Shkup, 22 dhjetor – Drejtoria për të Hyra Publike dhe Qyteti i Shkupit muajve të fundit janë lëshuar në gjah për të siguruar para të gatshme për të mbushur arkat e tyre, duke ua bllokuar qytetarëve llogaritë e tyre bankare për shkak të mos pagesës së taksës radiodifuzive dhe tatimit vjetor të shtëpive, shkruan gazeta KOHA. Drejtoria për të hyra publike ditë më parë bëri publik se në fund të muajit shtator ua ka bllokuar xhirollogaritë mbi 85 mijë qytetarëve dhe në mënyrë të detyrueshme u ka tërhequr të gjitha paratë nga llogaria transakcionale. Qytetarët të cilët nga bankat u informuan se kanë xhiro-llogari të bllokuara nga ana e DHP-së, të revoltuar thonë se këto vendime janë të padrejta, pasi që u bllokohet llogaria pa u informuar paraprakisht, ndërsa më pas duhet të paguajnë para shtesë për të zhbllokuar llogarinë e tyre bankare. Zoran Bilbilovski, këshilltar shtetëror pranë Avokatit të Popullit, thotë për KOHA se në përgjithësi bllokimi i llogarive transakcionle të qytetarëve është në pajtim me ligjin, mirëpo mënyra se si ata i detyrojnë qytetarët të bëjnë pagesën e taksës radiodifuzive, nuk është në rregull. “Fakt është se me ligj ka të drejtë DHP-ja të bllokon xhiro-llogarinë e qytetarit për borxhe, siç janë taksat radiodifuzive apo gjobat për kundërvajtje nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo ka dhe anën pozitive, sepse mënyra e bllokimit i ndihmon qytetarët të mos paguajnë shuma më të larta nëse këto lëndë do t’u shkonin përmes përmbaruesve. Pagesat me detyrim të borxheve që kanë qytetarët janë për dhjetë herë më të ulëta se sa ky borxh të kërkohej nga përmbaruesit”, thotë Bilbilovski. Por, ai thekson se mënyra se si DHP-ja ua bllokon llogaritë bankare qytetarëve është e padrejtë, sepse ligji parasheh që para se t’i bllokohet llogaria qytetarit, paraprakisht ai duhet të informohet. “DHP-ja dhe çdo institucion tjetër të cilëve qytetarët u kanë borxhe të prapambetura, sipas ligjit paraprakisht janë të detyruar ta informojnë borxhliun para se të marrin veprim për t’ia bllokuar llogarinë bankare. Pra, detyrohet DHP-ja ta informojë qytetarin me shkrese se ka borxh dhe ta ftojë që në afat prej 8 deri në 15 ditë të paguaj borxhin. Nëse qytetari për këtë afat nuk e paguan borxhin, atëherë mund të merret veprim dhe t’i bllokohet llogaria”, thotë Bilbilovski. Mirëpo, thekson ai, edhe në këtë rast ka të drejtë të bllokon vetëm një të tretëtn dhe jo krejt rrogën. “Mund të bllokon vetëm rrogën. Varësisht nga vlera e borxhit, bllokohet llogaria dhe nëse borxhi është më shumë se vlera e rrogës, atëherë bllokohet vetëm një e treta e rrogës e jo e gjithë rroga. Ligji në asnjë mënyrë nuk i lejon DHP-së si dhe përmbaruesve bllokimin e llogarisë nëse këto janë pagesa sociale apo ndihma shtetërore. Mënyra se si u merren të gjitha paratë qytetarëve në llogarinë transakcionale është e padrejtë, aq më shumë kur jemi një shtet me numër të madh të të papunëve, kurse edhe ata që janë të punësuar janë me të ardhura të ulëta dhe nuk është mirë t’ju bllokohet llogaria pa mos u njoftuar paraprakisht qytetarët. Është detyrim ligjor i DHP-së së pari t’i paralajmëron e pastaj të gjendet rrugëdalje, tek e fundit të arrihet marrëveshje që borxhi të paguhet me këste”, thotë Zoran Bilbilovski, këshilltar shtetëror në zyrën e Avokatit të Popullit. Nga Drejtoria e të Hyrave Publike nuk deshën të komentojnë mënyrën se si u bllokohen llogaritë bankare qytetarëve pa paralajmërim,ndërsa përgjigjen shkurt se qytetarët teknikisht janë të paralajmëruar se kanë borxhe dhe se këtë mund ta shohin në ueb faqen e DHP-së ose në Gazetën zyrtare të Maqedonisë. Ndryshe, taksa radiodifuzive ishte pjesë e fushatës së zgjedhjeve të fundit dhe LSDM paralajmëroi heqjen e saj, ndërsa nga kjo drejtori apeluan që të mos politizohet kjo çështje. Ndërkohë, DHP-ja në ueb faqen e saj bëri publike listën prej 85.790 personave që u është bllokuar llogaria në muajin shtator dhe të cilët me detyrim duhet të paguajnë borxhin. (Z.V)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.