Diaspora nxit zhvillimin dhe krijon stabilitet ekonomik

101

Diaspora shqiptare, anëtarët e familjeve të tyre, shoqëria, farefisi… kanë kontribuar edhe në stabilitetin politik, i cili rrit dhe nuk zvogëlon rejtingun kreditorë. Subjektet politike shqiptare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, madje dhe Shqipëria me Kosovën, e njohin identitetin dhe shtetin maqedonas, që nuk ndodh me shtetet tjera fqinje

Nga Petrit POLLOZHANI

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut ngelet një veprimi pashpjegueshëm. Arsyetimet e shtyrjes për shkak të rritjes së infektimeve me COVID-19, për opinionin e gjerë janë jo bindëse. Së pari, për një operacion të tillë nuk nevojiten grumbullime të mëdha njerëzish dhe së dyti, mund të sigurohen kushte për t’u mbrojtur nga virusi, siç janë distance fizike, përdorimi i maskës etj. Lind pyetja: si mund të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe jo regjistrimi. Shtyrja e regjistrimit me ligjin ekzistues nuk sjell problem, por siç duket partitë opozitare maqedonase do ta shfrytëzojnë këtë vakum kohor për ndryshime të mundshme në ligj. Kjo u vërejt në deklarimin e kryetarit të VMRO-së në takimin me kryetarin e LSDM-së, në ditën kur ranë dakord për ta shtyrë regjistrimin. Ai, at ditë,u shpreh se diaspora do të evidentohet dhe nuk do të regjistrohet. Në kanalin televiziv kombëtar Alfa , të datës 8.4.2021 u shpreh se për arritjen e këtij objektivi do të ndryshohet metodologjia e cila na qenka akt nënligjor. Qëndrimet e tilla me të drejtë e shqetësojnë popullin shqiptarë, sepse mbi 80 % e diasporës i takojnë këtij etniteti. Dyshimi për një regjistrim real është aq më i madh kur dihet se shqiptarët nuk kanë përfaqësues të mjaftueshëm në Entin Shtetëror të Statistikës ku bëhet kontrolli i të dhënave.

Regjistrimi i popullsisë, si në çdo vend tjetër të rruzullit,edhe në Maqedoninë e Veriut është një proces politikë, sepse rezultatet e tij ndikojnë në vendimet politike. Në Maqedoninë e Veriut të drejtat e etniteteve kombëtare varen nga numri i popullsisë, dhe jo rastësisht ato janë të interesuar për një regjistrim objektiv.

Edhepse insistimi me ngulm i mos regjistrimit të diasporës është kryesisht i karakterit politikë, (zvogëlimi i numrit real të shqiptarëve) arsyetimi maskohet me aspektin ekonomik. Sipas kryetarit të VMRO-së, regjistrimi i diasporës, do të tkurr PBB për frymë dhe kjo e fundit do të përkeqëson rejtingun kreditor (mundësia për të marr më shumë kredi, norma më të ulëta interesi ej). Sipas tij, diaspora kontribuon vetëm në PBB të vendit ku ka emigruar dhe punon, por jo dhe në PBB e Maqedonisë së Veriut. Meqë ajo nuk kontribuon në prodhimet dhe shërbimet e ekonomisë vendore ndarja e tyre dhe me diasporën tregon potencial ekonomik të zvogëluar i cili ulë mundësinë për huazim publik dhe benifite tjera. Teza se diaspora nuk kontribuon në kapacitetet prodhuese të ekonomisë vendore nuk mbanë. Diaspora vërtet merr pjesë në PBB e shteteve ku ato kanë emigruar dhe punojnë, por ajo, konsumon të mira dhe shërbime vendore madje më shumë se sa ato që nuk kanë emigruar. Të ardhurat e diasporës janë shumëfish më të larta krahasuar me ato të Maqedonisë së Veriut. Në shtetet ku më shumë është koncentruar diaspora shqiptare, në Zvicër, Gjermani dhe Itali raportet e rrogës minimale krahasuar me ato maqedonase janë 13:1, 5:1 respektivisht 4:1. Remitancat e diasporës shqiptare jo vetëm që intensifikojnë zhvillimin ekonomik, por krijojnë dhe stabilitet makroekonomik.

Tezat e mia i mbështes në argumente të cilat i prezantoj si më poshtë:

Së pari: secila familje e diasporës 4 anëtarësh brenda 3- 4 javëve të pushimit verorë dhe ndonjë pushim të shkurtër gjatë vitit (pritja e Vitit të Ri, ndonjë manifestim rasti etj.)konsumon 4.000 deri më 5.000 €.Shumë kjo e përafërt me të ardhurat mesatare vjetore të një familje vendase 4 anëtarësh. Paratë që konsumohen për ushqim, veshje, rekreacion,turizëm, shërbime etj,rrisin konsumin personal i cili në formimin e PBB-së merr pjesë me ¾. Në rritjen e këtij të fundit diaspora shqiptare merr pjesë dhe në mënyrë indirekte duke i ndihmuar anëtarët e familjes, prindërit, të afërmit etj. Sipas një hulumtimi çdo i pesti banor i Maqedonisë së Veriut merr nga diaspora nga 2000 €në vjet, dhe sipas përkatësisë kombëtare më shumë para pranojnë ato të etnitetit shqiptar.

Së dyti: nuk ka familje të diasporës shqiptare që nuk ka ndërtuar së paku nga një shtëpi sipas standardeve europiane me vlerë 150.000 deri më 200.000 €. Janë ndërtuar me mijëra shtëpi dhe janë derdhur miliarda €, infuzion ky shumë i rëndësishëm për ekonominë e brishtë të Maqedonisë së Veriut.

Së treti: dasmat dhe ahengjet familjare të shqiptarëve kapin shuma që banorët vendas as që mund t’i imagjinojnë (15.000 deri në 20.000 €). Në Maqedoninë e Veriut gjatë verës (me përjashtim të vitit të pandemisë) bëhen mijëra dasma dhe derdhen qindra miliona €. Ato mundësojnë që shumë sektor të ekonomisë, siç janë: hotelet, restorantet, marketet, depot e pijeve, industria e mobilieve, sallonet e bukurisë, shërbime tjera përcjellëse etj. të punojnë me kapacitete të plota, dhe të realizojnë të ardhura më shumë se sa në muajt e mbetur të vitit.

Së katërti: gati, çdo anëtar i diasporës ka nga një makinë për të cilën paguan regjistrim për çdo vit.

Së pesti: diaspora në Maqedoninë e Veriut ka pasuri të pa tundshme për të cilat paguan tatim dhe një pjesë e tokës punohet nga të afërmit e tyre duke rrit ofertën për prodhime ushqimore.

Nga ajo që u cek më sipër mund të vërejmë se diaspora ka kontribut të fuqishëm në zhvillimin ekonomik në Maqedoninë e Veriut. Remitancat e diasporës krijojnë dhe stabilitet makroekonomik i cili mund të vërehet si më poshtë:

Diaspora siguron valutë të huaj që sipas agjencisë Fitch është faktor determinues për rejtingun kreditor. Për ekonomitë me aftësi të kufizuara konkurruese në tregun ndërkombëtar, siç është ajo e Maqedonisë së Veriut remitancat janë burim i rëndësishëm i sigurimit të valutës së huaj. Maqedonia e Veriut më shumë importon se sa eksporton të mira dhe shërbime dhe për pasoj shënon deficit në bilancin e pagesave. Në 10 muajt e para të vitit 2020 deficiti i bilancit të pagesave në Maqedoninë e Veriut ishtembi 1.6 miliard $ ose 15% e PBB. Ekonomitë me deficit bilanci të theksuar kanë problem ekonomike,që nuk është rasti me atë maqedonase, sepse këtë vrimë e mbulojnë remitancat. Ato në nivel vjetor sillen në rreth 2 miliard € ose rreth 20% e PBB, dhe janë infuzion tejet domethënës për ekonominë e brisht maqedonase. Ato jo vetëm që zbusin tensionet sociale, ulin nivelin e varfërisë,por dhe mbajnë stabilitet makroekonomik (janë burim i rezervave devizore, stabilizojnë valutën kombëtare, etj.).

Rejtingu kreditor i shtetit mund të rritet dhe duke përmirësuar faktorët tjerë përcaktues, siç është ai i zbutjes së diferencave rajonale duke krijuar kushte të përafërta jetese,pa marr parasysh përkatësin etnike dhe fetare.

Diferencat rajonale mbi baza etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut janë tejet të theksuara. Të dhënat zyrtare flasin se rajonet me popullsi shumicë shqiptare janë më të pazhvilluara krahasuar me ato ku shumicë është popullsia maqedonase. Ashtu p.sh., Rajoni i Pollogut ku pjesa dërmuese e popullsisë është shqiptare, sipas të dhënave zyrtare në vitin 2019 ka pas PBB për frymë më të ulët nga të gjitha rajonet. Ai nuk e arrin as gjysmën e mesatares së vendit dhe është3 herë më i ulët nga Rajoni i Shkupit. Po në këtë vit në këtë Rajon është investuar 378 € për frymë banori, që është 3 herë më i ulët krahasuar me mesataren e vendit (1165 €) dhe mbi 5 herë më e ulët krahasuar me Rajonin e Shkupit (1981 €). Ky Rajon ka dhe norma më të larta të papunësisë (28.5 %) sa dyfishi i Rajonit të Shkupit (14.7 %) dhe mbi mesataren e vendit (17.3%). Diferenca të theksuara në investime publike ekzistojnë dhe në vet Rajonin dhe atë në baza etnike. Viset e banuara me shqiptarë në Shkup dallojnë dukshëm nga pjesa ku popullsia shumicë është maqedonase. Situata është e njëjtë dhe në rajonet e tjera. P.sh, në Rajonin jugperëndimor ku pjesa dërmuese e popullsisë është shqiptare, vetëm Ohri është i zhvilluar, ndërsa Struga, Kërçova, Dibra, si dhe vendbanime tjera shqiptare ngelen jo mjaft të zhvilluara. Ulni diferencat rajonale dhe rritni rejtingun kreditor.

Korrupsioni është një faktor tjetër determinues i rejtingut kreditor. Aferat e shumta korruptive siç janë: privatizimet e kapitalit shtetëror, Shkupi 2014, afera e fundit e 215 pasaportave false të personave me precedenca të rënda kriminale etj., nuk i bën diaspora, por bartësit e pushtetit. Sipas Coruption Perceptions Index në vitin 2020 Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 111 nga 180 shtete e hulumtuara, me nivel më të lartë korruptivë nga të gjitha shtetet e rajonit.

Diaspora shqiptare, anëtarët e familjeve të tyre, shoqëria, farefisi… kanë kontribuar edhe në stabilitetin politik, i cili rrit dhe nuk zvogëlon rejtingun kreditorë. Subjektet politike shqiptare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut, madje dhe Shqipëria me Kosovën, e njohin identitetin dhe shtetin maqedonas, që nuk ndodh me shtetet tjera fqinje.

Nga të dhënat e prezantuara, mund të vërejmë kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës dhe popullit shqiptar në rrjedhat ekonomike dhe politike në Maqedoninë e Veriut, për të cilat shteti maqedonas duhet jetë mirënjohës dhe jo të insistohet në mos regjistrimin e saj. (koha.mk)