Rrëfenjë nga lindja e lashtë)
Një perandor po dilte nga pallati për të bërë shëtitjen e mëngjesit në kopsht, ku takon një lypës.
E pyet lypësin: «Më thuaj, çfarë do?»
Lypësi, gjithë përulësi, i thotë: «Madhëri, vërtet doni ta plotësoni dëshirën time?
Atëherë perandori, duke qeshur paksa me ironi, i kthehet: «Sigurisht që do të ta plotësoj. Vetëm ma thuaj cila është dëshira jote.»
Por lypësi përsëri ngul këmbë në të tijën: «Mendojeni mirë, Madhëri, pastaj bëjeni premtimin.»
Duhet të dini se ai nuk ishte një lypës çfarëdo. Ai dikur, në jetën që kishte kaluar, kishte qenë këshilltar i perandorit. Dhe, para se të ikte nga kjo jetë, i kishte premtuar: «Do të mundohem të vij për t’ju mësuar diçka shumë të rëndësishme për jetën tuaj të ardhme, që deri tani, s’kini dashur ta mësoni.» Në të vërtetë, perandori e kishte harruar fare këtë. Ai s’mbante mend asgjë nga e kaluara.
Dhe perandori këmbëngul: «Po të them edhe njëherë: jam një perandor shumë i fuqishëm dhe s’e kam për gjë të të plotësoj çdo dëshirë që ke, vetëm hap gojën e ma thuaj.»
Atëherë, lypësi i thotë: «Dëshira ime është shumë e thjeshtë. E shikon këtë enën e vogël që mban çdo lypës? Mund ta mbushni me diçka?»
Perandori, me një pamje gati ironike, i thotë: «Sigurisht. Do ta kesh plot.» Thirri njerëzit e tij të besuar dhe i urdhëroi: «Mbushjani këtë sahanin me flori, këtij njeriu.»
Ashtu bënë njerëzit e tij. Hodhën një grusht flori, aq sa merrte sahani, po, për çudi, floriri u zhduk në çast. Hodhën në të përsëri e përsëri grushte me florinj, por sahani mbetej gjithmonë i zbrazët. Ishte e qartë se prestigji i perandorit po vihej në rrezik, prandaj u mblodh i tërë pallati për të diskutuar se si mund ta zgjidhnin këtë enigmë. Kur e mori vesh perandori, u thotë: «Nuk dua të turpërohem përpara këtij lypësi, edhe sikur të humbas tërë perandorinë time. Prandaj, mos i kurseni florinjtë, perlat, smeraldet dhe çdo gjë të çmuar që kam. Mbushjani atë të mallkuar sahan dhe nxirreni këtej!»
U zbraz i gjithë thesari, por sahani i lypësit, si të qenkësh pa fund, mbetej përherë bosh. Më në fund, kur tashmë qe ngrysur, njerëzit e perandorit rrinin në këmbë, si hunj, pa guxuar të nxirrnin ndonjë fjalë nga goja.
Atëherë, perandori i ra në gjunjë para lypësit dhe, duke pranuar se qe mposhtur, i thotë: «Je fitimtar ndaj meje, vetëm para se të ikësh ma shuaj kureshtje e më thuaj se çfarë dreq materiali qenka bërë kjo ena e lypësit?»
Lypësi qeshi e tha: «Oh, Madhëri, nuk ka asnjë lloj sekreti. Ky sahan i thjeshtë është bërë prej mendjeje njerëzore.»
Ja pra, kush na qenka kuptimi që ndryshon jetën: Ke një dëshirë, po cili është mekanizmi për ta realizuar? Në fillim ke një ngacmim, një nxitje dhe një zjarr madh, ke një ndërdymje të madhe për një lloj rreziku. Ndien se diçka ka për të ndodhur me ty, se je në prag të një aventure. Dhe pastaj ke veturën e shtrenjtë, ke jahtin luksoz, vilën e madhe, gruan e bukur… Por, papritur, të gjitha këto të duken pa kuptim.
Ç’ka ndodhur me ty? Ndihesh i demoralizuar. Ja ku je në rrugë, brenda veturës tënde të shtrenjtë, por je i zbrazët dhe nuk ke më kurrfarë ngacmimi. Aq paskësh qenë, sa të dalldiseshe nga dëshira, dhe e harruake veten tënde?! Pa shiko: me t’u plotësuar të gjitha dëshirat, vetura e rrallë, gruaja e bukur, paret e shumta… dhe ngucja, gjallërimi kënaqësia u zhdukërkan përsëri. Përsëri ndihesh bosh, përsëri i babëzitur. Përsëri do të krijosh një dëshirë tjetër, për të shpëtuar nga kjo humnerë gromësimash.
Në shqip nga Bajram Karabolli