Dhjetë kandidatë për kryeministër të Britanisë

Dhjetë kandidatë do të garojnë për postin e kryetarit të Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar dhe rrjedhimisht të kryeministrit, konfirmoi të hënën komiteti i kësaj partie. Kryetarja e deritashme, Theresa May, ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, ndërsa do të mbetet në krye të qeverisë, derisa të zgjidhet kryeministri i ri.

Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar bëhet me automatizëm udhëheqësi i partisë më të madhe në Parlamentin britanik – në këtë rast i Partisë Konservatore. Kandidatët përfshijnë ish-ministrin e Jashtëm, Boris Johnson, pasardhësin e tij, Jeremy Hunt, ministrin e Mjedisit, Michael Gove, ish-ministrin për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Dominic Raab, ministrin e Shëndetësisë, Matt Hancock, dhe ministrin e Brendshëm, Sajid Javid.

Kandidatë të tjerë janë ministri i Zhvillimit Ndërkombëtar, Rory Stewart, ish-ministrja e Punës, Esther McVey, ish-kryetarja e Parlamentit, Andrea Leadsom, dhe ligjvënësi konservator, Mark Harper. Rrethi i parë i votimeve në mesin e ligjvënësve konservatorë do të mbahet të enjten.