Evis HALILI
Shkup, 26 prill – Dhuna e bazuar në përkatësinë gjinore, është një prej përkufizimeve që nuk figuron në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës në familje. Dhe si e tillë, konsiderohet si një prej fenomeneve që më së pakti denoncohet, apo sanksionohet, shkruan gazeta KOHA. Kjo është arsyeja që Bashkimi Evropian do të fillojë realizimin e një projekti në Maqedoni dhe vendet e rajonit “Parandalimin i dhunës ndaj grave të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë: Zbatimi i normave, ndryshimi i perceptimeve”. Gjatë dy viteve në vazhdim me këtë program synohet që të nxitet Qeveria për të miratuar një ligj për parandalim e dhunës ndaj grave dhe sipas drejtuesit të sektorit për bashkëpunim pranë delegacioni të BE, Nikolla Bertolini, një gjë e tillë pritet të ndodhë së shpejti. Në fjalën e tij, Bertolini, ka vënë në dukje numrin e vogël të strehimoreve për viktimat e dhunës, gjithsej katër, mangësitë në funksionimin e mekanizmave të mbrojtjes juridike nga diskriminimi, ndërsa as Avokati i Popullit dhe trupat e tjerë nuk mbajnë procesverbale për ankesat që lidhen me diskriminimin gjinor.
“Ekziston mungesë e përgjithshme e vullnetit politik për trajtim të këtyre stereotipave… BE dëshiron që ta financojë këtë projekt me të cilin zëri i grave do të jetë më i fuqishëm, do të ndërtohen kapacitetet e organizatave nga shoqëria civile, të cilat janë aktive në luftën për të drejtat e grave”, ka thënë ndër të tjera Bertolini. Tejkalimi i kornizës së dhunës familjare dhe të gjitha formave të tjera të diskriminimit mbi gratë, është një prej qëllimeve kryesore të projektit, ka sqaruar koordinatorja e përhershme e KB-së, Luiza Viton.
“Duhet t’i kushtohet vëmendje shkaktarëve, duke i përfshirë edhe normat shoqërore, stereotipat dhe shkaqet tradicionale, të cilat sjellin deri tek dhuna ndaj grave. Në përgjithësi klima globale duhet të ndryshojë, pasi të drejtat e grave janë edhe të drejta të njeriut”, ka thënë Viton. Gjatë periudhës që do të zgjasë projekti bashkëpunimi do të orientohet tek gratë dhe Parlamenti, për të ndryshuar rregullativën ligjore e cila duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, konventat e OKB-së dhe direktivat që rrjedhin nga konventa e Stambollit. Vitin e kaluar partitë politike nënshkruan një dokument me të cilin u zotuan se do të ratifikojnë Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe mbrojtjen nga të gjitha llojet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, e njohur si Konventa e Stambollit.
“Për herë të parë po prezantohet përkufizimi për dhunën sipas përkatësisë gjinore, i cili për fat të keq nuk gjendet në Ligj dhe ky program rajonal e shoh si një sfidë për të detektuar dhe zbatuar masat dhe aktivitetet që do të jenë në përputhje me politikat nacionale. Duhet që të përmirësohet qasja ndaj barazisë gjinore të parandalohet diskriminimi dhe të eliminohen stereotipat, që janë të definuara si qëllim strategjik në Strategjinë nacionale për barazinë gjinore 2013-2020”, u shpreh sekretarja shtetërore për shanse të barabarta në Ministrinë e punës dhe Politikës Sociale, Elena Grozdanova. Aktivistet e të drejtave gjinore dhe organizata që punojnë në këtë sferë edhe pas ndryshimeve ligjore të bëra që nga viti 2012 vazhdimisht janë shprehur skeptike për zbatimin e tyre, duke vënë në dukje se mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të dhunës nuk funksionojnë si duhet. Sipas statistikave supozohet se një në pesë gra është viktimë e dhunës fizike apo psikike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara