(Fjalë hyrëse e Dr. Skender Asanit, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëvenë, në konferencën shkencore “Roli i Islamit ne mbrojtjen e identitetit shqiptar ne Maqedoni”, që u mbajt të enjten në ambientet e këtij instituti)
Kam kënaqësinë që sot po ju flas në cilësinë e të zotit të shtëpisë në hapjen e kësaj konference, duke ju dëshiruar para së gjithash mirëseardhje në Institutin tonë dhe duke uruar që kjo konferencë të jetë e mbarë dhe e frytshme. Këtu më duhet të theksoj se Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, si një vatër që kujdeset për krejt trashëgiminë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përveç shumë aktiviteteve të ndryshme që ka realizuar me institucione shkencore e arsimore, por edhe me komunitete të ndryshme fetare, duke u kujdesur edhe për grupet më të vogla shoqërore, gjithnjë ka synuar që të organizojë diçka edhe komunitetin më të madh të përkatësisë religjioze të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pra me elementin mysliman. Për këtë arsye, përveç marrëdhënieve të mira e miqësore që i kemi kultivuar me institucionin e Bashkësisë Fetare Islame, ne tashmë kemi vendosur bashkëpunim formal edhe me Fakultetin e Shkencave Islame, si institucioni më i lartë arsimor e shkencor i këtij komuniteti dhe në sajë të këtij protokolli, ne sot jemi në këtë konferencë. Me këtë rast dëshiroj të shpreh kënaqësinë time nga bashkëpunimi i deritanishëm dhe të uroj që kjo frymë të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Sa i takon pjesës së konferencës, meqë nuk dua t’ju marr kohë edhe me kumtesë të veçantë, duke i respektuar mysafirët, do të më lejoni të them dy-tri fjalë në këtë fjalë rasti, ndërsa kumtesën në versionin e plotë do ta dorëzoj për botim.
Siç tashmë e dimë mirë ne historianët, pas largimit të Perandorisë Osmane, në vjeshtën e vitit 1912 në këto hapësira u vendos pushteti serb, që fillimisht u quajt Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene e pastaj Mbretëria e Jugosllavisë. Në fakt, Beteja e Kumanovës, në tetorë të 1912-tës, ishte fillimi i planit për krijimin e Serbisë së Madhe, që nuk ka reshtur as sot e kësaj dite bile. Dhe, meqë shqiptarët ishin dhe janë ata që fizikisht gjenden në rrugë si pengesë për realizimin e këtij plani, ata u bënë edhe caku i goditjeve serbe dhe ata pësuan me shpërngulje të dhunshme, asimilim, kolonizim, reformë agrare, por edhe barbari të tjera, si masakra e tmerre, që kanë vazhduar deri më 1999 në luftën e fundit në Kosovë. Kur jemi këtu, duhet ta themi pa ngurrim, sepse e kemi edhe detyrim shkencor dhe kombëtar, se derisa gjatë kësaj fushate elementi shqiptar i krishterë gati se nuk mbijetoi dhe u asimilua thuajse plotësisht, shqiptarët myslimanë gjetën shpëtim nga ky asimilim pikërisht në përkatësinë e tyre fetare islame. Islami, në një mënyrë, u bë mburoja e identitetit etnik shqiptar. Kështu, përkundër krejt planeve ekspansioniste dhe asimiluese, që i shkrinë gati se krejt shqiptarët ortodoksë, ndërsa e rrudhën shumë elementin shqiptar katolik, shqiptarët myslimanë të këtyre hapësirave mbijetuan dhe ata sot vazhdojnë t’i ruajnë vatrat e tyre stërgjyshore dhe kujdesën e vijimësisë etnike shqiptare.
Për hir të së vërtetës, edhe presioni komunist nuk ishte aspak më i vogël, që filloi me heqjen e ferexhesë, kufizimin e fesë, rrënimin e xhamive, e deri në prishjen e mureve në fund të viteve të ’80-ta, që po ashtu ishin masa presioni, të cilat megjithatë nuk ia dolën ta shuajnë identitetin e shqiptarëve në këtë hapësirë. E kur jemi në këtë periudhë, do të duhet të themi se ishin pikërisht një plejadë hoxhallarësh dhe veprimtarësh, që mundësuan ruajtjen e indit kombëtar, shpesh edhe duke e konservuar dhe ndoshta edhe duke e izoluar, për ta ruajtur ashtu bërthamën etnike të pastër për rrethana të tjera. Medresetë, mejtepet dhe xhamitë u bënë vatra që e kultivuan këtë identitet dhe mundësuan që, duke e ruajtur dallimin me të tjerët, shqiptarët të dalin në shekullin e ri me identitet të konsoliduar dhe me pjekuri politike e kulturore.
Shikuar në këtë kontekst, pas gjithë kësaj perspektive historike, Islami për shqiptarët tashmë nuk është diçka e huaj, fragment i ngjitur në identitetin tonë, porse Islami paraqet element të pandashëm të këtij identiteti. Madje, të jemi krejt të sinqertë, ne historianët dhe studiuesit shqiptarë të kësaj hapësirë i detyrohemi shumë këtij përcaktimi dhe neve na mbetet barra që në të ardhmen ta afirmojmë këtë të vërtetë.
Këtu më duhet ta theksoj edhe një tezë shpesh të gabuar që e lidh identitetin islam të shqiptarëve me shtetin turk. Madje, kjo ka qenë edhe arsyeja që pushteti serb dhe ai komunist, më vonë, të organizojnë shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve myslimanë, kjo me pretekstin se po i kthejnë shqiptarët në vendin e tyre amë. Prandaj ishin edhe detyrimet për regjistrim me përcaktim tjetër etnik e kështu me radhë. Por, e vërteta është se derisa në Turqinë republikane identiteti islam u shty në margjina, te shqiptarët myslimanë në këto hapësirë ai u bë strumbullar që e ruajti identitetin kombëtar. Pra, nuk ishte arsye feja për shpërngulje, por ishte arsye politika ekspansioniste dhe kolonizuese ajo që e stimulonte shpërnguljen.
Sidoqoftë, që nga luftërat ballkanike, themelimi i Xhemijetit, beteja për Burmali Xhaminë si identitet i Qytetit, deri te medreseja “Medah” dhe ajo e “Isa Beut”, janë një varg veprimtarësh, personalitetesh dhe veprash që presin nga ne t’i studiojmë dhe t’i ndriçojmë, sepse – thënë troç – pa to nuk mund të imagjinohet historia jonë kombëtare në Maqedoni.
Para se të përfundoj, do të më lejoni të them se ne si Institut ia kemi vënë vetes për detyrë që në të ardhmen ta shkruajmë edhe historinë e plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe këto konferenca do të jenë sigurisht material i rëndësishëm për ta bërë një vepër të tillë. Qasja jonë nuk do të jetë përjashtuese, subjektive dhe ideologjike. Ne jemi të interesuar ta zbardhim të vërtetën dhe përtej të vërtetës nuk duam t’ia dimë për asgjë.
Për këtë arsye që këtu ju ftoj që Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve ta ndjeni si shtëpinë tuaj, ku gjithnjë do ta gjeni dorën e bashkëpunimit dhe komunikimit pa asnjë ngurrim dhe hezitim. Ky institut është meritë e popullit shqiptar në Maqedoni dhe ne jemi të vendosur që t’i shërbejmë këtij populli dhe të vërtetës për të.
Duke mos dashur ta zgjas, sepse këto teza do t’i gjeni të elaboruara në tekstin që do ta dorëzoj për botim, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve që sot jeni këtu dhe t’ju premtoj se ky është vetëm fillimi. Neve na presin edhe shumë punë.
Suksese konferencës dhe ju faleminderit!