Shkup, 20 maj – Shkëndija dje edhe zyrtarisht u stolis me trofeun e titullit kampion të Maqedonisë së Veriut. Protagonist i festës ishte edhe numri një i skuadrës tetovare Lazim Destani. Destani në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka uruar futbollistët, stafin dhe gjithë menaxhmentin e klubit për titullin e kampionit, duke mos harruar këtu edhe grupin e tifozëve “Ballistët”, informon gazeta KOHA.
“Ishte kënaqësi pjesëmarrja në ndeshjen e Shkëndijës në Tetovë. Me përfundimin e lojës së bukur dhe fitores së thellë të kuqezinjve, futbollistët e Shkëndijës në një ceremoni festive, duke e merituar denjësisht, e ngritën kupën për titullin e kampionit edhe për këtë stinor. Me këtë rast, i uroj përzemërsisht futbollistët e Shkëndijës, stafin teknik si dhe menaxhmentin e klubit të cilët të gjithë së bashku e bënë më të mirën duke dominuar në futbollin e vendit.
Gjithashtu urimet e mia jua përcjell të gjithë ju tifozëve dhe ‘Ballistëve’ që me kënaqësi e ndiqni skuadrën tuaj ndeshje pas ndeshjeje. Uroj tashmë skuadra të ketë përgatitje të mbara për t’i hyrë garës në kupat europiane gjatë verës, duke ecur me sukses e rezultate të mira e duke synuar sivjet ta kalojë pragun e play-off-it, e të kalojë në grupe!
Urime!, shkroi në Facebook, Destani.