Një javë para rrethit të dytë të zgjedhjeve për president të vendit, dy të tretat e qytetarëve dëshirojnë që ata në zgjedhje të drejtpërdrejta ta zgjedhin shefin e ardhshëm të shtetit (75,5%), edhe pse gjatë rrethit të parë atë obligim e kryen 41,82% prej tyre, tregoi hulumtimi me temë “Informimi i qytetarëve gjatë fushatës” kryer për emisionin “Detektor” në të cilin morën pjesë Jasna Baçovska – Nediq – profesoreshë universitare, Bojan Kordalov – specialist për mediume të reja dhe Aleksandar Kërzhallovski – analist politik.
Sipas hulumtimit, pjesa më e madhe e të anketuarve për procesin zgjedhor dhe fushatat presidenciale janë informuar përmes televizionit (58,2%), e më pas përmes ueb portaleve (14,9%) dhe rrjeteve sociale (11,8%), ndërsa gazetat janë në vend të katërt (5,8%). Gjysma e tyre u besojnë informatave të cilat i marrin nga mediumet (50,5%), edhe pse një numër i konsiderueshëm (33,2%) nuk e kanë atë besim në mjetet e informimit publik.
“Shoqëria e Maqedonisë është shoqëri tejet dominuese televizive dhe dëshmuam ndaj një fushate klasike të përgatitur për mediume tradicionale, e cila nuk ishte e përshtatur për teknologjitë e reja”, cekë profesoresha Jasna Baçovska-Nediq, me çka dakordohet edhe Bojan Kordallov, specialist për mediume të reja, duke konfirmuar se “kandidatët për president nuk i shfrytëzuan mediumet e reja dhe nuk treguan inovativitet, por madje edhe e injoruan fushatën që duhej të ndodhte onllajn, cekë ai duke thënë se para rrethit të dytë kandidatët po tentojnë ta kompensojnë atë hendek, por ende fokusi është në mënyrat tradicionale, joinovative dhe të mërzitshme të udhëheqjes së fushatës.
Edhe pse 15 vitet e fundit nuk ishim mësuar me debate televizive të oponentëve politik, në këto zgjedhje për një muaj shikuam mbi 15 përballje të tilla. Për analistin politik, Aleksandar Kërzhallovski, ajo që e bëri dallimin në këto zgjedhje presidenciale janë mu debatet me kandidatët “Pendarovski tregoi nervozë në vetë debatet, me çka e rrëzoi dallimin e pritur nga disa anketa, deri te ajo që na ndodhi”, thotë ai.
Tetë prej dhjetë të anketuarve nuk kanë pasur presione për kë të votojnë në suaza të proceseve zgjedhore (82,2%), edhe pse 45,0% e qytetarëve konsiderojnë se ekzistojnë presione se për kë të votohet në zgjedhje.
“Në shoqëritë e polarizim të lartë si kjo e jona, fushatat mund të bëjnë shumë pak në luftën për secilën votë”, thotë profesoresha Baçovska-Nediq, edhe pse potencon se sipas anketave “qytetarët dëshirojnë ta zgjedhin presidentin e ardhshëm në zgjedhje të drejtpërdrejta, kështu që sipas legjitimitetit ai është më i madh se ai i deputetëve, megjithatë, nga personaliteti i presidentit varet sa ajo mbështetje do të jetësohet. Zhgënjimi nga pozita e deritanishme e institucionit president është një nga faktorët që ndikoi në jehonën e këtillë të dobët”, thotë ajo.
Beteja për cenzus në këto zgjedhje, për Kërzhallovskin është sinjal “se tashmë janë pjekur kushtet që presidenti të zgjidhet në Kuvend dhe atëherë të tentojmë, të bëhet konsenzus mes partive për një kandidat i cili do të jetë bashkuesi”. Me qëndrim të ngjashëm për bashkim rreth problemeve prioritare të çdo qytetari, shëndetësia, arsimi, socialja është edhe Kordallov “çështjet e tilla nuk mund t’i zgjidhë asnjë parti, e as nuk zgjidhen në një mandat. Duhet të vendosin partitë t’i përmbushin së bashku, kur do ta shohin këtë qytetarët, konsideroj se do të fillojnë të mendojnë për të ardhme në shtëpi, në vend se të shpërngulen jashtë, dhe do të kthehet besimi në pushtet, pavarësisht cili është, i tanishmi apo i ardhshmi”.
Përndryshe, Kërzhallovski konsideron se në rrethin e dytë do të arrihet cenzusi. “Dallimi i vogël mes dy kandidatëve në rrethin e dytë bën atmosferë jashtëzakonisht kompetitive e cila do të motivojë shumë qytetarë, mbështetës dhe simpatizues të njërës apo partisë tjetër, nëse jo ta ndihmojnë, atëherë ta pengojnë tjetrin dhe do të dalin për të votuar”, thekson ai.
Qytetarët konsiderojnë se Maqedonia i përmbushë standardet e Bashkimit Evropian për zgjedhje të drejta dhe demokratike (48,2%), ndërkaq nëse bëhemi anëtare e Unionit kjo do ta avancojë procesin zgjedhor (53,4%).
Hulumtimi në temën “Informim i qytetarëve gjatë fushatës” u zbatua nga Instituti për hulumtime politike nga Shkupi (IHPSH) në periudhë prej 23 deri 27 mars, në 1.100 të anketuar të moshës madhore në nivel të mbarë vendit, me shfrytëzimin e ekzemplarit të rastit, të certifikaur në mënyrë që të ruhet reprezentativiteti i popullatës. (koha.mk)