Propozim-ligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë për Parandalimin e Korrupsionit ka shkaktuar reagime të shumta nga organizatat joqeveritare. Ministrјa e Drejtësisë, Renata Deskoska dje e ka publikuar propozim-ligjin e ri për parandalim të korrupsionit pa u konsultuar paraprakisht me grupin punues, të cilët kanë qenë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të sektorit civil, shkruan Portalb.mk.
Anëtarët e grupit punues për këtë propozim – ligj thonë se nuk kanë qenë të njoftuar se do të prezantohet ligji dhe se nuk janë bërë ndërhyrjet përkatëse për të cilat ata kanë punuar.
“Nuk kemi qenë të njoftuar, por nuk do të mund t’u japë deklaratë për atë se çfarë ka ndodhur, presim që të na njoftojë Ministria e Drejtësisë dhe pastaj do të ju tregojmë se cili është qëndrimi ynë”, thotë Dançe Dellovska, nga Fondacioni Shoqëri e Hapur.
Edhe Ana Deleva nga Transparencë Maqedoni, thotë se Ministria e Drejtësisë e ka publikuar propozim – ligjin edhe pse nuk i kanë njoftuar paraprakisht për të njëjtin.
“Nuk na kanë njoftuar, ata e publikuan propozim – ligjin a grupi punues ka pasur të caktuar takim më 4 shtator. Disa pjesë të ligjit për të cilët kemi punuar fare nuk janë ndryshuar”, thotë Deleva.
Reagime ka pasur edhe në rrjetet sociale, sidomos në pjesën e nenit 49 të propozim – ligjit për parandalim të korrupsionit, i cili fare nuk është ndryshuar, edhe pse gjatë takimeve të grupit punues, është kërkuar që i njëjti të ndryshohet ose fare të fshihet.
Sipas të njëjtit, Komisioni për Antikorrupsion, ka kompetencë që të bëjë kontrolle financiare edhe ndaj organizatave qytetare dhe fondacioneve, edhe pse ato nuk punojnë me para publike, gjegjësisht të buxhetit.
“Komisioni për Parandalimin e Korrupsionin (Anti-Korrupsioni) ka kompetencë për ngritjen e iniciativës përpara organeve kompetente për kontroll të punës materiale-financiare të partive politike, sindikatave dhe organizatave civile dhe sindikatave”, shkruhet në nenin në fjalë.
Portalb.mk, ka kërkuar qëndrim edhe nga Ministria e Drejtësisë, megjithatë të njëjtët ende nuk na janë përgjigjur në lidhje me atë se:
Pse nuk i kanë njoftuar anëtarët e grupit punues për prezantimin e propozim – ligjit të ri?
Pse e kanë publikuar ligjin pa u konsultuar me anëtarët?
A mund të bëhet korrigjim të propozim ligjit, përpara se të vendoset në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik?
Portalb.mk mëson se sot në Ministrinë e Drejtësisë janë ftuar disa nga anëtarët për ta sqaruar situatën.
Ndryshe, kontrolli financiar i organizatave dhe fondacioneve ka qenë mekanizëm i ish pushtetit të VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin, i cili pak përpara se të rrëzohej nga pushteti filloi fushatë kundër sektorit civil, duke i akuzuar për shpëlarje parash. Për këtë, të afërmit e partisë së tij, madje formuan dhe organizatë për “desorosizim” të Maqedonisë.
Asokohe, sektori civil ankohej se inspektorët e MPB-së, Policisë Financiare dhe të Drejtorisë për të Ardhura Publike, po u bëjnë presion në punën e tyre duke bërë kontrolle të përditshme, me qëllim që të “gjendet qime në vezë”.
Pas ardhjes në pushtet të LSDM-së, MPB, Policia Financiare dhe DAP, njoftuan se nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë nga kontrollet që u janë bërë organizatave civile.