Edhe ish-kampionët e mëdhenj kanë anët e tyre të errëta. Rasti në fjalë i përket Mario Cipollinit, ish-çiklistit të famshëm italian, sot 52 vjeç, i cili akuzohet për dhunë në familje. Në procesin që ka nisur ndaj tij, ka dëshmuar edhe ish-bashkëshortja, Sabrina Landucci. “Corriere della Sera” publikoi në një artikull të numrit të sotëm dëshminë e Sabrinës.
“Ne ishim në shtëpinë tonë në Monte San Quirico, afër Luccas, ku patëm një grindje tjetër. Burri im kishte mbërritur në shtëpi në agim dhe unë kisha dyshime se më tradhtonte. Kur ia thashë, ai më rrahu dhe më tërhoqi zvarrë në dhomën time. Pastaj ai më vuri një pistoletë të mbushur në tëmth. Nuk ishte hera e parë, sepse ai më kishte ndjekur dhe kërcënuar një herë tjetër me armën e tij,” – rrëfeu ish-bashkëshortja e Cipollinit, duke sqaruar se pas dhunës, Mario u pendua, filloi të qante dhe të kërkonte falje. Por pastaj gjithçka u kthye si më parë.