Raportet policore flasin se vitin e kaluar janë regjistruar 1239 vepra penale të kryera nga persona të mitur. Ndërsa, sociologët thonë se dhuna midis të rinjve reflekton gjendjen e një shoqërie
Destan JONUZI
Shkup, 4 shtator – Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për vitin e kaluar, 1239 vepra penale janë kryer nga fëmijë, gjegjësisht persona të mitur, ndërsa në vitin 2017 janë regjistruar 1584 vepra penale. Motivet në të shumtën e rasteve bazohen, në zënka për të dashurat e tyre, mos pajtime etnike dhe në disa raste edhe për përkatësi politike. Dhuna midis të rinjve e reflekton gjendjen e një shoqërie, thotë për KOHA, sociologu Lulzim Murtezani.
“Dhuna te të rinjtë është një fenomen, i cili kohëve të fundit shqetëson të gjithë. Dhuna në fakt është reflektim, pasqyrim edhe i asaj që është brenda një personaliteti. Ka disa personalitete që janë shumë impulsiv të pa kontrolluar, dhe për gjëra që janë banale ato për njëherë mund të humbin kontrollin, mund të shkrepin me armë, mund të sulmojnë etj. Një faktorë tjetër shumë i rëndësishëm është edhe ambienti, kriza, papunësia, manipulimet politike, gjuha e urrejtjes në shoqëri, lojërat në internet etj. Janë një sërë faktorësh të cilët më në fund rezultojnë me sjellje të pakontrolluar dhe agresivitet. Të miturit duke pasur parasysh se nuk japin llogari për veprat e tyre, janë të pritur të jenë të pakontrollueshëm, agresiv ndaj shokëve etj”, shprehet Murtezani.
Murtezani, po ashtu potencon se edhe mediat sociale kanë një rolë të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve të cilët për orë të tëra qëndrojnë para ekraneve televizive dhe kompjuterëve si pjesë e botës virtuale, jashtë realitetit. Rrjetet sociale kanë ndikim në sjelljet e të rinjve, ndërsa në të shumtën e rasteve e marrin edhe rolin e edukimit në ndërtimin e personalitetit të të rinjve.
“Interneti tejkalon kufirin imagjinar të rrjetit social në raport me jetën reale. Çështja e dhunës ka të bëjë me shumë rrethana të cilët e bëjnë një person të elektrizuar. Mund të vjen në shprehje që një i ri mund të jetë i flustruar, mund të jetë pa shpresë, mund të jetë i mërzitur, mund të jetë me vetëbesim të dobët, në këtë gjendje shpirtërore ai mund të reflektojë në mënyra të ndryshme. Dashuria, xhelozia janë disa nga motivet që e bëjnë një njëri të dhunshëm. Kur kemi të bëjmë me probleme të dashurisë, çështje të pazgjedhura etj., këtu janë në pyetje disa instikte të fuqishme që shumë lehtë e godasin drejtpeshimin e një të riu”, thekson Murtezani.
Ai nënvizon se në raste kur janë pyetje motivet e dashurisë dhe ato patriotike, kemi të bëjmë me sentimentet dhe kur preket sentimenti i njeriut për diçka shpirtërore, në ato momente shanset janë të mëdha që të ai të shpërthej.
Problemi i dhunës mes të rinjve është shumë i ndërlikuar, por asnjëherë nuk mund të vërtetohet se pse një veprim i tillë është shumë popullor mes tyre. Arsyet megjithatë janë të ndryshme, nga sistemi i brishtë arsimor, kujdesi i pamjaftueshëm i familjes dhe shoqërisë etj.
Sipas tij, për agresivitetin e të miturve fajtorë kryesor është mosndëshkimi, si dhe deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve dhe fytyrave publike. Sipas raportit të fundit të Komitetit të Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga fillimi i këtij viti e deri më tani kanë ndodhur qindra incidente nga urrejtja, nga të cilët më shumë se gjysma, gjegjësisht 65 për qind kanë ndodhur mes të rinjve. Statistika e Raportit të Komitetit të Helsinkit thotë se shumica e viktimave dhe kryerësve të kësaj vepre janë të rinj.
“Aktet e urrejtjes nuk ndodhin në një periudhë vakum, ato janë manifestim i dhunshëm i paragjykimeve të cilat më vonë reflektohen në bashkësinë më të gjerë. Për shkak të kësaj, është e patjetërsueshme që të përforcohen masat preventive, midis tjerash, me marrjen e masave për edukim të opinionit për rëndësinë e diversitetit kulturor dhe përfshirjes, me fokus te fëmijët dhe të rinjtë”, thonë nga Komiteti Helsinkit. Në vitin 2018 Komiteti Helsinkit ka regjistruar 130 incidente nga të cilat më shumë se gjysma kanë ndodhur ne Shkup. (koha.mk)