Shkup, 27 gusht 2019 – Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska deklaroi se nëse nuk sigurohet shumicë prej dy të tretave për propozim-ligjin për prokurorinë publike, atëherë në opsion janë zgjidhje të tjera, ndërsa një nga ato janë ndryshimet në Ligjin për këshillin e prokurorëve publikë i cili sillet me 61 vota, transmeton Koha.mk
Në deklaratën për mediat të dhënë pas votimit të nevojës për sjelljen e këtij ligji me procedurë të shkurtër, Deskoska përsëriti se gur i madh pengues mes pushtetit dhe opozitës mbetet statusi i lëndëve të cilat i udhëheq PSP-ja.
“Dallimi kyç mbetet rreth përfundimit efikas të procedurave gjyqësore të cilat kanë filluar nga Prokuroria Speciale Publike. Për fat të keq, mbisundon mendimi dhe përshtypja se për VMRO-DPMNE-në është më e rëndësishme që t’i shpëtojnë ata të cilët janë të akuzuar në procedurat e PSP-së, se sa që të mundësojnë udhëheqje efikase të procedurave gjyqësore dhe me këtë sigurimin e hapjes së negociatave për anëtarësim drejtë Bashkimit Evropian”, deklaroi Deskoska.
Shfaqi shpresë se në periudhën e ardhshme kur do të dorëzohen amendamentet nga VMRO-DPMNE-ja, do të mund të ulen dhe bashkërisht të bisedojnë. Ajo shpreson se 80 deputetë do të mbledhin forcat që të japin mbështetje për këtë ligj me të cilin zgjidhet e ardhmja e PSP-së.
Ajo i hodhi poshtë akuzat nga VMRO-DPMNE-ja e cila sot kërkoi dorëheqje nga ajo sepse mandati i saj ka skandal më të madh politik dhe gjyqësor.
Përndryshe, sot në seancën kuvendore me 57 vota “për” ishte votuar Propozim-ligji për prokurorinë publike të sillet me procedurë të shkurtër. Për këtë nuk votuan deputetët e VMRO-DPMNE-së. Tani, debati për këtë ligj transferohet në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane si trup amë sepse ligji sillet me flamur evropian. (koha.mk)