Omer XHAFERI
Shkup, 7 mars – Ngjashëm s’i shokët e tyre, që gjatë javëve të kaluar dhanë dëshminë për ngjarjet e Kumanovës, ashtu edhe Fadil Elshani dhe Esat Kafegjolli, gjatë seancës gjyqësore të martën, thanë se në Maqedoni kanë hyrë ilegalisht me qëllim leximin e një deklaratë për rastet e montuara ndaj shqiptarëve si dhe për mos zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan gazeta KOHA. Sipas rrëfimit të këtyre dy të akuzuarve për ngjarjet e 9 majit të vitit 2015, për organizimin e ardhjes së tyre në “Lagjen e Trimave” kanë qenë përgjegjës të ndjerit Xhafer Zymberi dhe Arben Rexhaj. Duke i treguar trupit gjykues me në krye me gjykatësen Verka Petrovska, se si ka ardhur ilegalisht në Maqedoni, i akuzuari Elshani tha se me 26 prill të vitit 2015 në telefon e kishte kontaktuar i ndjeri Zymberi, (me të cilin tha se ishin njohur më herët nga puna e kazinosë që e kishin ushtruar), i cili tha se i kishte thënë se duhet të shkohet në Kumanovë dhe se atje janë duke i pritur persona të caktuar.
ELSHANI: FAJTORËT JANË NË LIRI, NE PARAPA GRILAVE
“Erdh Zymberi në Suharekë, u takuam, biseduam dhe më sqaroi se duhet të shkojmë në Kumanovë. Qëllimi i prezencës tonë atje më tha se ka të bëjë me proceset e ndryshme kundër shqiptareve, duke e numëruar edhe mos zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Ndaj, kësaj ftese unë i jam përgjigjur pozitivisht, ndërsa intenca ka qenë lëshimi i një deklaratë për opinionin më të gjerë”, tha i akuzuari Elshani. Hyrja e tij në Maqedoni, duke u mbështetur në të dhënat e publikuara në seancë e fundit, ka ndodhur mes datës 1 dhe 2 maj. Fillimisht ai së bashku me Zymberin dhe pjesën tjetër të grupit kanë hyrë në fshatin Bellanoc, ku janë futur në një shtëpi të braktisur. “Pasi kemi hyrë në këtë shtëpi, brenda një kohe të shkurtër janë afruar dy helikopterë, fluturimi i të cilëve ishte shumë i ulët, ndërsa nuk e përjashtojë mundësinë që të njëjtit të kishin xhiruar shtëpinë ku kemi qenë të vendosur. Sidoqoftë, pasi këta helikopter të policisë u larguan, pas disa çasteve erdh një veturë e llojit xhip ‘Mercedes’ në të cilën ishin tre persona. Dy prej këtyre personave që nuk i njoha qëndruan në veture, ndërsa i treti i moshës 50-55 vjeçar, doli nga xhipi dhe u takuan me Mirsad Ndrecajn, me të cilin biseduan disa minuta, ndërkaq çka është folur mesa këtyre dyve, nuk e di”, shtoi Elshani. Itinerari drejt Kumanovës nga fshati Bellanoc ka vazhduar në një mal me pisha, dhe prej aty me një furgon drejtë në brendësi të qytetit, gjegjësisht me datë 3 maj Elshani dhe anëtarët tjerë të grupit janë futur në “Lagjen e Trimave”. Destinacioni se ku janë duke shkuar, në bazë të rrëfimit që Elshani e dha të martën, nuk ka qenë i njohur. Por, e kujton arritjen në Kumanovë, me çka shtoi se janë vendosur në shtëpinë e Riza Jonuzit, i cili i ka mirëpritur dhe ua ka dhënë ushqim. Data tragjike e 9 majit të vitit 2015, Elshani tha se ka qenë një befasi. “Ne jemi zgjuar nga të krismat. Unë armë nuk kam pasur, por vetëm uniformë të veshur. Kështu që deri në orët e dorëzimit jam munduar të mbrohem duke u larguar nga një shtëpi në tjetrën”, potencoi Elshani. Në fjalimin përmbyllës ai shtoi se fajtorët kryesor për këtë ngjarje janë në liri, ndërsa ata s’i të ftuar qëndrojnë prapa hekurave të burgjeve.
KAFEGJOLLI: NË KUMANOVË MË FTOI ARBEN REXHAJ
Ftesën për në Kumanovë për t’ju bashkangjitur UÇK-së, ma ka bërë shoku im i kamotshëm, tash i ndjeri Arben Rexhaj. Në këtë mënyrë e filloi dëshminë e tij Esat Kafegjolli, i cili theksoi se me 5 maj të 2015-tës, Rexha e kishte thirrur dhe i kishte thënë se duhet hyrë në Maqedoni për shkak se të drejtat e shqiptarëve janë nëpërkëmbur, ndërsa duhet ta lexojnë vetëm një kumtesë. “Me datë 6 maj, një ditë pas takimit të parë me Arbenin, rreth orës 12 jemi takuar përsëri, gjegjësisht nga ora 15:00 nga Prishtina jemi nisur drejtë Maqedonisë. Gjatë rrugës kemi udhëtuar vetëm ne dy, ndërsa ku kemi arritur në hyrje të kufirit për t’u futur ilegalisht na janë bashkangjitur Andi Krasniqi, Turgaj Gashi, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella, Lirim Krasniqi e disa tjerë. Vendi dhe terreni nga jemi futur për mua aspak nuk ka qenë i njohur, ndërsa më vonë e kam kuptuar se jemi vendosur në shtëpinë e Kenan Isenit, në fshatin Hotël, dhe prej atyre pasi që kemi qëndruar një natë, me furgon rreth orës 1:30 të 9 majit kemi arritur në Lagjen e Trimave”, tha Kafegjolli. Gjatë gjithë këtij udhëtimi, ai tha se nuk ka mbajtur asnjë armë, përfshi këtu edhe ditën e incidentit. Por vetëm se ka patur të veshur uniformë. Të shtënat e policisë, sipas Kafegjollit, kanë qenë shkaku i zgjimit nga gjumi, ndërsa nga ndezja e shtëpive një pas një ata janë detyruar t’i ndërrojnë vendet. Në bazë të këtyre të dhënave, ai veçoi një detaj, ku i ndjeri Beg Rizaj, i ka dhënë për detyrë që të hapte dalje me sëpatë e cila është gjetur në shtëpinë të cilën ata kanë qëndruar.
“UNË NUK I BIE NË DORË KËTYRE POLICËVE”
Vendimi për t’u dorëzuar së bashku me Malishëven, sipas Kafegjollit, ka ndodhur rreth orës 21:00, të datës 9 maj, ndërsa paraprakisht kësaj marrëveshje mes tyre nuk i janë bashkangjitur Hysen Rushiti, i cili ka bërë vetëvrasje pasi ka lënë me gojë “së unë nuk i bie në dorë këtyre policëve”. Lëndimet e rënda në kokë, kanë ndikuar që ai të dorëzohet menjëherë pas Andi Krasniqit- Malishevës, ndërsa përkundër plagëve të rënda që i kishte marrë, pjesëtarët e njësisë speciale edhe pas dorëzimit e kanë goditur me bishtin e pushkëve automatike. Rrëfimin e tyre para trupit gjykues gjatë orëve të pasdites të datës 7 mars e kanë dhënë edhe Ardian Bujari dhe Shefqet Kallaqi. Në ndërkohë për seancën e gjyqësore që pritet të mbahet me 9 mars, është paraparë të dëshmojnë Lirim Demiri dhe Hajrush Abdija.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.