Shkup, 13 prill – Skuadra e Shkëndijës ka bërë hapin e radhës drejt fitimit të dy trofeve në futbollin vendor, pasi me 18-të pikë epërsi në kampionat, të mërkurën kuqezinjtë siguruan kualifikim edhe në finalen e Kupës së Maqedonisë. Trofeu do të diskutohet përballë Pelisterit më 23 maj, një reprizë e finales së vitit të kaluar, në të cilën triumfoi skuadra nga Manastiri.
Si zakonisht në qendër të vëmendjes në ndeshjen kthyese ka qenë goleadori i kuqezinjve Besart Ibraimi, i cili shënoi dy gola. Ai për gazetën koha tregon emocionet e tij për golat dhe pritjet e tij në ndeshjen finale. “Jam i lumtur për kualifikimin në finalen e Kupës, ku do të kemi mundësi për të fituar trofeun. Gjithmonë më me rëndësi është suksesi kolektiv, megjithëse patjetër të pranoj se më vjen mirë që ky sukses u arrit pikërisht me golat e mi. Secili prej futbollistëve është në funksion të ekipit dhe është mirë kur puna jote sjell sukses”, shprehet Ibraimi, i cili pranon se objektivi i tij këtë sezon është fitimi i dy titujve.
“Shkëndija ka objektiv fitimin e dy titujve në futbollin vendor dhe njëra prej to është Kupa. Ne kishim vendosur paraprakisht këtë objektiv dhe deri tani kemi ecur mirë. Dëshironim finalen dhe të njëjtën duam ta fitojmë pa marrë parasysh kundërshtarin që kemi përballë. Neve na intereson vetëm fitorja dhe do të fokusohemi maksimalisht të shfaqim performancën më të mirë të mundshme për të fituar trofeun e Kupës, ashtu si që jemi në rrugë të mirë edhe në kampionat. Gjërat tjera janë të parëndësishme”, deklaroi sulmuesi kërçovar. (B.K.)