Të rinjtë kanë akses të madh në rrjet, kuriozitetet por edhe informacionet i marrin të pa shpjeguara mirë dhe duke qenë se edhe janë të bombarduar me pamje dhe imazhe të forta erotike që nga këngët e deri tek filmat, krijohen iluzione të gabuara për femrën, për mashkullin, për rolin e tyre në marrëdhënie, por edhe për pranimin e të nënshtruarit sidomos të femrës si normalitet. Prandaj roli i edukimit është tejet i nevojshëm, por aq shumë i munguar dhe aq shumë i paragjykuar
Nga Nazim RASHIDI
Në një drekë mes miqsh, siç t’i sjell vera, që janë të dashur, por që s’i takon shpesh sepse jetojnë gjetiu, u hapën disa diskutime. Të gjitha kishin të bënin me prindërimin dhe si duhej reaguar në kohë moderne dhe çfarë qasjesh duhej tu jepen fëmijëve për fenomenet e kohës. Biseda filloi sepse një nga miqtë tanë ishte bërë vegjetarian. Arsyeja ishin fëmijët. Frika e tij e të ushqyerit keq dhe sidomos futja në organizëm e hormoneve nëpërmjet mishit, apo edhe mënyra e trajtimit të kafshëve nga aspekti etik, e kishin detyruar shokun tonë të marrë një vendim të tillë. Për mua vendim për respekt sepse të jesh i rrethuar, sidomos tek ne në Ballkan, me mishin që është oferta kryesore, madje që konsiderohet edhe vakt luksoz dhe të tentosh të mos biesh pre e tundimeve e sidomos të edukosh dhe fëmijët me këtë frymë, është e rrallë.
Por biseda nuk u përqendrua aq shumë tek ky fakt, se sa tek fjala “tundim” dhe “prindërim”. Sepse fëmijët, e jo vetëm, duke rënë pre e tundimit pastaj mbase shkelin parimet e prindërve, sidomos ato të moshës adoleshente që rebelimin e kanë normalitet. Dhe arsyeja e përcjelljes së kësaj bisede qëndron tek qëndrimet që do i shpalos më poshtë.
Shumica jonë kishin fëmijë adoleshentë dhe që i afroheshin kësaj moshe. Prindi vegjetarian tha se pavarësisht se çfarë ju them unë gjithçka verifikohej ose kontrollohej nga fëmijët në internet. Ky moment hodhi në debat aksesin e informacionit që kanë të rinjtë dhe se shpesh sa i pa kontrollueshëm është nga ne si prindër informacionet që marrin. Pa diskutim shqetësimi i parë që del është seksi dhe dhuna. Shumëçka me çka përballen të rinjtë që nga këngët që dëgjojnë, videot e këngëve, idhujt që kanë e deri tek informacionet që marrin kanë të bëjnë me seks, erotikë dhe dhunë. Por çështja është se sa flasim ne me fëmijët tanë për këto fenomene?
Pavarësisht si e artikuluam një shqetësim i madh është shfaqja e femrës si objekt. Kryesisht si objekt seksi e erotike, pra ku prezantohet vetëm e objektivizuar dhe një gjë e tillë perceptohet si normale si nga djemtë ashtu dhe vajzat.
Por asnjë prind, ku bëj pjesë dhe unë, që ka vajza nuk do deshte që fëmijët e tyre të trajtohen në formë të tillë. Por as edhe një prind nuk edukon djemtë për rëndësinë se si duhen trajtuar vajzat dhe si të respektojnë njëri-tjetrin në raportet që ndërtojnë. Por këtu futemi në zonën e debatit ku moralizuesit bëjnë thirrje për restrikcione që sot duket e pamundur gati dhe e pa pranueshme, sepse është vërtetuar pafund se restrikcionet sjellin vetëm represion të ndjenjave, që kur shpërthejnë sjellin edhe më shumë dëm. Por paralelisht shtrohet çështja se si duhet qasur kësaj çështjeje? Nuk është aq e “lehtë” si të sqarosh pse je bërë vegjetarian, por përsëri shumë e rëndësishme për ta heshtur. Si veprohet kur nuk je as pjesë e konservatorëve dhe nga ana tjetër duket e vështirë të flasësh për tema të tilla? Këtë “lehtësi” komunikimi do të duhej ta sillte shkolla dhe edukimi. Por as shkollat tona dhe mësuesit e arsimtarët nuk e bëjnë.
Atëherë çfarë ndodh? Duke qenë se kanë akses të madh në rrjet, kuriozitetet por edhe informacionet i marrin të pa shpjeguara mirë dhe duke qenë se edhe janë të bombarduar me pamje dhe imazhe të forta erotike që nga këngët e deri tek filmat, krijohen iluzione të gabuara për femrën, për mashkullin, për rolin e tyre në marrëdhënie, por edhe për pranimin e të nënshtruarit sidomos të femrës.
Këtu të gjithë ramë dakord se roli i edukimit është tejet i nevojshëm, por aq shumë i munguar dhe aq shumë i paragjykuar. Dhe duke bërë këtë bisedë, buzë një plazhi, na doli para një politikan që me krenari përshkruhet si konservator, i cili kishte ardhur në vendin e “lakuriqësisë”, sigurisht pa gruan dhe hidhte shikime tek gratë e tjera. Në fakt ky dhe tipat si ky janë burimi i atij dualizmit apo dhe krijimit fals të sjelljes sidomos në publik, që për hir të ndonjë morali apo konservatorizmi paragjykojnë dhe përhapin ndjesi negative për edukimin e të rinjve, e vetë shkelin parimet e veta. Nuk dua të hy në insinuata se çfarë kërkon ai në plazhe ku trupat janë thuajse të zhveshur? Apo as për t’ia mohuar të drejtën e freskisë të trupit e të mendjes, por në këtë rast e përmend se kontribuon në idenë e trajtimit jo të njëjtë të mashkullit dhe femrës. As që më bie në mend që të kundërshtoj parimet e jetës së dikujt, përkundrazi, mendoj se të gjithë duhet të jetojnë në lirinë e tyre, por çështja në këtë rast është se raportet duhen parë me një sy më të hapur. Tipat si ai kundërshtojnë edhe edukimin për temat e tilla ndërkohë edukimi s’mund të jetë i dëmshëm. Në fakt një informim i duhur nga profesionistë shkon në favor të të gjithëve, pavarësisht se me çfarë parime jetojnë.
Temat e objektivizimit të femrës, trajtimi i saj, shpjegimi i roleve të çiftit në marrëdhënie, përveç se edukon në masë të madhe eviton dhe dhunën. Dhe dhuna e tmerrshme në familje, sidomos këta konservatorët që e kanë tejet të rëndësishme, është e tmerrshme. Prandaj duken kontraverse sjelljet e këtyre tipave, e mbrojnë familjen tradicionale, ndërkohë në familje ndodh aq dhunë, për trajtuar këtë fenomen një mënyrë është edukimi, e këta janë kundër!!! Pse? Sepse përmenden marrëdhënie seksuale? Kjo s’qenka e moralshme demek. Po evitimi i dhunimit, shmangia e rritjes së fëmijëve pa dhunë, edukimi për raportet, a nuk është e moralshme?
Nuk duhet jemi mohues të një realiteti të hidhur që na rrethon dhe do përmend veç dy raste që i hasa për sa kohë po shkruaja këtë tekst.
Ngjarja e parë ka të bëjë me një person që ka mbajtur peng disa ditë një grua të martuar. Madje nënë e dy fëmijëve. Dhunuesi ka detyruar gruan të bëjë marrëdhënie seksuale me dhunë. Po, po, seks dhe dhunë. Rasti tjetër ka të bëjë me një grua, e cila jeton në frikë me vite sepse ish partneri, polic, edhe pse e ka dhunuar nuk dënohet nga gjykata. Kërcënimet dhe dhuna edhe pse e dokumentuar sërish masat s’kanë qenë të duhura dhe kjo grua dhe familja e saj jeton në frikë.
Këto janë raste dramatike, por shifrat thonë se dhuna në familje apo dhuna seksuale sidomos ndaj vajzave dhe grave është e madhe. Një faktor kontribuues për këtë është mos folja hapur dhe sidomos mungesa e edukimit. Prandaj ne s’mund ta bëjmë rolin e strucit, në kohën e sotme ku shoqëria dhe sidomos të rinjtë që shohin e përballen me këtë realitet e nuk marrin shpjegime siç duhet.
Për mua zgjidhja është edukimi. Gjithë prindërit në tavolinë ranë dakord se mbase biseda me e lirë me fëmijët do të duhej të ndihmonte, por ky lloj komunikimi nuk ishte aq i lehtë. Me gjasë edukimi në shkolla, tekstet profesioniste, mund ta lehtësojnë këtë komunikim që do ishte në të mirë të tyre, por dhe shoqërisë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)