Dialogu Kosovë-Serbi, Petkoviç: Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, zgjidhja e vetme

45

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shihet si një ndër zgjidhjet e vetme nga autoritetet serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, një ditë para takimit në Bruksel ka deklaruar se nuk ka progres në dialogun me Kosovën pa zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas mediave serbe, Petkoviç është shprehur se Beogradi do të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me Prishtinën në Bruksel e në veçanti në krijimin e asociacionit, pasi që sipas tij, themelimi i asociacionit është vonuar për një vit e gjysmë.

“Pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me të gjitha kompetencat që i përkasin në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, nuk ka mundësi për përparim të rëndësishëm në rrjedhën e mëtejshme të dialogut”, është shprehur ai.

Petkoviç ndër të tjera theksoi se, pavarësisht gjithave, Beogradi vazhdimisht është i përkushtuar për dialog, si mënyra e vetme e mundshme e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe krijimit të parakushteve për rritjen ekonomike dhe stabilizimin e qëndrueshëm të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Theksojmë se gjatë së enjtes, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen në Bruksel pas disa muajsh.

Takimi mes përfaqësuesve të dy vendeve, vjen pas vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili gjatë këtij muaji takoi në Prishtinë dhe Beograd përfaqësuesit shtetëror dhe politik ku qëllimi i vetëm i kësaj vizite ishte gjetja e zgjidhjes për vazhdimin e dialogut.