Banorët e zonave rurale janë të detyruar që të bëjnë dhjetëra kilometra për vizita mjekësore në qytetet më të afërta, kurse shteti shumë pak po punon që të instalojë mjekësinë primare në këto zona, në mënyrë që mjekët amë të cilët do të merreshin më seriozisht me historinë e sëmundjeve të pacientëve, duke filluar nga diagnostifikimi, ndjekja permanente e gjendjes shëndetësore, trajtimi adekuat dhe orientimi i tyre për mjekim të mëtejshëm
Delvina KËRLUKU
Shkup, 13 korrik – Ministria e Shëndetësisë, por edhe shumë politikanë (në platformat e tyre) zakonisht fokusohen në përmirësimin e cilësisë në shëndetësi, përmirësim të infrastrukturës, nivel më i lartë të pagave të punëtorëve dhe pajisje të reja nëpër spitale, duke u përqendruar vetëm në qytete, shkruan gazeta KOHA.
Por, në realitet në zona të caktuara rurale në territorin e Republikës së Maqedonisë, banorët nuk janë në mbrojte shëndetësore primare. Nuk kanë mundësi të ndjekin dhe bëjnë kontroll të gjendjes shëndetësore, këshillim për marrjen e masave parandaluese, çrrënjosje dhe zbulim të hershëm të sëmundjeve dhe çrregullime të tjera të shëndetit. Në këto zona ndjehet edhe mungesa e dhënies së ndihmës emergjente shëndetësore, duke përfshirë këtu edhe automjetin sanitar që është më se i domosdoshëm, por edhe mjekim në ordinancë apo në shtëpinë e shfrytëzuesit etj.
Mjekët të vetëdijshëm për gjendjen aktuale në zonat rurale, rekomandojnë që duhet të sigurohet shërbimin e ndihmës së shpejt bashkë me transportin cilësor, përkujdesje dhe shërbime të tjera mjekësore, duke përfshirë këtu edhe fushën e shëndetit riprodhues dhe planifikimit të familjes. Po ashtu, të sigurohet edukimi me tema të ndryshme shëndetësore, ndërsa të ofrohet edhe mbrojtje shëndetësore përkatëse për të gjithë banorët, veçmas gratë.
Shaban Memeti, drejtor i Instituti Shëndetësor Publik në Shkup sqaron se shëndetësia në Republikën e Maqedonisë është e organizuar në disa nivele: Shërbimet primare shëndetësore, shërbimet sekondare në spitale dhe shërbime terciare në klinikat universitare. Sipas tij, problemi më i madh, kur flasim në nivelin profesional të shërbimeve shëndetësore, është i dukshëm në zonat rurale. Organizimi primar i mjekësisë në Maqedoni, sipas Memetit, është në shërbime preventive, të programit preventiv apo mjekëve amë. Mjekët amë janë hallka kryesore e shërbimit parësor të kontaktit me punëtorin, në këtë rast me ekipin. Shërbimet primare duhet të jenë në zona rurale, shprehet Memeti, ndonëse shërbimet aktuale në zonat rurale punojnë në bazë të rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të buxheteve që marrin nga Fondi për sigurim dhe shëndetësi për kokë pacienti .
Nëpër zona rurale, siç mund të jenë Karadaku, pjesa periferike e Tetovës me Malësinë e Sharrit, Mavrova, zonat e ndryshme të Dibrës, ka mungesë të mjekëve amë, që do të thotë se çdo banor, i cili duhet të merr shërbim shëndetësor primar duhet të shkojë në pjesët urbane.
Këtë na e konfirmon edhe dr. Memeti dhe apelon që në këto zona të instalohet sa më shpejt shërbimi i mjekësisë primare, me fjalë të tjera aty mjeku amë duhet të jetë i përhershëm. Por kjo nuk mjafton nëse nuk rritet kapaciteti i shërbimeve në të gjitha pjesët të vendit, përfshi edhe zonat rurale, në mënyrë që banorët të mos jenë të detyruar të vizitohen nëpër institucionet shëndetësore urbane. Shërbimi mjekësor duhet të shkojë te pacienti, e jo anasjelltas, pacientët të bëjnë dhjetëra kilometra rrugë, kur këtë mund ta bëjnë në fshatin e tyre ku do të kenë qasje të drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore, përmes mjekëve amë të cilët do të merreshin më seriozisht me historinë e sëmundjeve të pacientëve, duke filluar nga diagnostifikimi, ndjekja permanente e gjendjes shëndetësore, trajtimi adekuat dhe orientimi i tyre për mjekim të mëtejshëm.
Pasqyra e shërbimit shëndetësor të një shteti është mjeku amë dhe pikërisht nëpër fshatra ka mungesë të këtij mjeku. Shërbimet primare janë të dhëna me koncesion, ndërkohë që shteti duhet të zgjerojë rrjetin të shërbimeve primare shëndetësore, duke hapur ambulanca në zona rurale.
Në funksion të dërgimit të mjekut te pacienti e jo anasjelltas, oftamologu dr. Bekim Tateshi, është i mendimit se duhet punuar më shumë në sforcimin e mjekësisë familjare, sepse ky është një mekanizëm më adekuat i shtrirjes së mjekësisë primare edhe në zonat rurale. Mjeku sekondar dhe mjeku specialist nuk mund të angazhohet në pjesët e thella të vendit, kur këtë punë mundet me e kryer mjekësia primare, sqaron ai. Që të arrihet kjo, dr.Tateshi, propozon që edhe organizimi i studimeve të bëhet në atë mënyrë që studentët në vitin e fundit të Mjekësisë të profilohen për vendet e ardhshme të punës, duke u parapërgatitur për punësime të caktuara, ku gjithsesi do të bënte pjesë edhe shërbimi shëndetësor në zonat rurale. Ai madje e konsideron të pafalshme mungesën e disa profileve mjekësore, siç është bie fjala gjinekologjia, apo anestezia, të cilat janë më se të domosdoshme në zonat më pak urbane, siç janë psh. Dibra, Dellçeva etj.
Ndryshe, një pjesë e madhe e banorëve rural në Maqedoni, për shkak të qasjes së kufizuar të informacioneve mbi të drejtat dhe mundësitë e tyre për shfrytëzim të shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë këtu këshillat dhe planifikimin e familjes, në vend se të parandalojnë gjendje të caktuara, ata vizitojnë mjekun sipas nevojës, madje pasi që të shfaqen probleme të caktuar shëndetësore. Kjo, për shkak se në pjesën ku jetojnë nuk kanë ambulanta, respektivisht mjekë amë. (koha.mk)