Uashington, 2 korrik – Laboratori i Hulumtimeve të Forenzikës të Këshillit Atlantik (DFRLab), i cili po punon për të zbuluar përhapjen e dezinformatave në internet, kumtoi që studiuesit e tij kishin identifikuar dhjetëra faqe në Fejsbuk të lidhura me të paktën 10 faqet e mediave maqedonase që shfaqnin “disa tipare që tregojnë aktivitet të koordinuar, përfshirë publikimin pothuajse me përmbajtje identike”, njofton “Ballkan Insajt”, përcjell gazeta “KOHA”.
Ndërsa disa nga këto faqe në Fejsbuk konfirmojnë lidhjet e tyre me burimet, përmbajtja e të cilave po transmetojnë, “ka nga ato për të cilat nuk ka asnjë lidhje të dukshme”. DFRLab, tregon se disa nga këto profile të mediave në rrjetet sociale janë krijuar si faqe të ndryshme për grupe të caktuara të interesit, por në fund të fundit promovojnë përmbajtje që nuk kanë asnjë lidhje me atë që ishte qëllimi i tyre fillestar. “Kjo qartë është strategji efektive, duke pasur parasysh që këto faqe në rrjetin social kanë numër më të madh ndjekësish, se sa faqet zyrtare në Fejsbuk të mediave, përmbajtja e të cilave ata promovojnë”, thekson DFRLab, përcjell gazeta “KOHA”.
Sipas Laboratorit, katër rrjete të veçanta ose faqe në Fejsbuk transmetuan disa përmbajtje të publikuara në ueb portalet në internet si “Republika Onllajn”, “Kurir”, “Deneshen”, “Njuz24”, “Puls 24”, “Galama” … Në hulumtim thuhet se vetëm njëra prej këtyre portaleve është tabloid, ndërsa disa nga të tjerët publikojnë kryesisht përmbajtje politike që është hapur proopozitës, dhe disa tjera kanë raportim më të ekuilibruar për zhvillimet e brendshme.
Sipas Laboratorit, këto faqe në Fejsbuk janë krijuar në mes vitit 2009 dhe 2018 dhe kryesisht menaxhohen nga Maqedonia e Veriut dhe vetëm disa nga SHBAja. Hulumtimi zbuloi se disa nga faqet në Fejsbuk me shumë gjasë ishin të lidhura me “Adinamik Media”, që ka portale të mbështetur nga partia kryesore e opozitës në vend, VMRO-DPMNE. “Besohet se kjo kompani mediatike është e lidhur me televizionin publik pro qeveritar hungarez MTV”, thuhet në njoftim. Hulumtuesit e DFRLab vlerësojnë se këto rrjete kontribuan në polarizimin politik në Maqedoninë e Veriut përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sipas hulumtimit, njëra nga rrjetet kishte shtatë faqe në Fejsbuk që transmetonin përmbajtje të botuara në portalet “Republika”, “Kurir”, “Deneshen” dhe “Vistina”.
Në hulumtimin, madje thuhet se disa ekspertë besojnë se me këtë, kryeministri hungarez Viktor Orban ka zgjeruar ndikimin e vendit dhe të tij në Ballkan. Hulumtuesit e DFRLab konfirmuan se artikuj pothuajse identikë me të njëjtën frekuencë u botuan në faqet e Fejsbukut. Numri i përgjithshëm i ndjekësve në shtatë faqet është mbi 690.000 ndjekës, ndërsa në profilet zyrtare të portaleve në Fejsbuk kishte më pak se 300.000 ndjekës. Rrjeti i dytë i hulumtuar, sipas Laboratorit, përbëhej nga 17 faqe në Fejsbuk që botonin përmbajtje nga tre portale mediatike – “Markukule”, “Njuz24” dhe “Disa botojnë artikuj në lidhje me presidentin rus Vladimir Putin, duke e portretizuar atë si udhëheqës me ndikim i cili mbështet vlerat tradicionale dhe i ndihmon miqtë kur u duhen. Njuz24 poston herë pas here video nga Rusia Tudej dhe Sputnik”. Rrjeti i katërt hulumtues i faqeve në Fejsbuk, transmeton përmbajtjen e botuar në portalin Net Medikal Dejs, i cili trajton tema shëndetësore si dhe Galama. Sipas hulumtimit, tetë faqet në këtë rrjet u menaxhuan nga Maqedonia e Veriut dhe nga SHBA-ja. DFRLab zbuloi gjithashtu pesë faqe në Fejsbuk që transferojnë përmbajtje nga portalet në pronësi të “EM Media”, në të cilat pronari i shumicës është “Adinamik Media”. (koha.mk)