Dështon seanca, nuk dihet kur mbahet tjetra

62

Ajo që më së shumti acaroi këshilltarët e opozitës është se pse sillen vendime që kanë të bëjnë me betonizimin e qytetit dhe jo të merren vendime konkrete në të mirë të qytetarëve pasi që Tetova është një nga komunat ku ka shumë të infektuar me virsuin Covid 19

Urim HASIPI

Tetovë , 2 qershor – Mungesa e kuorumit ishte arsyeja që seanca e fundit e Këshillit të Komunës së Tetovës të ndërpritet dhe të mos mbahet. Për seancën e 31 të Këshillit të Komunës së Tetovës ishin miratuar dy pika të rendit të ditës edhe atë, miratimi i procesverbalit nga seanca e kaluar dhe plani akcional për pastrimin e lumenjve në rajonin e Tetovës. Këshilltarët e opozitës, ata të VMRO-DPMNE-së dhe të Aleancës për Shqiptarët, kërkuan që të ketë edhe dy pika tjera, respektivisht për masat e ndërmarra për mbrojtje nga Covid 19 dhe të diskutohet raporti i revizionit shtetëror për punën e Ndërmarrjes publike Parkingu i qytetit. “Vlerësuam se ka nevojë që të diskutohet për mbrojtjen e qytetarëve nga Covid 19, në vend të pikës për planet urbanistike ku njëra parasheh edhe legalizimin e objekteve si dhe dhënien e lejeve për objektet e ndërtuara pa leje. Tashmë hyjmë në një periudhë kur afrohen zgjedhjet e parakohshme dhe nuk ka kohë që të sillen vendime për lehtësime ndaj qytetarëve, kurse rekomandimet tona që i kemi dhënë më herët nuk janë marrë parasysh” tha Aleksandar Veljanovski, këshilltar i VMRO-DPMNE-së.

Diskutimi dy orësh për dy pikat e para të rendit të ditës u ndërpre pasi që kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti tha se nuk ka kuorum për mbajtjen e mbledhjes së 31. “Që të sillen masa për mbrojtjen e qytetarëve dhe ndërmarrjeve që kanë pësuar nga gjendja e shkaktuar me virusin Covid 19 duhet që të kërkohet raport se çfarë kapaciteti financiar ka Komuna dhe a mund t’i ndihmojë këto ndërmarrje” tha Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Ai më tej theksoi se kërkesa e këshilltarëve të opozitës do të vendoset në rend dite në njërën nga seancat e radhës. Këshilltarët e opozitës janë ankuar se prioritet u është dhënë planeve urbanistike se sa gjendjes me korona virusin. “Përgjatë bulevardit në rrugën industriale parashihen të ndërtohen 20 ndërtesa dhe për këtë duhet të jepen leje ndërtimi dhe kjo ishte më e rëndësishme se sa shëndeti i qytetarëve” theksuan këshilltarët e opozitës.

Pas shumë debateve të ashpra, kryetari i Këshillit kërkoi që të ketë një koordinim mes këshilltarëve, por pas pauzës, të njëjtit nuk u kthyen në seancë dhe seanca dështoi. Ajo që më së shumti acaroi këshilltarët e opozitës është se pse sillen vendime që kanë të bëjnë me betonizimin e qytetit dhe jo të merren vendime konkrete në të mirë të qytetarëve pasi që Tetova është një nga komunat ku ka shumë të infektuar me virsuin Covid 19. Seanca e Këshillit të Komunës së Tetovës është mbajtur në sallën e komunës pas dy muajve pauzë, ndërsa një seancë është mbajtur online gjatë muajit të kaluar. Ende nuk dihet se kjo seancë kur do të thirret sërish për t`u mbajtur. Kreu i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, ka thënë se kur do të krijohen kushte dhe do të ketë konsultime me grupet e këshilltarëve, atëherë do të mbahet e njëjta. (koha.mk)

Comments are closed.