Shkup, 14 tetor – Shpresoj se nuk do ta humbim mundësinë për të fituar negociata me Bashkimin Evropian. Ky vendim do ta përshpejtojë ritmin e reformave në gjyqësor, theksoi ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska në fjalimin e saj para Këshillit të Evropës në Strasburg, në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Deskoska, siç njoftuan nga Ministria e Drejtësisë, sot u drejtua në konferencën e ministrave të drejtësisë, në Këshillin e Evropës, që mbahet në organizimin e presidencës franceze. Temat e kësaj konference për ministrat e drejtësisë ishte “Sfidat digjitale për drejtësinë në Evropë”, ndërkaq Deskoska foli në sesionin e parë, ku u diskutua për “Qasjen deri te ligji dhe drejtësia në epokën digjitale”.
“Është vendosur Sistem i automatizuar për menaxhim me lëndët në gjykata (AKMIS), i cili shpresoj që në një të ardhme të afërt gradualisht do të vendoset edhe në Prokurorinë Publike. Digjitalizimi mund edhe ta rrisë efikasitetin në gjyqësor përmes mundësimit të dorëzimit të shkresave në gjykatë në formë elektronike, komunikim elektronik me avokatët dhe palët në gjykata”, potencoi Deskoska.
Ministrja e Drejtësisë, theksoi edhe se në gjykatat gradualisht po zbatohet edhe audio xhirimi i seancave gjyqësore, si dhe sistemi për audio-video xhirim të marrjes në pyetje në Prokurorinë Publike.(koha.mk)