Shkup, 9 prill – Procedura për falje mund të zhvillohet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, prej ku, siç thonë deri më tani nuk kanë arritur kërkesa për faljen e personave për ngjarjet në Kuvend nga 27 prilli i vitit 2017, njofton Koha.
Ministrja e Drejtësisë, Renata Treneska – Deskoska thotë se nuk ka mundësi ligjore të zhvillohet procedurë për falje nga ana e presidentit të shtetit.
Sqaron se procedura për falje mund të zhvillohet vetëm përmes Ministrisë së Drejtësisë, duke pasur parasysh se nuk ka bazë ligjore për falje pa procedurë paraprake në këtë Ministri.
“Është fshirë neni 11 nga Ligji për falje i cili paraprakisht parashikonte një procedurë të tillë nga ana e presidentit, ndërsa edhe me vendimin heqës të Gjykatës kushtetuese në vitin 2016 ai nen nuk është ‘ringjallur’, gjegjësisht nuk ekziston në sistemin juridik të shtetit”, sqaron ministrja.
Pengesa e dytë, siç shton Deskoska, rrjedh nga fakti që janë shpallur zgjedhje presidenciale, ndërsa në këtë periudhë nuk mund të jepen falje.
“Ministria e Drejtësisë pasi janë shpallur zgjedhjet nuk përcjell kurrfarë lëndë për falje deri në Kabinetin e presidentit të shtetit. Në atë moment kur Komisioni Shtetëror Zgjedhor zyrtarisht do të shpall se zgjedhjet kanë përfunduar do të mund të përcillen kërkesa për falje deri tek Kabineti i presidentit”, thotë ministrja e Drejtësisë.
Ajo thotë se deri në këtë moment në Ministrinë e Drejtësisë nuk janë arritur kërkesa për faljen e personave të dënuar për ngjarjet e 27 prill. Në kontekst të kësaj shton se ka kërkesa për lëndë të tjera, të cilët presin të përfundojë procesi zgjedhor.
Deri tek kabineti i presidentit të shtetit Gjorge Ivanov janë dorëzuar disa kërkesa për faljen e personave të dënuar për rastin “27 prill”. Nga Kabineti i presidentit për MIA-n thonë se kërkesa e fundit nga të shumtat për falje ka arritur të premten në orët e pasdites.
Kryeministri Zoran Zaev dje duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve tha se falje nga presidenti Gjorge Ivanov nuk pritet, sepse kjo nuk ekziston më si mundësi ligjore.
“Me dhënien e fundit të faljes u konfirmua mosekzistimi i anëtarëve adekuatë të cilët nuk ekzistojnë në ligjin që presidenti ta shfrytëzojë këtë të drejtë”, theksoi Zaev.
Për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, më 15 mars të këtij viti në dënim të përgjithshëm me burg prej 211 vitesh janë dënuar 16 persona.
Dënim më të lartë prej 18 viteve ka marrë ish-ministri i Punëve të Brendshme Mitko Çavkov.
Mandati i presidentit aktual, Gjorge Ivanov skadon më 12 maj të këtij viti. Pasardhësi i tij duhet të vijë pas zgjedhjeve presidenciale të cilat janë caktuar më 21 prill dhe 5 maj. (koha.mk)