Qytetarët, nga ana tjetër thonë se edhe këtë vit zakonisht kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin shqiptar, për shkak se është më afër dhe më lirë, disa të tjerë shprehen se gjendja ekonomike pamundëson që ato të kalojnë pushimet në ndonjërin prej destinacioneve që ofrohen nga agjencitë turistike në vend
Urim HASIPI
Tetovë, 21 qershor – Sezoni turistik veror tashmë ka filluar, ndërkohë që qytetarët kërkojnë aranzhmanet e përballueshme dhe më të kapshme për xhepin e tyre për të kaluar pushimet e tyre verore. Si destinacione më të preferuara dhe më të kërkuara në agjencitë turistike nga ana e qytetarëve të Tetovës, ashtu edhe sikurse vitet e kaluara, edhe këtë vit mbetet bregdeti shqiptarë, bregdeti i Turqisë dhe ai i Malit të Zi, shkruan gazeta KOHA. Edhe agjencitë turistike tashmë kanë filluar me promovimin e destinacioneve të ndryshme turistike nga ato më luksozet e deri tek ato më të thjeshtat dhe më të lirat.
Sipas përfaqësuesve të këtyre agjencive turistike si destinacione më të kërkuara për pushuesit tetovarë vazhdojnë të jetë bregdeti shqiptarë dhe ai turk. Ofrohen aranzhmane të ndryshme më fluturime çarter, akomodime në hotele si në Turqi, Shqipëri, Mal të Zi, ndërsa risi për këtë vit është Egjipti, Malta, dhe Spanja, të cilat janë shumë më pak të kërkuara nga ana e qytetarëve. Çmimet sipas agjencive turistike fillojnë nga 300 euro e më lartë, kurse Egjipti dhe Tunisi vazhdojnë të mos jenë pjesë e ofertës.
Bregdeti shqiptar, gjegjësisht Durrësi, Shëngjini dhe Saranda janë destinacionet më të preferuara për tetovarët. Duke patur parasysh se Shqipëria është një nga vendet ku më pushimet mund të kalohen më lirë, edhe këtë vit familjet tetovare menjëherë pas festës së Bajramit kanë filluar edhe me rezervimet. Arsyeja se pse tetovarët përzgjedhin Shqipërinë, krahas çmimit është edhe afërsia si dhe ofertat mjaft të volitshme që ofrojnë agjencitë turistike.
“Edhe këtë vit, ‘Euro Turist’ si tur operator turistik sezonin veror e ka filluar me rezervime të hershme, kur hotelet kanë qenë në zbritje deri në 50 për qind. Si destinacione më të kërkuara zakonisht kemi Shqipërinë, Turqinë, dhe Malin e Zi, çmimet kanë filluar prej 299 euro për person për në Antali ku në çmim përfshihet fluturimi direkt për në Antali, transporti prej Tetove deri në aeroport, prej aeroporti deri në hotel, akomodimi në hotele ‘All Inclusive’. Risi këtë vit kemi Hurghadën në Egjipt, fluturimet fillojnë prej në muajin korrik, ndërsa do të ketë fluturime çdo të hënë. Si destinacion tjetër turistik për këtë vit e kemi edhe Qipron Veriore për ku fluturimi bëhet më linjë të rregullt”, thotë për KOHA, Albana Bislimi, nga agjencia turistike “Euro Turist”. Edhe në agjencitë tjera ofertat janë të mëdha për në bregdetin e Turqisë.
“Sa i përket ofertave tona, kemi oferta nga më të ndryshmet si ‘top ofertë’ e kemi Turqinë, duke marrë komplet bregdetin Turk nga Alanya deri në Lara, çmimet janë të kapshme duke filluar nga 800 euro deri në 1500, 1600 euro… varet prej ofertës së hoteleve, pastaj kemi edhe bregdetin shqiptar komplet nga Saranda deri në Durrës, pastaj ofertë tjetër kemi edhe për në Maltë dhe Spanjë që për këtë vit janë risi. Mirëpo, kërkesa për këto dy destinacione – Maltë dhe Spanjë, është pak më e vogël se sa Turqia dhe Shqipëria, pasi për këto dy destinacione turistike kërkesat janë shumë më të mëdha se destinacionet tjera”, thotë për KOHA, Xhemaledin Demiri nga agjencia “Arsimi Company”.
Qytetarët, nga ana tjetër thonë se edhe këtë vit zakonisht kanë zgjedhur të pushojnë në bregdetin shqiptar, për shkak se është më afër dhe më lirë, disa të tjerë shprehen se gjendja ekonomike pamundëson që ato të kalojnë pushimet në ndonjërin prej destinacioneve që ofrohen nga agjencitë turistike në vend. Ndryshe, pjesa më e madhe e qytetarëve të Tetovës, të cilët punojnë në administratën shtetërore edhe privatisht pushimet i kalojnë në Shqipëri për arsye ekonomike, ndërsa ata që shkojnë në Turqi – janë më shumë mërgimtarë dhe shtresa më e pasur e popullatës. (koha.mk)