Shkup, 21 shtator – Me dëshmi të propozuara nga mbrojtja sot në Gjykatën Penale Shkup vazhdoi gjykimi për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovit në prill të vitit 2012.
Dëshmitari Nazif Bushi në dëshminë e tij para gjykatës tha se me Sami Lutën, (i akuzuar në rastin Monstra”)jetojnë në një lagje të njëjtë, gjegjësisht Luta jeton afër kushërive të tij të parë.
“Të akuzuarin Fejzi Aziri e njohim nga aktivitetet e partisë, ku u emërova si koordinues i partisë në Çuçer Sandevë. Sami Luta jeton në afërsi të Senad Bushit, kushëriri im i parë. Ai ishte i pranishëm edhe në dasmën e kushëririt tim. Flokët i kishte të ngjashme sikur edhe tani”, tha dëshmitari Bushi.
Dëshmitari tjetër i mbrojtjes Sheval Aliti, ka dëshmuar për ditën e vrasjes në Liqenin e Smillkovit. Aliti në dëshminë e tij tha se atë ditë ka qenë në Liqenin e Smillkovit me një vajzë.
“Dhjetë minuta pasi arrita në Liqenin e Smillkovit, erdhi një veturë me dy Alfa. Më kujtohet ishte terr, për kohën e saktë nuk më kujtohet. Alfat na legjitimuan. Derisa isha atje nuk dëgjova asgjë. Alfat na i morën letërnjoftimet dhe na thanë të qëndrojmë në veturë, deri në orën 23:30”, tha dëshmitari Aliti.
I njëjti, siç potencoi prokurorja Fatime Fetai, ka dhënë deklaratë edhe në PSP, por ajo nuk e ka propozuar si dëshmitar sepse nuk ka thënë asgjë thelbësore.
Para fillimit të seancës gjyqësore gjykatësi Ognen Stavrev tha se ka kërkuar nga MPB ta gjejnë personin Vahid Berat, por nuk e kanë gjetur.
“Vahid Berat nuk punon më në MPB, është pushuar nga puna, ka shkuar në Gjermani dhe prej atëherë është i paarritshëm. MPB gjithë fundjavën e ka kërkuar”, citoi gjykatësi Stavrev.
Përveç dëshmive verbale në seancën e sotme gjyqësore për lëndën “Monstra” ishin prezantuar edhe dëshmi materiale.
Për vrasjen e djemve Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatarin Borçe Stefanovski në prill të vitit 2012 është akuzuar Alil Demiri, Afrim Ismailoviq (në arratisje), Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykimin për këtë lëndë e udhëheqin gjykatësit Osman Shabani dhe Ognen Stavrev, ndërsa akuzën e përfaqësojnë prokurorët Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski.