Të lexosh thellësisht lidershipin dhe garën, është njësoj sikur të mbjellësh farën në tokë e të miklosh rritën e saj! E për këtë nevojitet durim, respekt dhe maturi. Më vonë e pas shumë vitesh, kur njeriu prek mençurinë thellë në vete, edhe mund të garojë për të udhëhequr. Në të kundërtën, çdo gjë është dhunë, intrigë , komplot, relativizim, nihilizëm, papërgjegjësi, kapadaillëk, kapërcim dhe prandaj – gjak!
Nga Adelina MARKU
Sigurisht që edhe ti lexus i/e nderum/e do dakordohesh me gjykimin tim se partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk i ngjajnë vetes më. Ajo çka nuk mundem më të lexoj tek to është ideja, freskia, inovacioni, inisjativa, modernizmi, hapja…takimi e prekja empatike me votuesin! Ajo çka unë vazhdimisht shoh në to është një garë për poste brendapartiake! Copa u banë, thu ti i ka pjell nana kryetar degësh ( vaaap ! Ha kryetar dege, mashallah! Nesër garant ministër , drejtor …) , e haberin nuk ia kanë lidershipit, njerzillëkut, kulturës esnafe për tjetrin me e vlerësu mjaftushëm e me ndihmu tansinë! Ndojnjani nga to edhe hoxhë biles. Gjykojnë: ka mexhlis, sjell votë! Edhe hoxhë edhe kryetar dege! Ke pa ti kështu!? Has në shkrime statusesh e programesh partiake identike, një pompozitet tip tejshpresë për zgjedhje të reja dhe megallomani për hov të tipit: “mule se do fitoj “, hyrje-dalje nga kualicionet e përsëri një grumbullim me popullin për me sqaru fillimisht pse hyjn e mbasandej pse dalin nga qeveria, nga një pres konferencë tek tuk, me lexime telegrafike kumtesash ose me emocionalizma që shkaktojnë qimengritje hë për hë. Ditët, vitet e dekadat ikin e rreshten në harresë, katundet shprazen, toka mbetet e papunuar, qyteteve iu ndërrohen demografitë nga hakarretja e ikjes së shqiptarëve nga vendet e trashëgume me shekuj, …votues sa vjen e më pak ndërsa parti shqiptare sa vjen e më shumë! E gjitha kjo llakërdi është si pasojë e ikjes nga vetja! E çka është kjo, po hamendesh ti?
Me ik nga vetja është me ik nga mbrothia!
Aq të shpeshta janë bërë këto ngarrendje brendapartish saqë interesimi për angazhim partiak ka rrenë në nivel akutisht të rëndomtë për një njeri që njimend e ka me ndihmu tjetrin …sepse, parë esnafisht, partitë bahen për me i ndihmu idesë dhe njeriut me u mëkëmbë! Po po, nuk e kishe ditur ti se përsë bëhen partitë!? T’a sqarova, është e thjeshtë, bahen me ndihmu idesë e njeriut që i sfidon kohës me kreativitet por edhe atij që nuk ia ka nxan fati i mirë në jetë! Në parti njeriu anëtarësohet me i ndihmu të mirës së përgjithshme pa dallim, me i kriju asaj rrjetëzim dhe armaturë më të hekurt, me solidarizu intelektualizmën që përmban me atë të tjetrit, me u ndërvarë bindshëm n’komunikim të brendshëm, me BESU, me ndigu halle e derte e me gjet mënyrë qysh me i ndreqë punët e hakarretuna mbrapsht. …Partitë bëhen për me drejtu institucionet e shtetit e mbasnej për me kriju tjera e ma të mira, bahen për me i shtu ide ekonomisë për ma mirë e me hap vende të reja pune konkurente jo parazitësh, bahen për me dhan kontribut në shoqni, për me i ndihmu fëmijëve me kuptu demokracinë si proces e jo si gjellë t’gatume , për me ja mësu mësimin se trimi i mirë bën me shokë shumë e se autoritetin e Prisjit t’a bëjnë të mirët e jo qyrravecët, polltronët e rrugaçët, kriminogjenët! Dhe kjo letargji partiake , sindromi konformist po e quaj, përsëritet në cikle e në vazhdimësi e për më keq, cilësia e njerëzve që udhëheqin strukturat partiake është pothujase e paidejshme , aspak frymëzuse, anemike, për më shumë është e tillë që autoritetin e gëzon përmes asaj se sa frikë e intrigë mund të fusë damarëve degëve të partisë ! Thu ti janë krejt Rambo dhe Rasputina! Nevoja për të shndëruar dhunën në garrë për lidership flet se këta djem (e vajza shumë rrallë , ose aspak! Kryetare dege partish nuk ka ndër parti shqipatre! E kuptove?) o kanë përjetuar trauma të rrënda në jetë e nuk i kanë tejkaluar, o janë shpërthyer në fuqi traume të re e testosteronike vetëm kur ia ka mshu shpine lideri ,Ai i Madhi, tuj i than : “Je ma i miri, i ke tut i ke myt! – për me shtu mbasandej- ta pata pas thanë , shqiptari veç tutën e njeh!”….
(Me hesap del se ky Lideri i Madh është Mbret i Friknxitësve e jo i liridashësve libertarian !)
“Hihihiiihiiiii”- një zgërdhimje e jep mbasnej, e tjerët thu ti shlirohen nga zgërdhirja e Liderit të Madh! Huxhum, zgërdhihen rrend edhe ata, si orkestër!
Në të dyja variantet e traumave , ekuacioni tregon për primitivizëm dhe organizime inerte, madje aq inerte sa mobilizim grryejnë vetëm nëpër cikle zgjedhore! E në kanë mbetur në këtë nivel partitë tona shqipatre , nuk dij se çka mund të presim prej tyre më ?! Ose, prandaj s’presim gjë prej tyne ma!
Doemos që lajmi mbi kacafytjen n’parti të tipit “kush’i’pari’bani” i paradoditëve, mes burrave që u vranë e u therrën ishte lajm tronditës! Pyetja ime e parë ishte: a kanë lanë fëmijë pas? E dyta, ç’të vërtetë i kanë thanë fëmijës për babën e vrarë !? Traumë familjare! Mort !
E vërteta flet se votuesi shqiptar paraqet një numër madhor që kryesisht meret me tokën e me agrikuluturën, kurbetin! Vonë i kyçun në institucione! Në esencë , njeriu që punon tokën pritet që nga ajo të thith paqën dhe dëshirën për të kriju mbarësi e pjellni ma të madhe për familjen! Për më shumë, njeriu që rrit veten përmes tokës, në esencë ëshë bujar dhe me durim rreptësisht të dukshëm e deri në spikamë! Stërgjyshërit e mij kanë begatuar veten përmes kësaj ndjesie e bujarie e tuj vizionu për fëmijët, kanë pas për qëllim majat intelektuale për ta. Sado nga prespektiva e bujkut , ata kanë shkolluar fëmijët e tyre dhe kanë ndriçuar rrethin me mendjeartët e gjeneratave të reja! Kështu kanë liberalizu rrethin dhe atdheun, ngadal’ ngadal’, si fara e mbjellun me kujdes e përrulje Diellit! Besa, nuk është DHUNË e syrgjynosje të mbrohesh nga një sistem diskriminues që ka për synim të të rrjepë këto cilësi fisnike (shqiptari është mbrojtur tek ia kanë dhunuar fisnikërinë!) , DHUNË e vetësyrgjynim është kjo e sodit kur i riu/e reja tenton të ikë nga kjo origjinë e kujtesë e trashëguar nga të parët e të synojë qëllim për të cilin nuk din t’a lexojë mjaftueshëm! Të lexosh thellësisht lidershipin dhe garën, është njësoj sikur të mbjellësh farën në tokë e të miklosh rritën e saj! E për këtë nevojitet durim, respekt dhe maturi. Më vonë e pas shumë vitesh, kur njeriu prek mençurinë thellë në vete, edhe mund të garojë për të udhëhequr. Në të kundërtën, çdo gjë është dhunë, intrigë , komplot, relativizim, nihilizëm, papërgjegjësi, kapadaillëk, kapërcim dhe prandaj – gjak!
(Mos pyet më gjatë , ndodhi gjaku në Reçicë t’Tetovës para do ditëve ! Mbuloje me dhe’ , hesht, mbaje turpin, fut bishtin ndër kamb dhe mëso mësimin! Ti lexues/e i/e nderum/e, mos u turpno për çka ndodhi, përkundrazi thuj vetit: sa mirë që s’jam me ta! Zgjodha ndrysh’! )
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)