Shkup, 1 dhjetor – Në tetë vitet e fundit numri i krimeve të kryera nga të miturit shënon rënie të madhe, edhe atë në 44 për qind, tregojnë të dhënat më të reja nga Enti Shtetëror i Statistikave. Sipas tyre, kohëve të fundit ka më pak probleme dhe më pak kallëzime penale nga të miturit në shkallë vendi. Numri më i madh i veprave penale të kryera nga të miturit në tetë vitet e fundit është regjistruar në Kumanovë, e ndjekur nga Qendra, Gazi Baba, Kisella Voda dhe Manastiri. Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën prej vitit 2007 e deri në vitin 2009, kishte një rritje prej 19 për qind të krimeve të kryera nga të miturit. Nga 1229 raste në vitin 2007, në vitin 2009 shifrat u rritën në 1518 raste. Megjithatë, rënie të madhe në krimet e regjistruara ka në periudhën nga viti 2009 deri në vitin 2015, edhe atë nga 1518, në 684 raste, ose më saktë rënie prej 55 për qind. “Në periudhën prej vitit 2007 e deri në vitin 2015 janë të regjistruar një total prej 10.196 krimeve të kryera nga të miturit. Këto përfshijnë krimet kundër jetës dhe trupit, krime kundër lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, krime kundër lirisë seksuale dhe moralit, krimet kundër financave publike, qarkullimit pagesor dhe ekonomisë, krimet kundër pronës, krime kundër sigurisë në transportin publik, krime kundër sigurisë së marrëdhënieve juridike, veprat penale kundër rendit publik dhe krimet tjera”, thuhet në të dhënat e Entit shtetëror për statistikë. Siç thuhet në raport, shumica e rasteve të raportuara (75 për qind) janë vepra të të miturve sa i përket pronës, ndërsa 7 për qind e veprave nga numri i përgjithshëm i takojnë veprave penale që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës dhe kundër rendit publik… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.