Shkup, 4 maj – Rëndësia për zgjerimin e qasjes deri në arsim dhe mbrojtje cilësore të hershme të fëmijëve, si dhe trendet dhe praktikat rajonale dhe globale për rëndësinë e zhvillimit të hershëm të fëmijëve u prezantuan në konferencën e sotme në të cilën morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe përfaqësues nga qeveritë dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Kryeministri Zoran Zaev duke mbajtur fjalim në hapjen e konferencës theksoi se një prej prioriteteve të Qeverisë është që të rritet përfshirja e fëmijëve në kopshtet për 50 për qind me zgjerimin e kapaciteteve veçanërisht në mjediset rurale.
“Jeta e fëmijëve është si një copë letër. Çfarë vule do të lëmë nga ajo varet çfarë gjenerata do të lëmë pas nesh. Asnjë njeri nuk mundet vetë, ka gjëra të cilat janë të përbashkëta, të gjithë neve na duhen gjenerata të shëndosha”, tha Zaev.
Kryeministri theksoi se Qeveria ka investuar në infrastrukturën në institucionet parashkollore dhe së bashku me mbështetjen e Bankës Botërore për vitin 2018 janë planifikuar 18 zgjerime të kopshteve, ndërsa në vitin 2017 janë filluar 13 zgjerime të kopshteve jashtë Shkupit.
Theksoi se periudha parashkollore ka rol të madh arsimor përmes të cilës rrugë do të nisen fëmijët, ndërsa ndikimi i zhvillimit të hershëm të fëmijëve qartë shihet në procesin e mëtejmë arsimor, gjegjësisht sipas një hulumtimi të OECD-së fëmijët të cilët kanë pasur qasje deri tek arsimi i hershëm për 30 për qind kanë qenë më të mirë në lexim për dallim nga fëmijët e tjerë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska tha se Qeveria e RM-së e kosnideron arsimin si një investim në ardhmërinë dhe në gjeneratat e ardhshme në shoqëri.
“Atë që do ta investojmë të mendojnë në mënyrë kritike, vlerat në të cilat do t’i mësojmë, solidariteti, respekti, kujdesi, kjo do të reflektohet mbrapa në shoqëri disa vite mbrapa”, tha Deskoska.
Theksoi se vitet e para të jetës së një fëmije janë më të rëndësishme për zhvillimin e tij sepse të gjitha përvojat që i marrin në fillim të jetës së tyre ndikojnë në zhvillimin e tij.
“Kopshtet nuk duhet të jenë gjithçka dhe nuk guxojnë të jenë vende të cilat i zëvendësojnë gjyshet dhe gjyshërit ku fëmijët flenë dhe ushqehen dhe e kalojnë tërë ditën derisa të kthehen në shtëpi. Koha e kaluar në kopshte është kohë e çmuar për investim – investim në ardhmërinë e fëmijëve tanë. Prandaj, obligimi ynë është që të sigurojmë zhvillim të hershëm cilësor të fëmijëve në çka jemi të përkushtuar”, tha Deskoska.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska tha se të gjithë së bashku kemi përgjegjësi jashtë familjes t’i përgatisim fëmijët për jetën që vijon.
“Duhet të ndërtojmë zhvillim të hershëm të fëmijëve që do të japë ndikim pozitiv që çdo fëmijë të përfshihet në shoqëri. Duhet të rritet cilësia e institucioneve parashkollore, cilësia e edukatoreve dhe të ndryshojnë programet në kopshtet që sot nuk janë bërë ashtu që fëmijët i mësojnë që të mendojnë në mënyrë kritike”, tha Carovska.
Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha se investimi në zhvillimin e hershëm të fëmijëve duhet të jetë një prej investimeve më prioritare që një vend duhet t’i bëjë.
“Qasja deri në arsim është realisht në nivel të ulët në Ballkanin Perëndimor në krahasim me vendet e BE-së ku është në interval prej 85 deri në 100 për qind, gjithashtu, është edhe e pabarabartë, gjegjësisht grupet e cenueshme të fëmijëve kanë qasje më të rëndë deri në arsimin e hershëm”, tha Van Gelder.
Sipas saj, shërbimet e mira arsimore para hyrjes në arsimin fillor e përmirësojnë mësimin, veçanërisht tek vajzat dhe fëmijët nga kategoritë më të cenueshme dhe e rrisin efikasitetin e sistemit shkollor që mundëson të ulet përsëritja.