Shkup, 11 shkurt – Unë nuk shoh kurrfarë shkelje të ligjit në procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit për Antikorrupsion, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska lidhur me reagimet në opinion për zgjedhjen e Nuri Bajramit anëtar të KSHPK, i cili është baxhanaku i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.
Sipas saj, nëse shihet juridikisht, lidhjet familjare me këtë shkallë nuk janë përfshirë. “Por jashtë kësaj, madje dhe të përfshihej nuk ka shkelje formale të ligjit, sepse procedura ishte sipas ligjeve”, tha ministrja.
Mbetet KSHPK, siç theksoi Deskoska, nëse do ta kryejë punën me ndërgjegje, me ndershmëri dhe ashtu siç është përcaktuar me ligj.
“T’i lëmë kohë përbërjes së re të Komisionit për Antikorrupsion që të fillojë të punojë dhe nga ajo do të vlerësohet nëse është bërë zgjedhje e duhur apo ka qenë diçka tjetër në prapavijë”, tha Deskoska dhe shtoi se ata tani kanë edhe kompetenca të reja – do të vlerësojnë furnizimet publike, financimi i partive politike, fushatat zgjedhore…
Ministrja përkujtoi se ligji për parandalimin e korrupsionit është miratuar me procedurë transparente në konsultime me ekspertë evropianë dhe me organizata joqeveritare, ndërsa përzgjedhja dhe zgjedhja e kandidatëve kanë garantuar zgjedhje transparente.
Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski, nëse opinioni konsideron se zgjedhja e Bajramit është problem i madh është dashur të reagojë derisa ka zgjatur zgjedhja, siç u reagua edhe për shumë kandidatë të tjerë.
“Ky komisionin i përzier i ka vlerësuar këto kandidatë për më të mirë. periudha e ardhshme e funksionimit të këtij komisioni, veçanërisht jashtë periudhës zgjedhore do të tregojë sa është i sinqertë qëllimi i cilitdo qoftë të luftojë kundër korrupsionit”, tha Mançevski.
Ai shtoi se nuk i pengon që kohë të gjatë Ligji për parandalim të korrupsionit ka qenë i bllokuar nga ana e opozitës në Kuvend.
Në pyetjen për punësimin në administratë të funksionarëve të afër qeveritarë, Mançevski u përgjigj se Komisioni për Antikorrupsion është institucion i cili duhet të kontrollojë nëse në punësimet e reja ka edhe nepotizëm dhe përplasje të interesave.
Ai tha se 10 vjet të gjithë anëtarët e LSDM-së ishin qytetarët më të diskriminuar në shtet me atë që ishte e ndaluar të punësohen në sektorin publik dhe privat.
“Sot është e çuditshme që cilido simpatizant i këtij pushteti punësohet edhe në institucione publike. Ku të shkojnë këta njerëz…tani ka Komision për Antikorrupsion dhe e gjithë kjo që konsiderohet se është problematike duhet të parashtrohet ankesë dhe të vendoset rreth saj”, tha Mançevski. (koha.mk)