Një 32-vjeçar, i cili vuante nga dhimbje dhe djegie të kraharorit prej gati 10 vjetësh, zbuloi se kishte tumorin më të madh në zemër të regjistruar më parë në botë. Për 3 vjet me radhë, mjekët i thanë Jake Cohen se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, derisa presioni i gjakut i ra kaq shumë sa jeta e tij u vu në rrezik. I riu nga New York, sipas asaj që shkruan “DailyMail” zbuloi se kishte një kancer me madhësinë e një topi tenisi në zemër, pasi bëri një skaner. Mjekët kryen një operacion për heqjen e këtij tumori tepër të rrallë, 6 muaj më parë dhe për disa prej kirurgëve më me eksperiencë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Kolumbias, kjo ishte hera e parë që kishin parë diçka të tillë.
Mjekët besojnë se kjo masë është rritur që prej kohës kur Cohen kishte lindur. Tumori kardiak është masë anormale që rritet në zemër ose në valvulat e zemrës. Ai mund të jetë kancerogjen (malinj) pse jo kancerogjen (beninj). Pjesa më e madhe e tumorëve kardiakë janë beninj, por edhe këta të fundit mund të shkaktojnë komplikacione për shkak të masës dhe vendit ku ndodhen. Tumorët kardiakë zakonisht janë të rrallë. Një studim 20-vjeçar i realizuar në Hong Kong që studioi 12 mijë autopsi, gjeti vetëm 6 të tillë.