Industria e diamanteve po kalon kohë të vështira. Shitjet e gurëve të çmuar, tradicionalë për martesa, janë ngadalësuar, ndërsa brezi i mijëvjeçarit e vonon martesën, dhe diamantet e shtrenjta nuk janë më guri i preferuar, siç ka qenë dikur. Një faktor tjetër është se në treg kanë filluar të hyjnë diamante të krijuar në laboratorë. Diamantet kanë qenë gjithmonë sinonim i dashurisë dhe përkushtimit, por me një çmim të lartë. Ndërkohë në treg kanë filluar të hyjnë diamante të prodhuar në laborator.
“Përbërja kimike është saktësisht e njëjtë. Është një diamant i vërtetë. Kemi krijuar të njëjtin proces që ndodh në natyrë dhe e kemi prodhuar diamantin në laborator”, thotë Kelly Good me kompaninë Grown Diamonds. Vëzhguesit e industrisë thonë se diamantet e krijuar në laboratorë janë identikë me ata që nxirren nga miniera. “Diamantet kanë një përkufizim. Ata kanë një ngurtësi të caktuar. Kanë një strukturë dhe përbërje kimike të caktuar. Në këtë drejtim, diamantet e krijuar në laboratorë janë vërtet të njëjtë me diamantet e nxjerr nga miniera “, thotë specialisti David Weinstein. Ndryshimi i vetëm i vërtetë është se prodhimi i diamantit në laborator kërkon vetëm disa muaj kohë. Inxhinierët marrin diamante nga toka që shërbejnë si farë për të rritur diamante në laborator. Ata i bombardojnë me një burim karboni në temperatura të larta dhe pas disa javësh diamantet rriten si kristale. Procesi natyror kërkon mijëra vite. Në fakt e vetmja mënyrë për të treguar ndryshimin është mungesa e papastërtive në diamantet e krijuara në laborator. “Kam një kristal, një diamant dhe në të shoh një peridot jeshil dhe e kuptoj menjëherë se ky diamant nuk është krijuar në laborator. Pra përmbajtja mund të tregojë shumë për origjinën e materialit. Këtë kërkojnë të veçojnë specialistët tanë”, thotë David Weistein.
Diamantet e krijuar në laboratorë janë bërë sot një industri prej 14 miliardë dollarësh. “Klientët tanë janë brezi i mijëvjeçarit. Të gjithë që fejohen blejnë diamante të krijuar në laborator. Atyre u pëlqen gjithashtu aspekti i mbrojtjes së mjedisit. Ai rritet në laborator, pa lëvizur dheun, pa ndotje mjedisore”, thotë Kelly Good me kompaninë Grown Diamonds. Diamantet sintetikë kushtojnë 30 deri në 40 për qind më pak se diamantet e nxjerr në miniera. Vëzhguesit e tregut thonë se diamantet e rritur në laboratorë janë në rrugën e duhur për të kapur mbi 15 për qind të tregut deri në vitin 2020.