Kombet e Bashkuara (OKB) lidhur me sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit në Gutën Lindore, ku në shënjestër janë madje edhe ndihmat humanitare të dërguara në rajon, theksuan se “Ishim dëshmitarë të një drame të vërtetë”. Zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare të OKB-së, Jens Laerke, në një deklaratë për AA tha se, në rast se regjimi vazhdon shkeljet ndaj armëpushimit është i pashpresë dërgimi i autokolonave me ndihma humanitare në Gutën Lindore.
Ai në lidhje me sulmet e regjimit të Asadit të cilët shkaktuan mosdorëzimin e ndihmave humanitare të OKB-së në Duma, tha se: “Dje në rajon ishim dëshmitarë të një drame të vërtetë. Atëherë kur arriti autokolona në rajon sërish filluan bombardimet dhe ishim të detyruar të kthehemi. Morëm leje për dorëzimin e ndihmave humanitare për 70 mijë civilëve. Në këtë drejtim dje u munduam që të arrijmë deri tek 25 mijë civilë por disa nga maunët u kthyen dhe nuk dimë saktësisht se për sa civilë janë dorëzuar ndihmat. Përsëri jemi duke bërë thirrje që në Gutën Lindore të respektohet armëpushimi”.
Ndërsa Zëdhënësi i Fondit Emergjent për Fëmijët pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF), Christophe Boulierac, tha se në Gutën Lindore ku 400 mijë civilë janë nën rrethim, jetesa nën tokë është shndërruar në normë jetese. Ai duke treguar se në disa bodrume të ndërtesave jetojnë rreth 200 civilë për t’u mbrojtur nga bombardimet, tha se në Siri këtë vit deri më tani kanë humbur jetën të paktën një mijë fëmijë. Ndërkohë Laerke, në konferencën e shtypit të mbajtur në zyrën e OKB-së në Gjenevë, rikujtoi se dje 10 nga 46 maunë të dërguar në Duma, janë detyruar të kthehen pa i dorëzuar ndihmat humanitare. Ai duke tërhequr vëmendjen se 4 nga maunët që baritnin materiale humanitare me rëndësi jetike pjesërisht janë shkarkuar, theksoi se autokolona me orën lokale në 14.30 është larguar nga vendi për të mos rrezikuar jetën e punonjësve të ndihmave humanitare. Laerke më tej rikujtoi se në Duma ndihma humanitare e fundit është dërguar më 14 nëntor të vitit 2017. Ai theksoi se në rast se regjimi i Asadit jep garancion të duhur sigurie planifikojnë që ditën e enjte të dërgojnë ndihma humanitare në rajon.
REGJIMI NUK RESPEKTOI ARMËPUSHIMIN
KS-OKB në vendimin më 24 shkurt kërkoi të shpallet armëpushim në të gjithë Sirinë në krye me Gutën Lindore për civilët. Por armëpushimi për të cilët ishte vendosur që të zbatohet “pa vonesë” nuk u përcaktua se si do të fillojë. Rusia pas vendimit të KS-OKB më 27 shkurt shpalli se armëpushimi ka filluar, i cili do të vlente çdo ditë nga ora 09.00-14.00 sipas kohës lokale, duke pretenduar se regjimi do të respektojë këtë. Në Gutën Lindore nën kontrollin e opozitarëve që prej 5 vitesh jetojnë nën bllokadë rreth 400 mijë civilë. Pavarësisht se Guta Lindore në Marrëveshjen e Astana-s u shpall “rajon për uljen e tensioneve”, regjimi i Asadit për të cilin rolin garantues e ka marrë përsipër Rusia që nga muaji prill i vitit të kaluar ka intensifikuar rrethimin e tij në këtë rajon, ndërsa në muajt e fundit ka shtuar edhe sulmet e tij.