Kureshtja e publikut dhe presioni i momentit, nuk duhet t’ua imponojë institucioneve masat e ngutshme, sepse, pas një tragjedie si kjo, mbyllja e një kompanie biznesi, shkakton një tjetër pasojë të rëndë, mbetjen pa punë e dhjetëra personave që s’kanë kurrfarë lidhje me gabimin njerëzor, që mund t’i ndodhë gjithkujt… Një detyrë gazetareske e kryer me profesionalizëm të lartë dhe ndjeshmëri njerëzore…
Nga Daut DAUTI
- Tragjedia e autobusit të “Besa Transit” në Bullgari është nga ato ngjarje që shkakton dhembje të thellë të familjarëve, miqve të viktimave por dhe gjithë publikut brenda dhe jashtë, kurse nga ana tjetër, krijon atë lloj hutese me shumë pikëpyetje legjitime dhe përgjigje e veprime nën afektin e presionit kolektiv të çastit. Sepse, nëse vdesin 44 udhëtarë brenda pak minutash, nëse shuhet një familje 8 anëtarëshe, një tjetër katër-anëtarëshe…, është i kuptueshëm interesimi i publikut se si ka mundur të ndodhë diçka e tillë dhe kush është fajtor. Pikërisht aspekti i tragjedive familjare, e bën këtë ngjarje madje dhe më të rëndë se ato dy fatkeqësitë e aeroplanit në vitin 1993, sepse viktimat ishin kryesisht individuale, e këtu përfshiu familje të tëra!
Si në çdo fatkeqësi tjetër, qoftë ajrore, detare, të autobusit, furgonëve…që i kemi parë në rajon, por dhe nga bota, pas familjeve që e përjetojnë më së rëndi, janë subjektet që gjenden në shënjestër, qoftë si agjenci, kompani prodhuese, si dhe faktori njeri.
Pos familjeve që i humbën të afërmit dhe agjencisë, së cilës i bie objektivisht përgjegjësia, në rastin e kësaj tragjedie, aktorët e tretë që u gjetën në vijën e parë të ngjarjes, janë gazetarët dhe puna e tyre është për çdo admirim. Do të doja ta veçoja sidomos ditën e parë(të martën) dhe informacionet e gjithanshme që gazetarët, sidomos të disa televizioneve, i jepnin drejtpërdrejtë nga shkolla “Ismail Qemali” ku kishin qenë nxënës pesë nga viktimat, në mëhallët e viktimave, e sidomos te familja Jahiu…Redaksitë u organizuan furishëm për të dërguar gazetarët edhe në vendin e ngjarjes në Bullgari dhe pothuajse nuk ka shpëtuar asgjë që ka qenë me rëndësi për t’u transmetuar. Asnjëri prej tyre nuk e kishte lehtë, sepse të informosh nën presionin e dhembjeve dhe lotëve, ishte një mision i vështirë profesional, sepse ka qenë e pamundur t’i vë nën kontroll ndjenjat personale, të cilat ndonjëherë edhe dinin të shpërthenin për t’u përlotur si një reflektim i natyrshëm njerëzor kur bashkëndjen me viktimat. Profesionalizëm për çdo lëvdatë, një organizim i harmonizuar për të sjellë informatat dhe emocionet nga të gjitha pjesët e ngjarjes së kobshme!
- Një mosgjeturi e publikut dhe të një pjese të shtypit, ka të bëjë me shkak-pasojat dhe përgjegjësinë. Kjo është e pritshme nga ky shok kolektiv, sepse publiku dëshiron t’i dijë shkaqet dhe fajtorët, por në situatë të këtillë, marrin hov spekulime të paverifikuara dhe në bazë të tyre pastaj dhe jepen gjykime përfundimtare ende pa u analizuar të gjitha rrethanat. Dëshmia se ka pasur eksplodim, hapi supozimin se në autobus ka pasur mjete piroteknike dhe bidona me naftë jashtë rezervuarit dhe në bazë të kësaj u drejtuan akuza edhe ndaj agjencisë “Besa Trans”, pra, akuza të cilat të enjten autoritetet bullgare i hodhën poshtë si të pabaza. Ndoshta këto dy spekulime që burimin e kishin nga media bullgare, ndikuan që ekspres t’i merret licenca për kryerje veprimtarie agjencisë, e cila në biznesin e udhëtimeve është e pranishme me vite pa pasur ndonjë shkelje serioze. Përfundimi paraprak i hetimeve në Bullgari se shkak i aksidentit është gabimi njerëzor, pra i shoferit, që ka humbur kontrollin, e kufizon përgjegjësinë, që të shpeshtën gabimet në drejtimin e automjetit janë shkaku kryesor. Pra, një gabim individual, i ndodhur në kushte nate(një rrethanë poashtu e shpeshtë), që përjashton çdo përgjegjësi tjetër. Normalisht, kur të ndodhë një tragjedi si kjo nuk mund të mbetet jashtë vëzhgimit as subjekti, pronar i autobusit, por vendime të shpejta, pa përfunduar ekspertiza profesionale, nuk janë ato të duhurat. Mungesa e licencës, që u zbulua se nuk e ka pasur autobusi, është një lëshim formal, ku përveç autoriteteve kufitare të Maqedonisë e kanë toleruar edhe ato të Bullgarisë dhe Turqisë, që është për t’u habitur, por a është ky shkaku i fatkeqësisë, apo diçka tjetër, nëse autobusi ka qenë i ri dhe teknikisht në rregull?
Me fjalë të tjera, kureshtja e publikut dhe presioni i momentit nga tragjedia, nuk duhet t’ua imponojë institucioneve masat e ngutshme, sepse, mbyllja e një kompanie biznesi, shkakton një tjetër pasojë të rëndë, mbetja pa punë e dhjetëra personave që s’kanë kurrfarë lidhje me gabimin njerëzor, që mund t’i ndodhë gjithkujt. (A na kujtohet se pas ndonjë fatkeqësie ajrore është pezulluar puna e ndonjë kompanie ajrore ose prodhuesi aeroplanësh?)
- Në tragjeditë e mëdha solidarizimi midis vendeve fqinje është diçka që është e pritshme dhe kjo ndodhi me ndihmën institucionale që i takonte Bullgarisë të merret me hetime, si vendi ku ka ndodhur ngjarja, e në anën tjetër, ishte edhe hapi tjetër, ai i shpalljes së ditës së zisë. Kështu veproi edhe Kosova. Por, kështu nuk veproi Shqipëria, prej nga, kuptohet, si nga të gjitha vendet e rajonit dhe shumë vende të botës, erdhën ngushëllime. Si ndër tragjeditë më të mëdha të komunikacionit në Evropë, ajo do të ishte në fokusin e medias gjithandej, e kuptohet, sipas asaj fjalës gjaku ujë nuk bëhet, më së shumti tronditje shkaktoi te të gjithë shqiptarët, duke qenë se viktimat ishin kryesisht shqiptare, përveç njërit nga shoferët dhe një udhëtari të mbijetuar, i cili u zhduk pastaj në mënyrë misterioze, që mbetet një kapitull tjetër interesant i hetuesisë.
Shembulli i ditëve të zisë në Bullgari, vendi ku ka ndodhur tragjedia, i Maqedonisë së Veriut, prej nga janë pjesa më e madhe e viktimave, dhe nga shteti i Kosovës, ka shkaktuar disa reagime individuale të personave publikë, si bie fjala pse ka pasur nevojë ta bëjë Kosova këtë, pasi ka mjaftuar ngushëllimi i krerëve më të lartë shtetërorë (këtë e thotë një emër i njohur si Halil Matoshi), ndërsa në Shqipëri, bie fjala, një aktor si Florian Binaj i “Portokallisë”, kritikon shtetin që s’ka shpallë ditë zie dhe sheh një shpërputhje midis qëndrimit zyrtar ndaj kësaj tragjedie me viktima shqiptare në Bullgari dhe ndaj asaj në Francë (rasti i masakrës në redaksinë e revistës “Sharli Hebdo”). Duket se në njërën anë, ndryshe nga ç’e koncepton Halil Matoshi, që parapëlqen një reagim si të një shteti ndaj një tragjedie të një shteti tjetër fqinj, shteti kosovar me shpalljen e ditës së zisë reagoi me solidarizim vëllazëror(etnik), ndërkaq nga Tirana, pati reagim shtetëror nga të gjitha nivelet, por pa atë shkallën më të lartë të solidaritetit që e kërkuan disa fytyra publike. (Një kanal televiziv i atjeshëm, duke lajmëruar për viktimat, do të thotë përafërsisht “për fat të keq, viktimat ishin shqiptarë”, që është paksa solidarizim që tragjedisë njerëzore i dha ngjyrë etnike që ndoshta s’do të duhej, edhe pse në pikëpamje faktografike nuk ishte kurrfarë lëshimi… Duke ndjekur këtë logjikë, mbetet dilema nëse Kosova do ta shpallte ditën e zisë nëse viktimat nuk do të ishin shqiptare dhe a do të ishte këtu ndonjë shkelje parimi…).
Në fund, desha të shtoj edhe diçka që ra në sy në raportimet e gazetarëve nga vendi i ngjarjeve, që mund të shndërrohet në të kundërtën e solidaritetit. Ende pa u sjellë kufomat nga Bullgaria, njerëz të shumtë, familjarë, miq, farefise, dhe madje fare të panjohur, shiheshin duke hyrë e dalë te familjet e viktimave, që është një mbështetje e madhe për t’ua zbutur dhembjen dhe për t’i përballuar më lehtë këto çaste të rënda. Por, nga ajo që u pa, pothuajse askush që hynte e dilte, në atë kallaballëk, pothuajse askush nuk mbante maska, duke harruar që (ende) jemi në kushte pandemie dhe se me këtë, solidariteti dhe humanizmi i tyre, përveç ngushëllimit, mund të sjellë rrezik plotësues.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)