Angel Di Maria ka qenë një nga ata lojtar që u largua nga Mançester Junajtid si i dështuar. Në verën e 2014-ës ai lëvizi nga Reali te Junajtidi si një ndër blerjet më të bujshme të viteve të fundit për anglezët.
Çdo gjë nisi shumë mirë për të në Angli, por më pas erdhi një zënkë me trajnerin e aso kohe Luis Van Gal dhe çdo gjë mori për keq. Në një prononcim të argjentinasit për “ESPN”, u rrëfye çdo gjë mbi këtë ngjarje dhe largimin e tij nga “Old Trafford”.
Ky prononcim erdhi si pasojë e një festimi të çmednur në këtë stadium kur PSG fitoi në Ligën e Kampionëve para një jave.
“Aventura ime nisi shumë mirë aty, në dy muajt e parë gjërat po shkonin mbarë. Më pas ndodhi një grindje me trajnerin dhe aty gjërat ndryshuan. Grindja me Van Galin erdhi pasi ai merrej me gabimet e mia në çdo ndeshje dhe me qortonte para të gjithëve”.
“Kapej për çdo top të humbur. Gjithmonë kapej pas atij topi të mallkuar që unë humbisja. Një ditë e ndjeja që po luaja mirë. Nuk durova më dhe shpërtheva. I thashë që gjërat nuk janë ashtu siç i thua ti. Kjo gjë nuk i pëlqeu atij dhe nisën problemet”, ka thënë Di Maria.