Fatos RUSHITI
Shkup, 17 shkurt – Deri më 25 shkurt, ditën kur Shkupin do ta vizitojë presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, pritet që pushteti dhe opozita të arrijnë marrëveshje për kthimin e kësaj të fundit në Parlament dhe përkrahje e një sërë ligjesh që prekin reformat në sektorin e gjyqësisë dhe në atë të sigurisë nacionale, shkruan gazeta KOHA. Mes tjerash, gjasat janë që pushteti dhe opozita të merren vesh edhe për Ligjin për gjuhët, por jo edhe të dihet publikisht i gjithë skenari rreth mbylljes së kësaj çështje që po zvarritet me muaj të tërë.
Sipas informative jozyrtare, në grupet punues përfaqësuesit e LSDM-së dhe VMRO-së merret vesh se kanë rënë dakord për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë 2/3 e votave në Parlament, por dhe ligjeve që kërkohet shumicë absolute prej 61 votash, siç janë Ligji për gjykatat, Ligji për organizmin e Prokurorisë publike, Ligji për Prokurorinë publike speciale, Ligji për Këshillin Gjyqësor dhe ai për Këshillin Prokurorial, Ligji për Ndjekje të Komunikimeve, Ligji për Policinë, Ligji për Avokatin e Popullit, Ligji për Agjencinë Teknike-Operative, Ligjin për Informatorët.
Po sipas këtyre burimeve, thuhet se LSDM dhe VMRO kanë biseduar gjerësisht edhe për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa kanë propozuar edhe atë që anëtarët e këtij institucioni të lartë të zgjidhen me short nga ana e gjykatësve të Gjykatës Supreme dhe një pjesë nga Gjykata administrative, por me përfaqësimin adekuat etnik. Për këtë dhe për idenë e shumëdiskutuar që Maqedonia të kalojë në një njësi zgjedhore, do të vijnë në tavolinë pasi të mbarojnë puna me ligjet reformuese e cekura më lart. Siç paralajmëroi edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, partitë shqiptare mund të kyçen në fund të këtij dialogu mes LSDM-së dhe VMRO-së, por pa e precizuar deri në detaje se çdo të ndodh me Ligjin për gjuhën. Nga ana tjetër, për raportimet e gazetës KOHA dy javë më parë se ka shumë gjasa 35 mijë amendamentet e VMRO-së të përmblidhen në më pak amendamente, së fundmi kanë folur edhe eksponentë të lartë nga BDI në disa media, por në kushte anonimiteti. Debat do të ketë para votimit të këtij Ligji, por siç theksojnë në BDI, ai debat nuk do të zgjatë shumë dhe nuk do ti përfshijë të gjitha 35 mijë e 569 amendamentet e VMRO-së. Parlamenti I Republikës së Maqedonisë po harton Strategji të re dhe për një kohë të shkurtër do ta vë në funksion”, thonë burime partiake. Të njëjtat burime zbulojnë se grupi parlamentar i LSDM-së ka marrë urdhër partiak që nga dita e hënë prania e tyre në Parlament është e obligueshme dhe e patjetërsueshme, por siç thonë, ende nuk e dinë se cila seancë parlamentare do të jetë në rend dite. Lidhur me amendamentet, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska ka folur në një intervistë për TV24.
“Amendamentet që do të mbeten në ‘lojë’, do të grupohen, dhe në këtë mënyrë do të shkurtohet edhe debati parlamentar mbi to. Vlerësoj se pjesa më e madhe e amendamenteve që i ka parashtruar opozita për Ligjin e gjuhëve nuk janë amendamente të cilat mund të shqyrtohen në këtë fazë. Ne nuk duam që ta bëjmë të njëjtin gabim në të cilin Qeveria do ta diktojë tempon e vendimeve të Parlamentit, por presim që në një afat sa më të shkurtër të gjendet një zgjidhje dhe Parlamenti të vendoset në funksion”, ka thënë Shekerinska. Me interes do të priten reagimet e VMRO-së, por pritjet janë se nuk do të problematizohet kjo çështje për shkak të agjendës reformuese të vendit dhe bisedimeve të ndjeshme rreth çështjes së emrit me Greqinë. Kjo, pasi pushteti dhe opozita kanë shumë detyra për të bërë rreth implementimit të pikave të Strategjisë së Bashkimit Evropian për zgjerimin e këtij institucioni në Ballkanin Perëndimor. Përforcimi i mbështetjes për sundim të Ligjit, përforcimi i angazhimit për siguri dhe migracion, mbështetja e zhvillimit socio-ekonomik, rritja e lidhjeve të Maqedonisë, përfshirja në agjendën digjitale në Ballkan dhe mbështetja për pajtim dhe raporte të mira ndërfqinjësore janë gjashtë pikat kyçe që iu parashtruan Maqedonisë në Strategjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian për prosperim në procesin eurointegrues.
Në lidhje me harmonizimin e legjislaturës së Maqedonisë me atë të Bashkimit Evropian, bëhet fjalë edhe përfshirje e misioneve këshilluese në fushën e sundimit të Ligjit me ekspertë ndërkombëtar; monitorim i reformave; monitorim i rasteve gjyqësore; vlerësim i punës së gjyqësorit; kahëzim i hapërimit të Maqedonisë nëpërmjet reformave në gjyqësor; pavarësi mediale dhe pluralizëm në shoqëri. Në vazhdën e aktiviteteve eurointegruese, më 25 shkurt përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker vjen në Shkup për të nisur vizitën e tij rajonale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më 17 prill do të publikohet Raporti i rregullt i Strategjisë për zgjerim i Komisionit Evropian dhe raportet e tij për secilin shtet veçmas, më 17 maj mbahet Samiti i Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Sofje të Bullgarisë, më qershor realizohen takim i Këshillit të përgjithshëm të BE-së dhe Këshillit Evropian me konkluzione të rëndësishme, në korrik kryesimin me BE-në e merr Austria, në korrik zhvillohet samiti i Londrës aktivitet ky që realizohet në kuadër të procesit të Berlinit dhe deri në fund të vitit 2018 zhvillohet debat i thellë me të gjitha vendet anëtare për ardhmërinë e Bashkimit Evropian edhe pas vitit 2025. (koha.mk)