Shkup, 28 shkurt – Deputeti i BDI-së, Artan Grubi do të nisë një iniciativë në Kuvend për përgjegjësinë e drejtuesve të Agjencisë për Zbulim për rastin e Kumanovës. Siç thotë deputeti Grubi dëshmitë e protagonistëve e konfirmojnë në tërësi që BDI dhe kryetari Ahmeti nuk kanë asnjë gisht të vetëm në këtë ngjarje tragjike. “Gjykimi i deritanishëm në rastin e Kumanovës nëpërmjet prezantimit të dëshmive nga ana e protagonistëve të ngjarjes po zbulon të vërtetën shokuese për përfshirje mashtruese në këtë rast të agjentëve të Agjencisë për Zbulim, që është nën kompetencat e Presidentit Ivanov. Në cilësinë e deputetit, do të nis një iniciativë në Kuvend për përgjegjësinë e drejtuesve të Agjencisë për Zbulim në këtë rast kaq të rëndë. Njëkohësisht, dëshmitë e protagonistëve e konfirmojnë në tërësi që BDI dhe kryetari Ahmeti nuk kanë asnjë gisht të vetëm në këtë ngjarje tragjike. Prandaj miq, e vërteta po del në shesh përkundër gjithë fushatës së tmerrshme dhe të papërgjegjshme mediatike dhe opozitare” ka shkruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.