Shkup, 31 tetor – Më tepër se një vit e gjysmë po udhëtojë me Durmo Tursin, dhe shpesh herë autobusët prisheshin, dyert nuk u hapeshin, nuk kishte kondicioner dhe ngjashëm, deklaroi sot Betim Ameti, dëshmitari i dytë i udhëtarëve të mbijetuar në tragjedinë e Llaskarcës.
Në rrëfimin e tij, dëshmitari Ameti, tha se ditën kritike ai ka qenë i ulur në rendin e katërt apo të pestë të autobusit të aksidentuar.
“Një vit e gjysmë po udhëtojë me Durmo Tursin dhe deri në pikë pagesën në Gllumovë, nuk vërejta asgjë të çuditshme gjatë vozitjes. Isha i zgjuar, dhe pse isha afër dritares u ngrita që të shoh se çka po ndodh, por më autobusi i kishte kaluar rrethojat mbrojtëse dhe kështu doli nga rruga. Mu dok se deshi të tejkalojë, por kthej shpejtë në të majtë. Shpesh vozitesha me Durmo Tursin dhe shpejtësia e zakonshme mu dok se është mbi të lejuarën, për shkak se shpesh tejkalonim, por nuk di saktë ditën kritike”, tha dëshmitari Ameti, transmeton KOHA.
Ai po ashtu tha se nuk ka vërejtur kurrfarë frenimi të autobusit apo ndonjë veprim tjetër të shoferit për të ndalë autobusin.
“Ndjeva se po rrokullisemi dhe kokën e godita për tavanin. Pasi autobusi ra unë e humba vetëdijen. E di që këmbën e kisha të zënë për bagazhi dhe më ndihmuan udhëtarët tjerë për të dalë”, tha mes tjerash dëshmitari Ameti.
Pas daljen nga autobusi, ai rrëfeu se e kishte parë shoferin në gjendje të rëndë dhe duke vajtuar.
Tragjedia e Llaskarcës, para Gjykatës Penale të Shkupit, udhëhiqet nga gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, ndërkohë përfaqësues i aktakuzës nga Prokuroria e Shkupit, është prokurori Darko Jakimovski.
Me 13 shkurt të këtij viti në afërsi të fshatit Llaskarcë, rrethinë e Shkupit, pas aksidentit të autobusit të kompanisë Durmo Turs, humbën jetën 16 persona, dhe 37 të tjerë u lënduan.
Për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, sipas Prokurorisë së Shkupit, akuzohen pronari i kompanisë Durmo Turs, Durmish Beluli, përgjegjësi për transport në këtë kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski. Nga ana tjetër tre të akuzuarit tjerë nga Stacioni për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Godan Dukovski dhe Jane Bovarovski, akuzohet për pjesëmarrje në këtë vepër penale. (koha.mk)