Shkëlzen HALIMI
Qendra amerikane për veprim parandalues nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, në një raport të hartuar nga ekspertë të politikës së jashtme, paralajmëron se në Ballkan sërish mund të shpërthejë luftë. Rreziqet në Ballkan, sipas amerikanëve, janë trazirat e mundshme politike dhe dhuna ekstremiste në rajon.
Në fakt, Ballkani, për shkak të pozitës gjeostrategjike historikisht ka qenë hapësirë tërheqëse për shtet e fuqishme. Gara për dominimin ekonomik dhe politik të rajonit të Ballkanit është intensifikuar akoma më shumë, në veçanti tani kur për këtë pjesë të rëndësishme të Ballkanit, interesim të veçantë tregojnë Rusia dhe Kina, si dy superfuqi jo vetëm ekonomike, por edhe ushtarake.
Në këtë garë për dominim dukshëm është shtuar edhe aktiviteti diplomatik evropian dhe ai amerikan, që duket se janë në kontakte permanente me liderët e Ballkanit. Në të njëjtën kohë, janë të shumta edhe aktivitetet midis shteteve të Ballkanit, të cilat (pos Serbisë) shpejtojnë që t’i mbyllin disa probleme që zvarriten me vite e vite dhe t’i përkushtohen agjendave ekonomike për t’i dhënë fund jo vetëm krizës ekonomike por edhe tranzicionit pa fund.
Shqiptarët, në kontekstin ballkanik, duket se akoma nuk kanë arritur ta marrin pozicionin që u takon dhe kjo më shumë për fajin e tyre. Shqiptarët akoma vazhdojnë te merren me vetveten. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës, lufta për pushtet që moti ka zbehur interesin kombëtar.
Dhe në këtë luftë, të cilën shërbimet e ndryshme e shfrytëzojnë për qëllimet e politikave të tyre, ne vazhdojmë të trajtohemi si element destabilzues, i përdorshëm nga të tjerët dhe që interesohet vetëm për përfitime grupore, me aktorë politik që janë mjeshtër për të manipuluar me shtyllat më emocionale të kombit tonë.
Diplomacia paralajmëruese është një segment që bën me dije se duhet pasur kujdes të jashtëzakonshëm për të mos i dhënë shkas palës tjetër që ta ndërrojë rrjedhën e asaj që synohet të arrihet. Aktualiteti në politikën shqiptarë (në gjithë Ballkanin), fatkeqësisht është i zymtë. Nëse ne harxhojmë energji të jashtëzakonshme, duke u marrë me njëri tjetrin, pala tjetër, pastaj, do ta ketë shumë lehtë që të jetë dy-tri hapa para nesh… (koha.mk)