Devisi ka shkelur skenën e festivalit të fundvitit disa herë dhe gjithmonë duke sjellë krijime nga më të ndryshmet dhe gjithmonë me tematika të bukura, por këtë herë këngëtari i njohur vjen me një mega-projekt kushtuar pikërisht situatës së rënduar jo vetëm në vend, por në mbarë botën. Ai ka humbur prindin pikërisht nga kjo pandemi andaj këngën “Peng” ia kushton babait dhe gjithë atyre që kanë humbur prindërit. Vjen në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku zbulon më shumë detaje
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni publikuar së fundmi këngën më të re me të cilën konkurroni në festivalin e fundvitit në RTVSH, na flisni pak më shumë rreth realizimit të këtij projekti?
Po është një këngë që ka një mesazh të gjerë dhe fisnik, kohët që po kalojmë janë mjaftë të vështira në lidhje me pandeminë, sidomos për brezin e tretë, po humbim padrejtësisht dhe në kohë rekord të afërmit dhe prindërit tanë, kjo më shtyu të kompozoj për këtë fakt, në rastin konkret për personazhin e babait, sepse dhe unë e kam humbur babain dhe ja u kushtoj të gjithë atyre që e kanë humbur atë, pra muzika ime, teksti Pandi Laço dhe orkestrimi Gent Myftaraj.
KOHA: Teksti është i thellë dhe jeni shprehur se ka të bëj me një ndjenjë të jashtëzakonshme. Çfarë emocioni ju jep momenti kur interpretoni atë?
Sigurisht teksti i kësaj kënge i krijuar me aq mjeshtëri dhe ndjesi shumë të thellë nga pena e mikut tim Pandi Laço, mbart një emocion shpeshherë të pa përballueshëm nga ana ime, në momentin e provave duke më bërë të lotoj, atje kuptoj që vërtetë kjo këngë, pushton komplet qenien time dhe më kujton se sa e dhimbshme është humbja e prindit.
KOHA: Vini për të disatën herë në këtë festivali, pse vendosët që ta sprovoni veten sërish në një kompeticion muzikor?
Është hera e tretë që marr pjesë në festival, për mua festivali kombëtarë është si të them, Sanremo shqiptare, është ky eveniment gjigand që më kujton sa e rëndë dhe e madhe është kjo skenë që ka mbajtur sipër emrat më të mëdhenj të pentagramit dhe të vokalit shqiptarë, që më kujton nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë ne artistët, pasardhësit e këtyre emrave dhe sigurisht unë jam fans i hershëm i këtij festivali, që atëherë kur akoma nuk kisha hipur në skenë.
KOHA: Cilat janë pritshmëritë në këtë festival?
Si gjithmonë pritshmëritë e mia janë një dhe e vetme, që kënga që unë do interpretoj të përqafohet menjëherë nga publiku dhe të ngelet sa më gjatë në memorien dhe përditshmërinë e tyre.
KOHA: Mendoni se do ju ndjek i njëjti fat si në kompeticione tjera ku edhe keni triumfuar?
Po ta dija këtë do isha profet dhe sigurisht do isha miliarder (qesh), atë e di vetëm publiku ai është pasqyra jonë, shpresa është e madhe, sepse tema e kësaj kënge është mjaftë aktuale dhe shumë shpirtërore.
KOHA: Keni dëgjuar këngët konkurruese, keni ndonjë favorit?
Në rastin konkret përgjigjja ime do ishte subjektive, sepse unë jam vetë konkurrent i këtij festivali, por gjithsesi ka gjithmonë vend për këngë dinjitoze, sidomos te ky festival.
KOHA: Si do të jetë performanca juaj nëse vazhdoni në finale?
Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, në bazë të fabulës së këngës, po më mirë le të zbulojmë në skenë.
KOHA: Po cilat janë projektet që keni punuar deri më tani apo jeni fokusuar pikërisht tek kënga e festivalit?
Ajo që më intereson dhe që dua të jap maksimumin, është pikërisht kjo këngë, ky debutim në Fest’59, me këngën “Peng”.