Driton ZENKU
Gostivar, 25 janar – Përparimi i shkencave medicinale dhe teknologjike, bëri të mundshëm transplantimin e organeve prej një organizmi në tjetrin, shkruan gazeta KOHA. Por, kjo dukuri ende vazhdon të mbetet një tabu për shoqërinë tonë. Duke u nisur nga ky fakt, organizata humanitare e Kryqit të Kuq në Gostivar, inicio projektin sensibilizues “Dhuro një organ, dhuro një jetë”, me qëllim për të ndikuar te opinioni publik përmes debateve dhe tribunave të hapura për nevojën e dhurimit të organeve si një proces ligjor dhe mbi të gjitha human.
”Projekti ka synim rritjen e vetëdijes së shoqërisë për dhurimin e organeve. Aktualisht kjo çështje është një tabu temë në mesin e shoqërisë sonë. Kryqi i Kuq bën hapa të vogla për të kapërcyer pengesat që lidhen me vetëdijen e njerëzve. Besojmë që në të ardhmen do të kemi njerëz të gatshëm për të dhuruar një organ nga vetja për të shpëtuar një jetë njeriu”, shprehet Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Në katër dekadat e fundit në Maqedoni janë bërë 366 transplantime të veshkave nga donatorë të gjallë, edhe pse kërkesat janë të vazhdueshme dhe shumë më të mëdha. Mjekët ndajnë bindjen që fillimisht duhet të punohet shumë për të sensibilizuar opinionin në këtë drejtim, duke insistuar që përmes debateve të karakterit publik të hiqen paragjykimet për këtë veprim human që mund ta bëjë çdo kush nga ne. Mjeku Besnik Zeqiri, thotë për KOHA se kjo çështje në Maqedoni është e rregulluar ligjërisht, por që zbatimi në praktik kërkon përkushtim më të madh.
“Maqedonia ka një ligj të miratuar dhe që ka pësuar tre herë ndryshime. E fundit është e vitit 2015 ku parashikohet që çdo banor i Republikës së Maqedonisë mund të dhuron organe trupore. Por realisht nuk është punuar në këtë drejtim, dhe për këtë shkak e kemi këtë gjendje. Do të ishte mirë që të punohet më tepër në sensibilizimin e opinionit publik”, thotë mjeku i përgjithshëm Zeqiri, i cili vë në dukje që në rajonin e gjerë të Gostivarit ka pasur vetëm transplantim të veshkave.
“Edhe pse ka nevojë për transplantim të shumë organeve trupore, bie fjala transplantimi i lëkurës, mëlçisë, korneve të syrit, palca apo zemra, në Maqedoni përfshi edhe rajonin e Gostivarit praktike është vetëm transplantimi i veshkave”, shton ai.
Kur flitet për sëmundjen e veshkave, mjeku internist Dimitria Jovçevski tregon se në rajonin e Gostivarit rreth 55 persona aktualisht janë në dializë, 30 pacientë janë në gjendje para dialize si dhe mbi 10 kanë bërë transplant të veshkave në mënyrë të suksesshme. Sipas tij, shumë i madh është numri i atyre që trajtohen për probleme më të vogla në mjekësinë primare. Ai thotë se janë disa sëmundje të tjera të cilat iniciojnë paraqitjen e sëmundjes së veshkave, siç është diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut, sëmundja e prostatës. Transplantimi është çështje imanente medicinale, por patjetër të jetë e sistemuar edhe sipas normave juridike. Një pjesë të ndikimit luan edhe aspekti fetar që ngjallë dilemën nëse lejohet apo jo dhurimi i organeve trupore tek besimtari. Ndër dijetarët Islam ka dy qëndrime rreth kësaj çështje. Të parët ndajnë bindjen që transplantimi i organeve trupore nuk lejohet dhe të tjerët shprehen që çdo gjest që shpëton jetën e një njeriu është e pranueshme para krijuesit të gjithësisë, me çka lejohet të kuptohet që organet trupore mund edhe të dhurohen por me përjashtim të disa organeve trupore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.