Shkup, 3 mars – Një person është vrarë mbrëmë para mesnate në një objekt hotelerie në Tetovë në rrugën “29 Nëntori”, raporton Koha.
Mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:50 pasi në një tryezë në objekt së bashku janë ulur pesë persona, duke konsumuar alkool. Në një moment kryerësi i veprës e ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar njërin prej personave, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse prej të cilës i dëmtuari ka vdekur në vendin e ngjarjes. Pas kryerjes së veprës penale është arratisur, që më vonë dy persona të privohen nga liria nga ana e policisë, ndërsa dy të tjerë, mes të cilëve edhe kryerësi, vetë janë paraqitur në stacionin e policisë.
Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë së bashku me ekipet e ekspertizës nga Ministria e Punëve të Brendshme deri në orët e mëngjesit kanë kryer ekspertizë në objektin në rrugën “29 Nëntori” në Tetovë.
Prokurori ka dhënë urdhër për mbledhjen e dëshmive nga vendi i ngjarjes dhe hetimin e tyre. Është dhënë urdhër për kryerje të autopsisë ndaj personit të vdekur. Është bërë fotografim dhe skicim si dhe veprime të tjera në drejtim të zbardhjes së veprës penale. (koha.mk)