyrë që të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 6 tetorit. “Nesër KQZ-ja do të kërkojë konfirmime nga PZAP-i dhe Gjykata supreme, nëse nuk kanë ndonjë çështje për të vendosur në këto institucione, në mënyrë që të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Besoj se nesër do të kemi komunikime dhe ju njoftojmë”, deklaroi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së tha se vlerësimi i pakove të fletëvotimeve nga mërgata ka filluar me qëllim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme. “Janë 1806 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar. Pas procesit të vlerësimit janë aprovuar 2039 fletëvotime të individualizuara,ndërkaq janë refuzuar 410”, tha ai.

Numërimi i votave të diasporës pas vendimit të Supremes.

Gjatë ditës së djeshme Gjykata Supreme ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 1806 pakove me fletëvotime, të ardhura nga mërgata disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Supremja me këtë vendim ka obliguar KQZ-në qëta numërojë edhe pjesën e mbetur tëvotave të diasporës.

“Miratohet si e bazuar ankesa e subjektit politik Lëvizjes Vetëvendosje, ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A nr. 381/2019, data 03.11.2019, detyrohet Komisioni Qendror Zgjedhor që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 1806 (një mijë e tetëqind e gjashtë) fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

LVV: Jemi të gatshëm për rezultate përfundimtare.

Këtij lajmi pa dyshim iu gëzua Lëvizja Vetëvendosje, partia e cila mori më së shumti vota nga mërgata.

Nazlie Bala, përfaqësuese e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e ka bërë publik vendimin e Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si lajm mjaft të mirë. “Sapo na erdhi lajmi i mirë: Gjykata Supreme e miratoi ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të numëruar edhe 1806 pakot e fundit me fletëvotime nga mërgata”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka folur edhe përfaqësuesi tjetër i LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemi, me ç’rast ka thënë se sot do të jenë të gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare. “Bashkatdhetarët e kishin kryer pjesën e tyre qëkur e kanë nisur fletëvotimin. Sot e drejta e tyre u rikthye. Votat nga mërgata do të numërohen sonte. Nesër jemi gati edhe për shpalljen e rezultateve përfundimtare”, ka potencuar Rrustemi, cili ka thënë se LVV-ja do t’i ketë 32 deputetë pas numërimit të votave të diasporës.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërim të votave të diasporës e pati refuzuar, duke e cilësuar si të pabazuar meqë votat në fjalëkishin arritur në Kosovë pas datës 6 tetor, kur edhe janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Pas numërimit të të gjitha votave Nisma e bindur se e ka kaluar pragun.

Pas numërimit të votave të fundit të diasporës nuk ka lënë pa reaguar edhe Nisma Socialdemokrate. Përmes një njoftimi për medie Nisma është shprehur e bindur se përfundimisht e ka kaluar pragun zgjedhor.

“Përfundimisht edhe pas numërimit të 2039 votave të fundit të diasporës të ardhura me vonesë (17 tetor 2019) Nisma Socialdemokrate dhe koalicioni ynë ka marrë mbi 42 mijë vota ose 5.02% të votave, të cilat e bëjnë koalicionin tonë pjesë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti.

Me këtë rast Nisma ka falënderuar anëtarët e simpatizantët e saj.