Dëshmi e një shqiptari protestant

Ky raport është bazuar mbi dëshminë e Grigor Cilkës dhe ka të bëjë më krimet serbe që janë kryer me qëllim të zhdukjes së popullatës shqiptare në Maqedoni dhe në një pjesë të Shqipërisë. Këto krime janë kryer vetëm brenda dy muajve dhe pas përfundimit të luftërave ballkanike kur Serbia nuk e lëshonte territorin shqiptar edhepse ishte urdhëruar nga Fuqitë e Mëdha pjesëmarrëse në Konferencën e Londrës. Raporti është përgatitur nga John C. Paget, i cili ka qenë sekretar nderi i ‘Albanian Committee’ që u themelua në Londër më 1912 për të ndihmuar çështjen shqiptare. Me qëllim që këto krime të mos injorohen, raporti është dërguar në adresë të gazetave kryesore dhe qeverisë britanike.

Nga M. Tsilka [Grigor M. Cilka]

Vuajtjet dhe ankthi i shkaktuar nga Lufta Ballkanike në Shqipërinë veriore, veçanërisht në Shkodër dhe rrethinë, kanë qenë dhe ende janë shumë të mëdha. Sir Edward Grey, me 8 prill [1913], duke folur në Parlament, tha: ‘Lufta për çlirim ka kohë që ka përfunduar: nuk ka arsye pse e njëjta simpati e shprehur ndaj vendeve tjera që luftuan për liri dhe ekzistencë nacionale të mos zbatohet edhe ndaj popullatës shqiptare e cila përpiqet për mbrojtjen e vendit të vet, religjionit, gjuhës dhe jetës’.

Që nga atëherë, rajoni i vuajtjeve është zgjeruar dhe një deklaratë e thjeshtë e dhënë këtu nga një protestant nga Elbasani, Shqipëri e mesme, bënë me dije se nga serbët është duke u zbatuar një politikë shfarosëse. Në Shqipërinë e jugut, në Korçë, shkollat protestante janë mbyllur nga grekët kurse nxënësit janë shpërndarë dhe mësuesit e tyre kanë vazhduar [punën[ në Selanik. Faji i tyre, të cilin e ndajnë me katolikët dhe myslimanët, është se ata janë shqiptarë.

REPREZALJET SERBE

  1. C. P., Sekretar nderi i ‘The Albanian Committee’, 4 Kingdon Road, London, NW.

Të premten, 19 shtator 1913, filluan trazirat në Dibrën e Poshtme. Serbët, duke u evakuuar nga territori të cilin e mbanin të okupuar përkundër faktit se i ishte dhënë Shqipërisë nga Konferenca e Londrës, synuan të merrnin me vete tërë tufat dhe kopetë që mundën. Disa barinj që rezistuan, u vranë së bashku me Mehmet Ademin dhe Xhafer Ilazin, udhëheqës të Luznës. ky veprim i irritoi malësorët dhe ata u ngritën për ta mbrojtur veten. Pastaj, serbët e dogjën Peshkopinë, Pleqën, Doshishtën dhe Deshatin kurse të nesërmen e dogjën Dibrën e Poshtme, Bejbegun dhe Maqellarën.

Serbët i arrestuan dhe i lidhën 48 udhëheqës të Dibrës. Ata ia dolën t’i vrisnin pesë nga këta – Hysen Shelin, Sadulla agën, Ramiz beun dhe dy tjerë. Tjerët ikën pasi që malësorët duke hyrë me nxitim dhe papritur në qytet, i sulmuan serbët dhe zunë 400 robër. Këta robër [të burgosur] u trajtuan mirë nga shqiptarët sikur edhe shumë serbë tjerë të plagosur në spital. Të hënën shqiptarët e morën qytetin nën kontroll dhe i ndoqën serbët në drejtim të Strugës, Ohrit, Kërçovës dhe Gostivarit.

Serbët e Ohrit, sapo dëgjuan për kryengritjen e Dibrës, i arrestuan 33 udhëheqës shqiptarë. Pesë prej tyre i ngulfatën me tel të telefonit, i therën me bajonetë tre tjerë, kurse të burgosurit tjerë u shpëtuan nga shqiptarët të cilët i ndoqën serbët deri në Petrinë. Xhelal beu, njëri nga këta të burgosur, iku në Elbasan dhe e konfirmoi këtë dëshmi. Në Strugë dhe Ohër, bullgarët u bashkuan me shqiptarët kundër serbëve. Në drejtim të Gostivarit serbët u ndoqën deri matanë Mavrovës (më shumë se gjysma e largësisë në mes Dibrës dhe Gostivarit). Serbët tjerë u ndoqën deri në Kërçovë. Serbët u mobilizuan menjëherë dhe dërguan forca të mëdha për t’i shpëtuar shokët e tyre në ikje. Kjo ushtri kaloi mbi shqiptarët gjatë tërë vijës së marshimit duke djegur fshatra dhe masakruar banorët (myslimanë) pa marrë parasysh faktin që shumica e tyre nuk kishin marrë pjesë në kryengritje. Pasi që shqiptarët nuk kishin ndihmë e as furnizime me njerëz dhe municion, u detyruan të tërhiqeshin para ardhjes së forcave serbe.

Në Reqan, afër Gostivarit, serbët morën 80 njerëz dhe i vranë gati të gjithë. Vetëm 5 prej tyre ikën. Njëri prej tyre, një hoxhë, erdhi në Elbasan dhe me lot rrëfeu se si serbët i kishin zënë 200 gra dhe fëmijë, përfshirë anëtarët e familjes së tij dhe pasi që i kishin mbyllur në dy shtëpi, i dogjën për së gjalli. Në një fshati të afërm, qindra njerëz u lidhën dhe u vranë. Pasi që pesë njerëzit që u përmendën më herët ikën në drejtim të Dibrës, treguan për tmerret e serbëve; banorët e Dibrës dhe fshatrave përreth, nga paniku u larguan në male vetëm me gjërat që mund t’i mbanin në duar duke i lënë pas fushat e pakorrura me misër, kafshët dhe shtëpitë e tyre.

Në Qermenikë, Mat, Tiranë dhe Elbasan përafërsisht janë mbledhur diku rreth 80 000 refugjatë. Nga këta, vetëm në Elbasan dhe rrethinë janë 33 000. Vetëm në qytetin e Elbasanit, nga Struga, Ohri dhe Starova janë plotë 4 000 veta (shumica e tyre fëmijë), 1 900 ushqehen me nga një bukë në ditë nga qeveria lokale me fondet që ia dërgon Qeveria e Përkohshme nga Vlora. Zonjusha Durham erdhi për të ndihmuar Shkodrën duke e ditur se shumica e të plagosurve ishin bartur këtu. Ajo solli dy sandëqe me furnizime për spitalin. Pasi që fondet e saja për ndihma ishin shterur, ajo mund të jepte vetëm disa lira turke, me të cilat u bë furnizimi me bukë misri brenda një have për 800 burra, gra dhe fëmijë që ishin nga tri fshatra neutrale të Kusuraqit të Epërm e të Poshtem dhe Skudurinës.

Shumë prej këtyre refugjatëve kanë kërkuar që të kthehen në shtëpitë e tyre të braktisura pasi që nuk kishin marrë pjesë në kryengritjen kundër serbëve. Duke e patur parasysh tradhëtinë që kanë treguar serbët ndaj disave që kanë guxuar të kthehen, dhe duke e ditur planin serb për shfarosje të popullatës myslimane, duket se është këshillë e keqe t’u thuhet këtyre njerëzve që të kthehen para vendosjes së një sigurie publike. Disa janë kthyer por 30 prej tyre janë kapur nga serbët dhe janë ekzekutuar në qafën e Klenias. Një ka ikur dhe është kthyer për t’iu treguar banorëve tjerë që kishin ndërmend të kthehen.

Momentalisht në Elbasan janë disa bejlerë, udhëheqës nga Starova. Ky qytet kurrë nuk i ka rezistuar serbëve. Megjithatë, këta burra janë arrestuar nga serbët menjëherë kur dëgjuan për ngjarjet në Dibër dhe u lanë në burgun e Ohrit kur u evakuuan nga qyteti. Kur këta u liruan nga shqiptarët, u kthyen në Starovë por ikën për Elbasan kur serbët e sulmuan vendin e tyre. Ditëve të fundit këta njerëz kanë marrë lajme nga serbët se nëse brenda 8 ditëve nuk kthehen, shtëpitë e tyre do të digjen, pasuria do t’u konfiskohet kurse familjet do të dërgohen në Beograd. Si njerëz që nuk kishin marrë pjesë kundër serbëve por për shkak se janë myslimanë dhe bejlerë (një numër i tyre janë të krishterë) janë të pasigurt se çka të bëjnë pasi që i frikohen mashtrimit.

Serbët janë lajmëruar shumë afër Elbasanit. Në mbrëmjen e së dielës, 5 tetor, në qiell është parë një shkëlqim i madh që është shkaktuar nga djegia e fshatrave në rrugën për në Dibër. Gjatë disa ditëve të kaluara, serbët i kanë plaçkitur edhe fshatrat brenda Shqipërisë, mu aty pas Gukusit kurse me 12 tetor u shpërndanë thashetheme që serbët ishin afër Elbasanit. Për fat të mirë ky ishte një alarm i rrejshëm.

Fshatrat e shkatërruara nga serbët, që janë marrë nga raportimet e refugjatëve dhe pushtetit lokal: Mes Dibrës dhe Gostivarit, numri i shtëpive të djegura siç janë shënuar – Reqani 360; Zdunia 126; Raveni 70; Vertok 116; Merdita 15; Orkusb 40; Simnica 70. (Këtu gratë së pari janë dhunuar e pastaj janë vrarë).

Në një luginë të ngushtë mes Dibrës dhe Peshkopisë janë (djegur) Konjari, Soloqiqi, Spasi, Blata, Resheni, Mojtari, Alajbeli, Qerneni, Vojniku, Koloqica, Glloboqica.

 

NË DIBËR – RRETHINAT E HAMITIT DHE KRIFORIT

Në rajonin e Rekës, afër Dibrës – Ternica, Nisrova, Jautqe,, Radostush, Kosovraci i Epërm dhe i Poshtëm, 150 shtëpi të djegura; Skudrina 120 shtëpi të djegura; Prisojnica 50 shtëpi të djegura, Haxhiovca 30 shtëpi të djegura.

Në Gollobërdë, që është territor shqiptar i pakontestuar – Borovë, Sebishtë, Ostren i Madh dhe i Vogël, Radovishtë, Vlaladomericë, Tuqep, Otishan, Xhepishtë, Okshtan.

Klenja 120 shtëpi të djegura, gra dhe fëmijë të vrarë; Seblova 500 shtëpi të djegura. Në mesin e të vrarëve janë – Bajram Aliu me gruan dhe djalin Ademin, Xheladin Aliu, Ali Murati, Iliaz Graja.

Në Zabzun ka mbetur vetëm një njeri, një murator i cili punon në Elbasan dhe është i njohur aty. Ai flet mirë bullgarisht. Kur serbët shkuan në fshatin e tij, e trajtuan mirë duke i thënë se kishte bërë punë me mend që kishte qëndruar. Duke shkuar në shtëpinë e tij i thanë që të sillte një ngarkesë me kashtë, të cilën ai e kishte bërë. Pastaj e kishin pyetur nëse kishte njerëz tjerë aty. Kur ai e përmendi vëllain, i thanë që ta sillte aty nëse nuk dëshironte që ta gjente ndonjë e keqe. Pastaj e dërguan që të gjente ndonjë tjetër që mund të ishte fshehur dhe ndërkohë ia vranë vëllain dhe nënën. Gruaja e tij i kishte kapur dy fëmijët dhe kishte ikur nga shtëpia duke e lënë njërin fëmijë në djep. Nga ana e malit ajo e kishte parë shtëpinë në flakë. Pas një apo dy ditësh burri e kishte gjetur gruan me dy fëmijët dhe kishin ikur për Elbasan. Që të dy tregojnë se i kanë parë serbët duke e vrarë axhën dhe gjyshen por edhe bagëtinë.

Afër Kërçovës, me 24 deri më 26 shtator janë djegur: Zajasi 650 shtëpi të djegura kurse 250 burra janë dërguar në Kërçovë (fati i tyre nuk dihet); Kollarë 140 shtëpi të djegura; Leshnicë 130; Dragomesh 150; Mahmudie 40; Lapkadoll 120; Pllashnicë 350, Lisiqan, 270. Në këto fshatra të gjitha gratë dhe fëmijët janë ekzekutuar.

Ohri dhe rrethina janë vrarë: Nazif Cefka, Hajdar Qauski, Ali Arabaxhia.

Një raport i përgjithshëm bënë me dije se këtu janë vrarë së paku 50 bullgarë dhe 25 shqiptarë. Qaushi, Ridvan Koroshishta, ishte punësuar si kallauz dhe pastaj ishte vrarë në rrugë. Një numër i personave janë marrë nga serbët dhe fati i tyre nuk dihet.

Në Veleshtë janë varrë: Halim Nasufi, Jusuf Nasufi, Mehmet Ferati dhe Zejnel Baulta. Harshit Istrefi është rrahur gati deri në vdekje kurse shtëpinë ia kanë djegur.

Në Pesoqan – Pasho, Zejneli, Junuzi dhe 15 tjerë janë vrarë jashtë fshatit. Ne Pohun janë vrarë 5 njerëz. Në Radolishtë 55 shtëpi janë djegur por njerëzit janë ikur. Në Delogashtë janë vrarë Shaban Syla dhe Agush Kurtishi; Shtëpia e Mefail Selës ështe djegur, bagëtia është vrarë kurse për te nuk duhet gjë.

Në Mustodezhdë janë vrarë: Numan Bakiu, Sinan Shaqiri, Xhemail Sinani, Kahreman Gula, Adem Karamanliu, Arif Gula dhe Muslim Mersini. 20 njerëz tjërë janë kapur por fati i tyre nuk dihet; 600 krerë bagëti janë marrë.

Në Tatesh janë vrarë Mulla Jusuf Shaqiri, Hasan Sylejmani, Abdi Sylejmani dhe Bilall Luma. Fati këtyre nuk dihet: Latif Ibrahimi, Osman Haliti, Mulla Halil Beqiri, Elmaz Mustafa, Islam Hyseni, Hajrulla Jashari, Hyzeir Ramadani dhe Osman Veseli.

Në Strugë, kur u kthyetn serbët, e vranë Abdurraman Agën, një plak që ishte zgjedhur kryetar i qytetit gjatë kohës kur shqiptarët e kontrollonin kët qytet. Janë vrarë shumë të krishterë dhe në mesin e tyre Haxhi Millan Nestori dhe nje tjetër i quajtur Ciril. Në mesin e shumë myslimanëve të vrarë janë Emin Aga dhe Abdyl Xhaferi.

Në fshatin Radolishtë, afër Strugës, janë djegur 50 shtëpi, por të gjithë njerëzit kanë ikur.

Në fshatin Hadomisht, afër Starovës, dy myslimanë janë vrarë pa asnjë arsye. Njëri ishte gegë që jetonte aty dhe në qetësi e vazhdonte punën e muratorit. Ky është vrarë për shkak se ishte mysliman dhe se me origjinë ishte nga Dibra.

  1. Silka

Elbasan, nëntor 1913.

(Përgatiti: Daut Dauti)