Tashmë dy javë rresht, në Tetovë gjatë ditës së enjte është marrë vendim që të mos punojë tregu i gjelbër. Por, edhe përskaj këtij vendimi, shitës ambulant përreth tregut gjatë ditëve të tjera ushtrojnë veprimtarinë e tyre
Urim HASIPI
Tetovë, 31 mars – Këtyre ditëve, është bërë edhe një dezinfektim dhe dezinsektim në hapësirat publike në qytetin e Tetovës. Kësaj radhe me dezinfektimin dhe dezinsektimin janë përfshirë trotuaret ku gjatë ditës frekuentimi është shumë i madh i qytetarëve. Zakonisht, turmat e qytetarëve vërehen përgjatë trotuareve të pjesës qendrore ku edhe janë të vendosur pjesa dërmuese e institucioneve, si ato shtetërore, por edhe ato lokale. Kryerja e dezinfektimit dhe dezinsektimit është bërë me automjetin e njësisë së zjarrfikësve të Tetovës, por edhe me pompa dore të cilët janë vënë në funksion në vendet ku nuk mund të depërtojë automjeti. “Kësaj radhe më shumë prioritet u kemi dhënë trotuareve në rrugën e Ilinedenit dhe sheshit “Iliria”, pasi që në këto trotuare kemi qarkullim më të madh të qytetarëve. Këtë e bëjnë me qëllim që qytetarët të jenë më të mbrojtur, pasi që nuk lëvizin vetëm banorët e Komunës së Tetovës, por edhe të komunave rurale. Po ashtu është bërë deratizimi në pustetat e kanalizimit për të parandaluar përhapjen e baktereve të ndryshme”, deklaroi Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës.
Nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se edhe fshatrat e malësisë do të përfshihen me dezinfektimin. “Njësitë e Ndërmarrjes publike komunale, së bashku me zjarrfikësit, në mënyrë të vazhdueshme kryejnë dezinfektim të qytetit, por edhe vendbanimeve përreth qytetit. Gjatë periudhës së kaluar, dezinfektimi ishte bërë në Poroj, Xhepçisht, Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël, si dhe në hapësirat e hoteleve në Kodrën e Dellit” informuan nga Komuna e Tetovës.
Në ndërkohë, në mbledhjen e fundit të Shtabit të krizës në Tetovës, Kryetarja Arifi ka njoftuar se në Tetovë dhe në komunat përreth janë gjashtë persona me koronavirus. Ajo më tej ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve, Spitali klinik i Tetovës është i përgatitur me 400 shtretër dhe me ekipe kujdestarie. “Deri më tash në Komunën e Tetovës ka 235 persona të cilët gjenden në vetizolim, ndërsa 64 persona janë në karantinë në hotelet e Kodrës së Diellit, të cilët shfrytëzohen për këtë qëllim”, tha ajo.
Arifi ka apeluar deri te bankat që janë në pjesën qendrore të qytetit të gjejnë zgjidhje për të shmangur grumbullimin e pensionistëve para bankomateve. “Bëjmë apel deri te bankat e qytetit, që të gjejnë një modus pagese të pensioneve, me qëllim që kjo grup moshë, e cili është veçanërisht e rrezikuar, të mos grumbullohet përpara sporteleve të bankave”, tha Arifi.
Tashmë dy javë rresht, në Tetovë gjatë ditës së enjte është marrë vendim që të mos punojë tregu i gjelbër. Por edhe përskaj këtij vendimi, shitës ambulant përreth tregut ushtrojnë veprimtarinë e tyre. (koha.mk)