Një strategji e zgjedhur për destinacionin turistik të Kodrës së Diellit duhet të ofrojë kornizën për vendimmarrje që do të mundësojë aktorëve të industrisë turistike në partneritet me nivelet publike republikane e lokale të ndërtojnë aftësitë për një zhvillim të qëndrueshëm
Nga Mislim ZENDELI
Destinacioni turistik nga pikëpamja ekonomike, nuk është vetëm një vend gjeografik por paraqet amalgamë të produkteve turistike, shërbimeve dhe të mirave publike të konsumuara nën të njëjtën markë, duke ofruar kështu një eksperiencë të integruar për konsumatorët. Konkurrenca midis destinacioneve turistike në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe rajonal vazhdon të intensifikohet për shkak të presionit të globalizimit. Mënyra për t’u përballur suksesshëm me këto sfida është përmes zbatimit të një modeli efektiv të menaxhimit të një destinacioni. Menaxhimi i destinacioneve përfaqëson strategji kyçe për të joshur kërkesat e konsumatorëve, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm me ndikime pozitive dhe më pas për të përfituar, mbajtur dhe për të fituar përsëri një pozicion të fortë në tregun turistik global.
Mali Sharr me potencialet e nduarnduarshëm paraqet një destinacion të njohur turistike në pjesën Veriperëndimore të Maqedonisë Veriore. Qendra rekreative Kodra e Diellit (Popova Sapka) paraqet shtyllën e destinacionit turistik të malit Sharr. Kodra e Diellit ishte ndër destinacionet kryesore për sporte dimërore jo vetëm në ish Jugosllavi por dhe në Ballkan, ndërkaq sot kjo qendër është lënë në mëshirën e fatit. Infrastruktura hoteliere si dhe ajo rrugore është katandisur keq. Pjesa dërmuese e kapaciteteve akomoduese janë gjysmë të rrënuara dhe jashtë përdorimit. Rrënimi i Kodrës së Diellit ka filluar në dy dekada e ca që i lamë pas. Kjo nuk ndodhi me Mavrovën simotrën e saj, të cilën që në vitin 2000 me ligjin e privatizimit e privatizuan dhe pronarit i dhanë kredi shumë të volitshme për investime në infrastrukturën turistike. Sot të gjitha rrugët çojnë drejtë qendrës Zare Lazarevski në Mavrovë, ndërkaq Kodra e Diellit u harrua fare madje nuk përmendet as në raportet meteorologjike. Me vite të tëra hapësirat e Kodrës së Diellit janë duke u shkatërruar si pasojë e neglizhencës dhe kaosit ndërtimor jo vetëm në sipërfaqet e parapara e të planifikuara për ndërtimin e vikend shtëpizave por dhe më gjerë. Ndërtimi i një kompleksi fetar ortodoks në piken me nevralgjike të qendrës në vitet nga 1993 e këndej si dhe ky fetar islam – xhamia që si objekt voluminoz prish planin hapësinor të vilave të ndërtuara, shëmtojnë pamjet rekreative e turistike. Sot tentativa të ndërtimeve shëmtuese e mafioze shihen edhe ne lokalitetin në Jelak që ishte i paprekur deri më tani. Ndërkaq nga Master plani famoz i viteve 2014/15 dhe investimeve të paralajmëruar prej 30 milionë eurove ka ngelur vetëm një gropë e hapur që shëmton ambientin edhe më shumë.
Destinacionet, të cilat duan të mbajnë apo të krijojnë një pozicion konkurrues në tregun turistik, nuk mund të marketohen (brendohen) vetëm me një produkt turistik unik, por duhet të propozojnë sa më shumë produkte, për t`iu përgjigjur segmenteve të kërkesës turistike. Për më tepër duhet të hartohen strategji të zhvillimit të turizmit në mënyrë që të krijojnë vlerë për të gjithë aktorët e përfshirë, duke konsideruar se secili prej tyre përfiton nga turizmi dhe kontribuon në kostot e tij në mënyra të larmishme, ka interesa dhe objektiva të ndryshme dhe në këtë mënyrë percepton dhe vlerëson përfitimet dhe kostot në mënyrë subjektive. Si rëndom përpilimit të strategjisë i paraprijnë analizat e nduarnduarshme. Për të paraqitur më në mënyrë eksplicite potencialet e zhvillimit të turizmit në destinacionin Kodra e Diellit do të shërbehem me analizën SWOT, dhe në pika të shkurtra do të radhisë fuqitë respektivisht dobësitë si faktorë të brendshëm dhe shanset apo kërcënimet si faktorë të jashtëm. Ndër faktorët e fuqive apo përparësive numërojmë: atraksione natyrore të pashfrytëzuara, tradita në turizmin dimëror , bora e qëndrueshme dhe mesatarja e lartë e ditëve me diell, relief i përshtatshëm për sporte dimërore dhe verore, afërsi e tregut potencial turistik, pozita gjeografike e favorshme, burime ujore të shumta liqenet e Sharrit, biodiversiteti i pasur, lidhje të mira komunikative, rruga e asfaltuar deri në Kodrën e Diellit. Teleferik i cili mund të aftësohet për t u vënë sërish në funksion me pak mjete, mundësi për shpallje si Park Nacional, ekzistenca e fuqisë së re punëtore, prania e institucioneve arsimore profesionale Shkolla e mesme hoteliere dhe programi i turizmit në Universitetit të Tetovës, tradita e kultivimit të produkteve bujqësore dhe blegtore, kultura në mikpritje, folklori I pasur me plot laryshi, dhe të ngjashme. Si anë të dobëta numërojmë: infrastruktura e lënë padore, cilësi e dobët e shërbimeve turistike, mungesa e strukturave akomoduese , mungesa e vendeve për parkim, mungesë urbanizimi në pjesën e vilave, mungesa e menaxhimit të mbetjeve, mungese planit hapësinor, mungesë e klasifikimit të shtigjeve, për fillestar, sportist snoubord etj. Dobësi në ndjeshmërinë për mbrojtjen e mjedisit, ndotja e mjedisit nga mbetjet urbane, mosaplikimi i kontrollit të standardeve të produkteve, marketing i dobët , promovimi i dobët i qendrës sportive, dobësi të zbatimit të ligjeve, organizim i pamjaftueshëm i tregtimit të produkteve bujqësore , mungesa e fuqisë së profesionalizuar punëtore , mungesa e bashkërendimit të sektorit privat me atë publik, mungesa e një qendre të sistemit informativ turistik për Sharrin në përgjithësi, mungesa e certifikimit të produkteve, mosshfrytëzimi dhe copëzimi i tokës bujqësore dhe të tjera. Në grupin e faktorëve kërcënues – risqe paraqiten: problemet pronësoro-juridike, konkurrenca e vendeve fqinje, pritshmëri të gabuara në raport me ofertën, mungesë e stabilitetit politik në shtet, rënia e kërkesës së tregut për sportet dimërore, rreziku nga ngrohja globale dhe faktorë të tjerë. Nga faktorët tjerë të jashtëm të përfshirë si shanse apo mundësi vlejnë të përmenden faktorët në vijim: mjediset e pandotura nga industria, diversitet i kushteve natyrore, mundësi oferte të bashkërenduar e burimeve natyrore dhe kulturore, mundësi për organizimin e ngjarjeve sportive dhe manifestimeve të ndryshme edha gjatë stinëve të tjera, mundësi për krijimin e pistave të reja të skive në zonat më të larta dhe më larg qendrës, mundësi për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike, mundësi për koordinim të mirë të Sektorit për turizëm me strukturat lokale, mundësi për prodhime BIO , mundësi për përmirësimin e ofertës së produktit endemik, mundësi për përfshirjen e produkteve karakteristike në ofertën turistike rajonale, mundësi për ofrimin e paketave të integruara të mikpritjes, mundësi për promovimin e energjisë së rinovueshme dhe i kursimit të energjisë në zonën turistike etj.
Dhe fare në fund mund të themi se përballja me sfidat e shumta me të cilat ballafaqohet kjo qendër turistike duhet të adresohen, por shumica nuk do të zgjidhen para se të fillojë përpilimi dhe realizimi i strategjisë së zgjedhur. Një strategji e zgjedhur për destinacionin turistik të Kodrës së Diellit duhet të ofrojë kornizën për vendimmarrje që do të mundësojë aktorëve të industrisë turistike në partneritet me nivelet publike republikane e lokale të ndërtojnë aftësitë për një zhvillim të qëndrueshëm. (koha.mk)
(Autori është profesor në fakultetin e Ekonomisë pranë USHT)