Ftesa e hapur e kryeministrit Zaev për Mickoskin për të arritur një kompromis për Kodin zgjedhor, PSP-në dhe Regjistrimin e popullsisë, për njohësit e zhvillimeve politike në vend – është një tendencë që të bindet opinioni vendor dhe ndërkombëtar se u bë gjithçka që është në fuqinë tonë. Sipas tyre, nëse nuk arrihet kompromisi, hapi radhës do të ishin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. VMRO-DPMNE ftesën e Zaevit e ka quajtur blof politik
Destan JONUZI
Shkup, 15 korrik – Në Parlament është realizuar takimi i parë midis pushtetit dhe opozitës për Regjistrimin e popullsisë. Grupet parlamentare të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së kanë filluar bisedimet rreth tekstit të Ligjit, të cilin Qeveria ia ka dorëzuar Parlamentit që nga muaji i kaluar. Ndërkohë që opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE ashpër kundërshton regjistrimin vetëm me numrin amë të qytetarëve, të cilët për një kohë të gjatë jetojnë jashtë vendit, nga ana tjetër, Qeveria thotë se për dallim nga dështimi për arsye politike të regjistrimit të kaluar, ky regjistrim do të përfshijë të gjithë qytetarët edhe ata që janë jashtë shtetit, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm.
“Të gjitha standardet e parapara nga shërbimet e statistikës dhe EUROSTAT-i do të respektohen. Këtu nuk do të ketë asnjë kompromis. Për personat që jetojnë jashtë vendit, regjistrimi do të jetë pak më specifik, me mundësi për vetregjistrim nëpërmjet një aplikacioni të posaçëm uebi”, thonë nga Qeveria. Paralelisht me dialogun parlamentar, e mundur është që të ketë edhe takim liderësh. Kryeministri Zoran Zaev për një muaj dy herë radhazi publikisht ka deklaruar se me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, është i gatshëm të bisedojnë për tri çështje: regjistrimin e popullsisë, Prokurorinë Speciale dhe Kodin Zgjedhor. Nga VMRO këto deklarata të kryeministrit Zaev i kanë quajtur blof politik. Ndërsa, analistët politik vlerësojnë se qëllimi i negociatave është të bindet opinioni vendor dhe ndërkombëtarë se u bë gjithçka që është në fuqinë tonë, por kompromis nuk u arrit.
“Qëllimi i negociatave është të bindet opinioni vendorë dhe ndërkombëtarë se u bë gjithçka që është në fuqinë tonë, por kompromis nuk u arrit, dhe se tash duhet medoemos të gjejmë zgjidhje me apo pa opozitën. Nuk më duket parimore që për Ligjin për Prokurorinë të negociohet me individë, të cilët janë potencialisht nën hetime apo për të cilët tanimë ka aktakuza konkrete. Sidoqoftë, zbatimi i ligjit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, nuk ka të bëjë aq me kualitetin e normës sa ka të bëjë me mentalitetin e vet zbatuesit dhe të shoqërisë si tërësi. Për Kodin Zgjedhor, mendoj se përskaj deklaratave që vijnë nga partitë më të mëdha se janë për lista të hapura dhe me më pak njësi zgjedhore, megjithatë dyshoj në sinqeritetin e tyre. Kjo, për arsye se akoma nuk kam parë që dikush të merret me menaxhimin e mbetjeve të votave, të cilat sipas Kodit aktual, i shkojnë në konto kryesisht partisë që del e para. Hendikepi më i madh i partive të vogla pastaj është numri i njësive. Për Regjistrimin e popullsisë mendoj se vazhdohet me logjikën kush kujt do t’ia hedh dhe përsëri rrezikojmë që i njëjti të dështojë apo të mos pranohet si i vlefshëm nga të gjitha subjektet, qofshin qytetare apo politike”, deklaron për gazetën KOHA, Faton Aliti, njohës i zhvillimeve politike në vend. Sipas tij, nëse hapi i radhës do të ishin zgjedhjet e parakohshme pasi të mos ketë kompromis, atëherë duhet të jemi të sigurt se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të shtyhen për pas zgjedhjeve, dhe gjithashtu nuk duhet të na befasojë ndonjë koalicion parazgjedhor edhe me parti shqiptare.
Nga ana tjetër, analisti Dame Çkatroski thekson se tani pason një fazë e përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat sipas tij, me gjasë do të ndodhin në qershor apo korrik të vitit të ardhshëm. “Tani më hyjmë në një fazë përgatitore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me gjasë, siç liferojnë nga BDI dhe partnerët tjerë të koalicionit të LSDM-së, zgjedhjet pritet të mbahen në muajin qershor apo korrik të vitit të ardhshëm. Këtu është pazari për PSP-në, Mickoski do të luaj lojën me qëndrimet e forta që të mund të imponojë ndryshime në PSP dhe zgjedhje në qershor. Para se gjithash, dialogu çon në drejtim të një Qeverie të zgjeruar, të formatit të asaj të Përzhinës deri në zgjedhjet e ardhshme. Me sa duket, matematika është muaji shkurt për një Qeveri të tillë dhe tre muaji shtesë për zgjedhje. Kodi i ri zgjedhor është në fund të prioriteteve të bisedimeve”, vlerëson Çkatroski.
Përndryshe, në vend nuk ka pasur Regjistrim të popullsisë 17 vite më parë. Regjistrimi që planifikohet të realizohet në prill të vitit 2020 duhet ta realizojë Enti Shtetëror i Statistikës si bartës i autorizuar i hulumtimeve. Metodologjia do të jetë e kombinuar: intervista dhe krahasim të dhënave të tyre me më shumë institucione shtetërore. Pas test-regjistrimit në 13 komuna muajin e kaluar, në vazhdë është avancimi i sistemit të regjistrimit dhe trajnimi i 5000 regjistruesve (anketuesve). Miratimi i ligjit është i domosdoshëm për përgatitjet e mëtejme të procesit të Regjistrimit të popullsisë. Lidhur me Kodin zgjedhor, kohë më parë edhe presidenti Stevo Pendarovski doli në mbështetje të ndryshimeve dhe modelit me lista të hapura dhe zvogëlimin e njësive zgjedhore. Ndërsa për fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), ka dallime të mëdha mes pushtetit dhe opozitës maqedonase, sidomos mbi ingerencat e saj që duhet ti ketë në kuadër të Prokurorisë Themelore Publike. (koha.mk)